Një shekull pavarësi dhe Shakira

0
36

Nga Artan Mullaj, 13 Mars 2012

Emocionuese të kesh një yll nëpër këmbë! Si një “supernovë” në shpërthim, në krah të kryeministrit shqiptar këtë herë nuk do të jetë Çiljeta provokuese. Në festën e radhës nuk do të jetë në tribunë as e ardhmja femërore dhe muzikore e Partisë Demokratike, Greta Koçi.

Këtë herë pranë Berishës do të jetë fenomeni botëror që quhet Shakirë.

Shakira do të këndojë në ditën e 100-të të pavarësisë së Shqipërisë. Me këmbë të zbuluara, me flokët ngjyrë ari, me zërin dhe trupin drithërues, ajo do të shpenzojë frymën e saj për të ndezur frymën e festës që pritet të lumturojë shqiptarët. Prania e Shakirës do të thotë se kemi vendosur të paguajmë shtrenjtë kënaqësinë që ajo do t’i shtojë “superpavarësisë”. Luks i shtrenjtë aq sa vetiu lind pyetja: Kujt do t’i besohet regjia e vështirë? Si do të përshtatet ngazëllimi bjeshkor i pushtetarit me tundjen marramendëse të së pasmes elegante të këngëtares së madhe? Do të mbajë ky një fjalim, shumë i prekur që, mbas 100 vjetësh jemi ende të pavarur, apo do të këndojë e para ajo, shalëjashtë, gjoksjashtë, me këmbët e bronxuara në Karaibe, dhe vithet e fryra, me ose pa silikon, e më pas do të shpërthejë ai? Kush do të performojë në fillim, muzika e Shakirës apo politika e Berishës?

Turma e të mbledhurve, a do ta shqyejë me britma fytin gjigand, ndërsa eksitimi, marrëzia, dashuria, urrejtja apo kushedi ç’lloj ndjesie tjetër, mbështjellë si tornado do të krijojnë magji në tribunë? Saliu dhe Shakira, a do ta bekojnë të dy, njëherësh, ditën e madhe? Apo veç e veç? Kushedi! Vështirë të fantazosh portretin e kryeministrit atë ditë, dorë për dore me yllin botëror, në mitingun e përbindshëm të pavarësisë shekullore. Mbase, si kurrë ndonjëherë, do të qëllojë drejt e në zemër pesimizmin e njerëzve me një fjalim planetar!

(“100 vjet pavarësi, 100 vjet vetmi, por jo 100 vjet krenari! Krenari për çfarë???????????)

Sytë e kuq nga pagjumësia e natës së shkuar, por të përlotur nga mallëngjimi i turmës, zëri i çjerrë nga provat e javës së fundit, me një notë të jashtë-pentagramtë, një emocion i shenjtë pranë bjondinës hyjnore, dhe në fund një shpërthim i tij i njohur, ekzaltik, ekzotik, ekrokurocentrik … Kështu do të ndodhë. Si do ta menaxhojë regjia shpërthimin e paralajmëruar të Saliut dhe hutimin e Shakirës njëherësh? Këtë nuk mund ta dimë, por dimë që do të jetë një punë e vështirë.

* * *

Nervozizmi me të cilin stafi i Berishs po punon të krijojë frymën e festës së Pavarësisë, e bën këtë përvjetor të çuditshëm. Nervozizmi u duk qysh kur, si rrufe në qiell të pastër, u hodh papritur ideja e prishjes së Piramidës, për t’u ndërtuar mbi rrënojat e saj një ndërtesë e re për kuvendin e vjetër. Nuk është e qartë se përse mazhoranca u tërhoq nga projekti i parë, ashtu si nuk dihet nëse kjo tërheqje nga shkatërrimi është ose jo e përkohshme. Mes sinosuidash psikike, edhe të pushtetshmit kanë nazet e tyre, që shpesh janë një hap larg marëzisë. Mazhoranca e Berishës hoqi dorë nga zakoni i mjerë i të bërit dhurata vetvetes. E la mënjanë si një monument të harruar idenë për ndërtimin e ndërtesës së re 100 milionëshe të kuvendit, ndërsa e zëvendësoi atë me një ide tjetër: Krijimin e frymës.

Gjithë mekanizmi shtetëror është vënë në lëvizje. E parë qashtër, krijimi i frymës së festës, tej përmasës logjike, duket sikur po sjell rritjen e inflacionit të saj. Në një vend ku më shumë se kurrë dhe më shumë se kudo është e nevojshme bërja e një marrëveshje kolektive për të perceptuar lirinë, për shkak se liria është e paqartë, shpesh edhe e cenuar, jehona e një përvjetori pavarësie, pavarësisht zhurmës së madhe që bëhet, nuk mund të mbërrijë veçse e mekët në veshët e qytetarëve.

Dhe sa më shumë pushteti, për të fshehur kualitetin e ulët të lirisë dhe demokracisë në vendin e tij, i ngre kult pavarësisë, në një përvjetor të saj, aq më shumë jehona e saj shkon drejt vetëshuarjes. Njeriut shqiptar të këtij shekulli i kërkohet të shkrihet dhe të festojë pavarësinë, ndërsa ka të cunguar lirinë dhe të drejtat e tij. Ashtu si në legjendat me mbretër e monarki, ku koncepti i pavarësisë dhe lirisë kacafyten njëra me tjetrën, në Shqipëri përkufizimi i tyre është i paqartë. Dhe do të jetë i paqartë për sa kohë, në vend që të qeveriset, ky vend do të vazhdojë të sundohet. A mjafton