Intervistë nga Gjekë Marinaj
Pasi mori diplomën Bachelor dhe medalje nderi “summa cum laude honors” nga Universiteti North Florida në 2006-n, Stephanie Moore (Stefanie Mur), e lindur dhe rritur si floridiane, provoi shansin në shtetin e Teksasit, për të ndjekur pasionin e saj për letërsinë.
Stephanie e filloi karrierën e saj të oratorisë dhe të shkruarit, pas marrjes së titullit Miss Florida Right to Life në vitin 2001, gjë që i dha asaj një platformë për të folur mespërmes shtetit, në temën specifike të interesit, të fuqizimit dhe edukimit për gratë e reja. Stephanie përfaqësoi gjithashtu shtetin e Floridës në garën Kombëtare të Oratorisë “National Right to Life Oratory Contest”, në Qershor 2001. Për më tepër, ajo mori njohje më të madhe në mars 2002, duke fituar Çmimin për “Dëshmia më e mirë”, në garën Gjykimi Mock 1) të Shtetit të Floridës.
Arritje të tjera profesionale përfshijnë zgjedhjen e saj nga Universiteti North Florida për të folur në emër të kolegëve të saj shkollarë, në emër të shoqatës së nderit Sigma Theta Tau Honor Society.
Aktualisht, Stephanie jeton në Dallas, Texas, ku ajo ka marrë një pozicion të lartë me shkrimet e saj.
Ajo vazhdon të ndjekë pasionin e saj për poezinë dhe shpreson gjithashtu se një ditë do të ofrojë nëpërmjet shkrimit, redaktimit dhe intervistimit, trajtimin e historive me interes njerëzor. Qëllimi i saj është, që ajo një ditë të publikojë një roman me objektiv gratë, duke dhënë frymëzim përmes humorit shpresëdhënës dhe shembuj realë të jetës së vërtetë, mbi rëndësinë e të mbeturit i paprekur në vetëdijen tuaj.
Gjekë Marinaj: A mendoni se shkrimi juaj ka mundësi të kapërcejë kultura të ndryshme, fe apo mjedise shoqërore të larmishme? Nëse po, çfarë shpresoni të merrni apo fitoni nga kultura shqiptare?
Stephanie Moore: Unë mendoj se është e mundur ta përdor shkrimin tim për të krijuar një mesazh universal për të gjithë ata, që do të ndeshen me të. Besoj se nuk ka rëndësi raca, feja, kredoja, edukimi, statusi social apo pozicioni në shoqëri – duhet të ketë një mesazh universal, që ka kuptim për të gjithë.
Mendoj se shkrimi është një mjet i fuqishëm. Unë mund të mos flas të njëjtën gjuhë si bashkëmoshatarët e mi nëpër botë, mund të mos jem rritur me të njëjtat vlera, apo mund të mos i lutem të njëjtit Zot – por, jam e sigurtë se, ka disa tendenca instinktive njerëzore, që i kapërcejnë të gjitha. Një buzëqeshje mund të përcjellë të njëjtin mesazh në çdo rrethanë, dhe fjalët – ato mund të shërojnë një shpirt, kur ndërtohen me pastërti hyjnore dhe qëllim të drejtë. Ndonëse historia ime mund të jetë me humor, inkurajuese, që ta copëton zemrën, dëshpëruese, e ndershme apo e përulur – besoj se zëri dhe toni pas fjalëve të mia, do të kuptohet. Besoj gjithashtu se kur udhëhiqesh nga mirësia dhe përulësia e vërtetë, ka mundësi të pafundme që të presin. Shpresoj që fjalët e mia t’i shërojnë të tjerët, ashtu si fjalët e të tjerëve më kanë shëruar mua. Shpresoj se mund ta ndaj fuqinë, që më kanë dhënë historitë më të fuqishme. Dhe shpresoj se mund të çelë aq shumë buzëqeshje, nga aq shumë fytyra e vende, sa ç’ka edhe fjalë për të shkruar. Kjo është lutja ime. Këtu unë do të gjej paqen time.
Shqipëria për mua përfaqëson atë, se sa të fuqishme mund të jenë në të vërtetë këmbëngulja dhe lëvizja. Vendi, njerëzit dhe historitë – të gjitha këto për mua tregojnë se pse është kaq e rëndësishme për t’u shtyrë përpara drejt madhështisë. Bukuria e relievit është një testament i krijimit të më të mirës. Historitë e krijimit të vëllazërisë janë të admirueshme. Njerëzit që kanë lindur atje dhe kanë ndarë më vonë madhështinë e tyre si udhëheqës të mëdhenj, meritojnë mirënjohjen e botës. Unë nuk pyes se çfarë mund t’i jap këtij vendi – sepse do të zbehte krahasimin me atë, që edhe historitë më të thjeshta më kanë dhënë mua – dhe kjo do të thjeshtëzonte shpresën. Në këtë mënyrë, shpresa ime tani qëndron në faktin, nëse do të jem në gjendje të udhëtoj në këtë vend të mrekullueshëm, për të thithur çfarëdo që të mundem nga ajo, që mendoj se është kuptimi i vërtetë i bukurisë.
Marinaj: Tani që ju po hyni seriozisht në botën e të shkruarit, a besoni akoma në konceptin e rrezikut të llogaritur dhe çfarë do të thotë kjo për ju?
Moore: Nuk ka shpërblim më të madh, që unë mund t’i jap vetes, se rritja. Unë kam mësuar nëpërmjet provës dhe gabimeve të shumta, që kam mbjellur në një vend, ku shpirti është shtrirë në të gjithë kapacitetin e vet. Jam në lëvizje të vazhdueshme, gjithnjë duke mësuar, gjithnjë duke u rritur. Kam lindur për të kërkuar dhe për të mbledhur.
Duke thënë këtë, unë nuk kam qenë e bekuar me një lindje nga mirëbesimi. Rrethanat e jetës kanë sfiduar shumë herë vlerat e mia, po t’i llogarisësh. Kam rënë në fund ndonjëherë, dhe pastaj jam rritur e përshtatur, madje edhe me shtresën poshtë zhavorit. Mjafton të them, nuk ka qënë e lehtë.
Megjithatë, kam mësuar disi të ngul këmbë. Kam mësuar se kur shkund pluhurin nga leckat, është një masë e tërë shprese, që mund të ngrihet nga përvoja jote, nëse ju vazhdoni te lëvizni.
Marrja e një vendimi të llogaritur për të ndarë shkrimet e mia, peshon ndjeshëm në zemrën time për mjaft kohë, sepse është diçka, që unë nuk e kam bërë më parë. Të qënit një person që lulëzon në përputhje me rregullat dhe merr kontroll nga rutina e rregullorja, është ndoshta përpjekja më e frikshmë, që kam ndjekur ndonjëherë. Shkrimi im, është zbrazja e shpirtit tim në letër. Është një zgjerim natyral i vetes sime. Kështuqë, vendimi për t’i ndarë këto me të tjerët, duke ditur që ka edhe kritikë, të bën të ndihesh e panjohur dhe e frikësuar. Por, mjaft çuditshëm, ndihesh edhe e çliruar.
Une besoj në këtë rrezik, sepse shpërblimi nuk ushqehet nga mburrja, egoja, popullariteti, apo pasuritë e jashtme. Kjo drejtohet nga fakti, se unë e di që nuk ka mënyrë tjetër për t’u rritur, e cila s’është e pamundimshme. Dhe shpirti im ka nevojë të shtrihet.
Marinaj: Pse të shkruarit është e rëndësishme për ju?
Moore: Nuk e di nëse ka ndonjë reflektim më të ndershëm nga vetja ime, sesa kur shkruaj. Kjo bën një çlirim purgativ të çdo gjëje thelbësore, që vjen direkt nga shpirti. Unë nuk e fsheh atë që mendoj se tingëllon e përshtatshme për t’u thënë, apo atë që do të kënaqte veshin e tjetrit. Thjeshtë vendos fjalët në një mënyrë, që është kuptimplotë dhe e qëllimtë për mua. Është pasqyrë terapeutike për më të mirën.
Shkrimi është i rëndësishëm për mua, sepse e thënë thjeshtë, fjalët mbartin peshë. Shpërndarja dhe qëllimi pas çdonjërit që shkruan, mbart një sasi force të rëndësishme dhe prekëse. Fjalët kanë aftësi të jenë shkatërruese dhe të dëmshme, ashtu siç edhe mund të rindërtojnë dhe rikonstrukturojnë shpresën për audiencën e tyre.
Gjatë rritjes, mua më mungoi sistemi kryesor bazë, që mëson dhe forcon një fëmijë. Nuk kisha burime për të krijuar imazhin e një marrëdhënie të shëndetshme, apo përgjigje për pyetjet e thjeshta të jetës. E mësova shpejt se, nëse do të kisha nevojë të mësoja për të ditur më mirë, për të qenë më e mirë dhe për të bërë më mirë në këtë jetë, do të kisha nevojë edhe për ndihmën dhe mençurinë e të tjerëve. Kjo erdhi tek unë përmes formës së të lexuarit. Librat u bënë streha ime e sigurtë – autorët, mësuesit e mi të jetës. Sa më shumë kohë shpenzoja duke lexuar përvojat e të tjerëve, fillova të ndihesha më pak e izoluar dhe më shumë pjesë e një komuniteti. Nuk isha vetëm.
Prandaj, të shkruarit ka një qëllim të veçantë për mua, sepse, nëse fjalët e mia, vetëm një herë, mund ta ndihmojnë dikë që të fitojë autonomi, vlera për veten, vlerësime apo vlera tjera – unë do ta kem para-paguar atë.
Marinaj: Si mund të kontribuojë pena juaj në rëndësinë dhe vlerat e bukurisë fizike, në këtë planet të larmishëm?
Moore: Ka diçka që më pëlqen ta quaj “fuqia e bukurisë”. Është aftësia për ta përdorur bukurinë fizike si katalizator. Është e provuar nga pikëpamja sociale, dhe për mua, kjo e bën marrjen dhe ruajtjen e vetë-vlerësimit shumë më të vështirë. Shoqëria jonë e ka vënë theksin kaq shumë në atë çfarë konsiderohet stereotipikisht e bukur. Kjo ndodhet kudo. Që nga magjia e marketingut, tek premisat e realitetit televiziv – njerëzit simpatikë sundojnë botën.
Nuk po them se jam e imunizuar nga kjo. Edhe unë jepem pas shumë trukeve “për të humbur peshën dhe për t’u ndier madhështor”, kur në fund të fundit, më pëlqen një petull e ëmbël. Tani do të përulesha para komplimentit të dikujt, po të më thoshte se jam e bukur, sepse për mua, këtu ka më tepër se rimeli im.
Të shkruarit heq paragjykimet. Të lejon për një pllakë të pastër të një gjykimi të padëgjuar. Fjalët nuk tregojnë racë, fe apo besim. Dhe natyrisht ato nuk duan t’ia dinë për një numër në shkallë, kush vishet më mirë, apo nëse rrënjët e tua kanë nevojë për t’u ri-theksuar. Ato tregojnë perspektiva dhe histori botërore apo individuale. Ato tregojnë rrëfenja nga të cilat çdo person mund të marrë informacion, të cilin mund ta plotësojë ose shpërfillë. Të shkruarit i jep autorit një bord kumbues. Pavarësisht se audienca mund të përbëhet nga një, apo nga një numër i pafundëm i lexuesve të zellshëm. Tregimi i historisë tënde pastaj bëhet rreth eksperiencës, që doni të komunikoni, dhe jo rreth teje.
Besoj se është një emërues i përbashkët për të gjithë njerëzimin – dhe kjo është njohja. Për mua është bërë krejtësisht e qartë, që në një marrëdhënie, qoftë miqësore apo e kundërta, çdo person në këtë planet kërkon thjeshtë të dëgjohet. Ata thjeshtë duan të dinë – a jam i vlefshëm?
Objektivi im është që të përdor fuqinë e penës time për të provuar pikërisht këtë. Çdo person është i vlefshëm. Çdo jetë ia vlen të njihet. Çdo person ka nevojë për një dëshmi dhe çdokush ka nevojë të vërehet, të bjerë në sy. Edhe nëse ata janë pa grim dhe në veshje sportive.
Marinaj: Imagjinoni veten tuaj në ndenjësen e shoferit të një makine kohe. Cili do të ishte destinacioni juaj i parë: e shkuara, e tashmja apo e ardhmja? Pse?
Moore: Besoj se politikisht, përgjigjia më e saktë për këtë pyetje do të ishte të qëndroja në të tashmen. Në fund të fundit, të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen “e shkuara është histori, e ardhmja është mister dhe e sotmja është një dhuratë – prandaj quhet e tashme”.
Por unë nuk jam e interesuar për të qenë politikisht korrekte, apo për dhurarat.
Unë do të vizitoja të shkuarën, megjithëse, specifikisht si vëzhguese. Për të thënë të vërtetën, e shkuara ime është një koleksion i momenteve me ngjyra dhe i një vetmie vetmitare. E kam urryer reflektimin tim. Kam dashuruar çfarë kam parë. Kam qënë ziliqare, guximtare, e shkathët, kurajoze, e lodhur, entuziaste, e errët, plot energji, shkatërruese dhe e thyer. Ndonjëherë e kam përjetuar të gjithë gamën e këtyre emocioneve në një ditë. Ka patur raste, kur kishte kaq shumë copa për mua, aq sa të mos isha në gjendje as t’i mbledh ato. Ato rrinin të shpërndara andej këtej, dhe unë isha shumë e mbingarkuar me pikëllim e mungesë shprese, sa nuk mund të shihja as edhe se ku mund të futen ato. Nuk e di përgjigjen për të shkuar aty, ku unë jam, sepse aty ku unë jam, nuk përbën një vend të qëndrueshëm. Nuk është gjithçka, fundi i gjithçkaje. Nuk është vendi i dritës së shenjtë. Do të doja të ishte kaq e lehtë. Do të doja që dikush të më thoshte, edhe tani, që çdo gjë do të jetë në rregull, gjithmonë.
Por ajo, që unë di me siguri, është kjo. Ne evoluojmë. Është e pashmangshme. Ne zgjohemi dhe bëhemi krijesa që, në mënyrën tonë të ndërgjegjshme të të menduarit, nuk guxojmë kurrë të mendojmë se jemi në gjendje të bëhemi. Ne disi, në një farë mënyre, ia dalim të vazhdojmë më tej. Dhe ndonjëherë, nëse ke shumë fat, tregohesh këmbëngulës, dhe tepër i vetë-dijshëm, lëviz në atë drejtim, që të sjellë paqen, për të cilën ke lënguar me aq zjarm.
Kjo është punë e vështirë. Kënaqësia nuk është thjeshtë një shëtitje në park. Në fakt është një shëtitje përmes varrezave më të errëta – duke kaluar grackat e të rënëve, fantazmat e gurëve të varrezave me emrat e atyre që njihni mbi ta. Është aftësia për të parë që vendi nga ku vini, ka një korrelacion të drejtpërdrejtë me vendin, ku jeni duke shkuar. Është ritmike. Është ciklike. Të sjellë në rrethin e plotë. Gjithmonë.
Kështu që, unë do të rivizitoja të shkuarën time dhe do vendosja një dorë inkurajuese mbi atë vajzën e re, adoleshenten e shqetësuar, të rriturën e re, që kishte shumë pyetje dhe thjesht të thoja – do të bëhet mirë.
Marinaj: Ju keni kontribuar një kohë të madhe për përmirësimin e shoqërisë sonë. Sa larg mund të shkojë një shoqëri si e jona, duke përdorur analiza të sofistikuara të vetë-interesit politik?
Moore: Një nga konceptet më të vështira, që kam patur ndonjëherë për ta zotëruar mendërisht është ideja, se ti nuk mund të ndihmosh dikë, që nuk dëshiron të ndihmohet. Për ta thënë këtë në mënyrë esenciale, një qënie njerëzore, nuk mund ta ndryshosh. Asnjë sasi mendimi, lutje, mençurie, lavdërimi, kritike, dashurie, shprese apo urrejtje nuk mund ta ndryshojë një person, që nuk do të ndryshojë. Aftësia perceptuese e tyre është e lodhur dhe përpjekjet e tua nuk do të kishin vlerë.
Ky mësim i ashpër, ka ardhur si përfundim nga unë, duke bërë pikërisht të kundërtën e asaj, që sapo pohova. I kam ndarë gjithmonë gjërat e mia me të tjerët. Kur përjetoj diçka të madhe, është po kaq mirë, mendoj, që unë ta ndaj gëzimin tim me të tjerët. Kështu, pa u çuditur, kjo aplikohet në çdo aspekt të jetës sime. Kur gjeta atë, që e mendoj si mënyrën e të jetuarit dhe të menduarit të shëndetshme, normale e funksionale, unë fillova të besoj se edhe të tjerët do mund të përfitonin nga i njëjti ndriçim i mendjes. Unë dua të ndihmoj, dua të shëroj. Dua të hap sytë dhe veshët për më të mirën. Por, diku gjatë rrugës kam mësuar se çfarë funksionon për mua, është për suksesin tim personal. Ne na janë dhënë shumë rrugë në jetë.
Një shoqëri ka nevojë për larmishmëri. Ajo ka nevojë për pozicione sfide dhe kundërshtie. Ka nevojë për individë që i rezistojnë normave. Por, një shoqëri nuk përparon në mënyrë të shëndetshme, nëse qëllimi pas shmangies, nuk është i pastër. Nëse qëllimi i dikujt është për vetë-kënaqësi dhe lavdi, atëherë efekti gurgullues i vendimeve të tilla, bëhet shkatërrues.
Kur një shoqëri fillon të krahasojë dhe analizojë në mënyrë të gabuar se çfarë funksionon për ta, në krahasim me dikë tjetër, në shumicën e kohës kjo rezulton duke humbur vetëveten. Kur nuk e zotëron me vetëdije individualitetin tënd, është e lehtë të biesh viktim e asaj, çfarë bota do që të jeni ju. Ju ndiqni shumicën dhe humbisni shikimin e gjeniut krijues, që drejton këtë botë. Gjëja më e mirë për të bërë për veten dhe integritetin tuaj, është të mbeteni të pacënuar në atë që ndihet thelbësisht e drejtë dhe jo të sundoheni nga egoja.
Marinaj: Në eksperiencën tuaj si shkrimtare, cila është natyra e vërtetë e realitetit? Është ajo moniste apo pluraliste? Nëse logjika na thotë se është ajo moniste, ndërsa shqisat tona na thonë se është ajo pluraliste, cilën do të na këshillonit ju, që ta besojmë?
Moore: Unë do të merrja një pozicion disi individual mbi këtë temë. Besoj se realiteti i një personi është i individualizuar. Besoj se nuk kam juridiksion apo të drejtë për të përcaktuar se çfarë duhet të besojë dikush tjetër. Unë mendoj se kjo është e drejtë e vullnetit të lirë. Ne zgjedhim për të ndjekur rrugët tona. Me të thënë këtë, ne fitojmë njohuri për të bërë një thirrje të tillë, duke përdorur intelektin dhe shqisat tona për të zhvilluar një mënyrë të të menduarit, që ne e mbajmë për të vërtetë. Që nga fëmijëria, besoj që ne jemi duke mbledhur vazhdimisht informacion, që do të na sigurojë një perspektivë përfundimtare, me të cilën ne shikojmë botën. Për rrjedhojë, unë nuk besoj se është thjesht vetëm ajo me të cilën jemi ndeshur, që përcakton botëkuptimin tonë. Është natyra përfundimtare përkundër debatit të rritjes – unë besoj se kemi lindur me shqisa të natyrshme, një prej të cilave, për disa njerëz, është aftësia e tyre për të besuar diçka, pa e parë.
E di se ka një fuqi të lartë përfundimtare. Besoj në forcat universale dhe gravitacionale, që të shtyjnë drejt madhështisë. Besoj se ka vetëm një burim jete, por e pranoj gjithashtu, që nga ai burim na është dhënë mundësia për të mbledhur informacion dhe për të formuluar besimin tonë, përmes mekanizmave të ndryshëm. E di se ka dukuri të panumërta në në jetën time, për të cilat nuk kam një shpjegim të besueshëm e të thjeshtë, që të mund t’i kthehem. Në eksperiencën time, gjenden metoda të ndryshme, që i atribuohen çdo rrethane të dhënë. Unë marr një pozicion pluralist në fund të ditës.
Shembulli më i fuqishëm që mbështet këndvështrimin tim, është shkrimi im. Ky nuk është logjik apo një-dimensional. Ai rrjedh lirshëm, pa ndonjë objektiv të veçantë. Është thjeshtë diçka që unë e ndiej. Ai çlirohet nga shpirti im. Dhe sigurisht, unë shkruaj me larmishmëri, sepse jam e ndikuar nga natyra dhe mjediset e mia.
Do të këshilloja secilin, të besojë në atë që ndjen. Se kur ata mbyllin sytë dhe ulen në qetësi, intensiteti i shpirtit të tyre, do të flasë. Nëse lutjet tuaja bëhen më të matura e shpirtërore, do të dëgjoni gjëra, që kurrë nuk i kishit pritur më parë. Unë dëgjoj Zotin, por gjithashtu dëgjoj, shikoj, nuhas, shijoj – dhe më e rëndësishmja, unë ndjej – gjërat rreth meje, që më bëjnë të besoj. Atje është zemra, koka dhe qielli. Nuk mund ta shpjegoj në tërësinë e saj. Thjeshtë e di, që kur vendos logjikën në buzë të rrugës dhe mbyll sytë, unë mund të shikoj akoma.
Marinaj: Me këtë në mendje, a mendon se ne kemi diçka, si një shpirt të pavdekshëm brenda vetes?
Moore: Absolutisht. Besoj se ne mund të jemi çdo gjë, por jo anije të mëdha e të zbrazëta, që navigojmë rrugën tonë përgjatë tokës. Unë besoj me gjithë zemër, se ne drejtohemi nga një burim fuqie brenda vetes. Ne jemi shprirtra që ecim.
Shpirti për mua është aftësia për të kërkuar dhe për të mbledhur. Ai ushqehet nga pozitiviteti dhe pastërtia. Ai na mban ne, për të mos u dorëzuar. Ai forcon ndjesinë tonë të vetvetes. Kërkon vëmendje. Na e bën realitetin tonë me më pak re. Ai është kompasi jonë personal dhe harta drejt madhështisë. Ai është një mik i ngujuar brenda qënies sonë.
Mendoj se çdo person ka besimet e tij individuale, të cilat unë nuk mund, dhe nuk do t’i mohoj, apo diskutoj. Unë nuk jam gjykatëse, të gjykoj se çfarë është e mirë përkundër së keqes, por besoj se jemi të gjithë qënie që drejtohemi. Ndonjëherë, katalizatori për lëvizje dhe admirim është spiritualiteti vetëmohues; ndonjëherë kjo është edhe sëmundja e varësisë. Por, unë besoj që natyra jonë do të lëvizë në drejtim të motivimit tonë.
Qëllimi im është të krijoj rrethana për të cilat, çdo person që do kem fatin ta takoj, të ketë aftësinë që të shikojë mundësitë që ka. Unë dua të krijoj një lëvizje, që rrjedh në drejtim të pozitivitetit dhe të vetë-fuqisë. Dua që shpirtrat të kërcejnë në madhështi, jo të digjen nga faji dhe dyshimi. Në fund, është teoria ime konstante personale mbi njohjen – drita brenda meje, a do e ndriçojë dritën brenda jush?
Unë besoj se kur të kem ikur nga kjo botë, emri im do të harrohet. Do të kalojnë disa vite e unë do të bëhem një kujtim i vakët, ose ndoshta asgjë fare. Jam e ndërgjegjshme, që me përjashtim të pak individëve të zgjedhur, ky është realteti. Gjithashtu e besoj se ka një përjashtim nga ky rregull. Mënyra që unë zgjedh për të jetuar jetën time – traditat që rrënjos, fjalët që flas, zjarri që ndez tek një tjetër – kjo jeton. Dhe kjo shpërndahet. Kjo bëhet një testament i pavdekshëm, i qëndrueshëm për ju, shumë kohë, pasi fiziku i trupit tuaj është shuar. Kjo është puna e shpirtit. Të marr një pjesë të së mirës sime me vete, kur të shkoj dhe të lë pas shumë më tepër. Kjo ndryshon nga spiritualiteti; kjo është lëvizja dhe transferimi i fuqisë së një qënieje njerëzore tek një tjetër qënie njerëzore. Sepse asnjëherë ju nuk mund ta dini, se sa larg do të shkojë efekti gurgullues i vendimeve tuaja.
Marinaj: Do të më pëlqente ta mbyllja këtë intervistë me ju me një pyetje rreth bukurisë. Por më parë, çfarë mendoni se është ajo, që e bën dikë, një person të mirë? Çfarë është kjo e mirë?
Moore: Për mua, të qënit një person i mirë nënkupton aftësinë për të zotëruar vetveten. Mendoj se njerëzit me më shumë influencë, që konsiderohen të shquar, e kanë këtë aftësi të lindur, për të mbetur të paprekur në qënien e tyre, pavarësisht rrethanave. Kjo tingëllon si detyrë relativisht e lehtë, por unë e shoh këtë në lidhje me natyrën korruptuese të shoqërisë, më pak se sa individët inkurajues dhe influenca të tjera të jashtme, bëhet më e lehtë të futet në qënien tonë, ajo çfarë të tjerët duan për ne.
Njerëzit që unë i konsideroj të mirë nuk janë të lirë nga gabimi. Ata thjesht bëjnë gabime, i pranojnë të metat e tyre dhe lëvizin në atë mënyrë, që inkurajon rritjen. Më e rëndësishmja, ata e bëjnë këtë me një ndjenjë përulësie. Një person i mirë për mua ka mungesë egoje të panevojshme, nuk bën gjykime të nxituara, i qëndron me vërtetësi karakterit të vet, dhe përpiqet të jetë i pranishëm.
Disa nga momentet më të mëdha të ndërtimit të karakterit në jetën time kanë rezultuar nga rastet kur unë jam shtyrë jashtë zonës sime të rehatisë. E thënë me siguri, kjo gjë nuk më ka pëlqyer gjithmonë – dhe përsëri, shpeshherë, kjo gjë nuk më pëlqen. Por, kur detyrohesh të sfidosh, ti ke mundësinë për të parë nëse shpirti juaj ka lindur për t’u fundosur apo për të notuar. Kam bërë shumë prova në pishinën e fëmijëve, por tani notoj lirshëm në fundin e thellë të larmishmërisë, sikletit dhe pakënaqësisë. Këtu mësova të harlisem në ndjesinë për veten, dhe e di se për aq kohë sa marr vendime të ndërgjegjshme për përmirësimin e vetes dhe të atyre rreth meje, unë e kam bërë mirë e siç duhet detyrën për aftësinë time të dhënë nga Zoti.
Marinaj: Si vajzë e bukur që jeni, a mund të na tregoni, nëse në dëshirat tona erotike, ka ndonjë dëshrë të egër për ndonjë gjë më përfundimtare, se sa bukuritë e kësaj bote?
Moore: Do i përgjigjem kësaj me një po optimiste. E thënë thjeshtë, bukuria kalon. Ajo zbehet. Kjo është e pashmangshme. Dhe kur mbulesa vihet mbi mrekullitë e bukura të kësaj bote, është më mirë të kesh diçka për të hedhur krahëve.
E kuptoj plotësisht iluzionin. E kuptoj që faqet e revistave kujdesen për individët më të bukur të botës. E kuptoj statusin që ke pas makinave të këndshme dhe shtëpive të mëdha. E kuptoj simbolikën dhe lakminë që vjen nga një unazë e madhe. Por, kuptoj gjithashtu dhe këtë – bukuria zbehet, makinat prishen, shtëpitë digjen dhe stolitë nuk vlejnë asgjë, nëse martesa juaj zgjidhet nga pabesia. E thënë thjeshtë, unë jam e ndërgjegjshme, që të gjitha këto janë të përkohshme.
Unë mendoj se ekziston një dëshirë e madhe thelbësore, bazë, tek çdo person që ndodhet mbi këtë tokë – pavarësisht racës, kulturës, fesë, apo ndonjë diversiteti tjetër. Unë besoj se ne thjeshtë duam të pranohemi. Në themelet tona, ne jemi specie kafshërore, primitive që harlisemi në grupe pranimi dhe shoqërore. Mendoj se çdo person mbi tokë, ka nevojë të jetë dëshmitar për një tjetër. Ne duam vetëm që të vërehemi, të biem në sy.
Megjithatë, mënyrat me të cilat dikush dëshiron të tërheqi vëmendjen apo t’i kushtojë vëmendje dikujt tjetër, shpesh manifesohen duke përfituar prej bukurisë. Shoqëria ka ngulitur nevojën për “më tepër” në psikikën tonë. Më e madhe, është më e mirë. Mos ndalo derisa të marrësh mjaftueshëm. Por, kush e përcakton kufirin, kur mjaft është mjaft? Pas të gjithave, karakteri nuk blihet me para.
Pasi gjatë gjithë jetës sime jam shpërblyer me komplimentin e këndshëm, të quhem e bukur, kam ndjerë edhe presionin, që vjen pas kësaj. Ndjej një dozë të madhe përgjegjësie dhe pritshmërie. Jam në borxh me identitetin dhe klasifikimin e bukurisë shoqërore. Sidoqoftë, kam mësuar gjithashtu se vlerat e mia nuk mund të ndërtohen, nëse xhinset e mia më rrinë rehatshëm në ndonjë ditë të caktuar. Nëse mbështetem plotësisht te komplimentet për të rritur vlerat e mia, unë do të jetoja një jetë krejtësisht të izoluar. Jam fort e vetëdijshme, që kjo do të zbehet një ditë. Dhe kur kjo të ndodhë, shpresoj që dikush të komplimentojë intelektin, forcën, diturinë dhe mençurinë time – se këto nuk zbehen nga rrudhat.
Bukuritë e kësaj bote janë të përkohshme. Ato sjellin kënaqësi momentale. Ato nuk zgjasin. Kështu, besoj se dëshira e madhe themelore dhe e vërtetë për të gjithë ne, mbetet ideja e dëshirës për të qenë të pranuar. Disa njerëz përdorin mjete të jashtme, për t’u ndjerë të përfshirë, disa mbështeten te integriteti, lutjet dhe virtyti. Por në fund, besoj se të gjithë kemi një dëshirë të madhe për diçka të përbashkët – për t’u parë në tërësinë tonë.
Përktheu nga anglishtja: Brunilda Liko
—-
1) Gjykimi Mock është një akt imitimi i gjyqit, që simulon një gjykim të shkallës së parë.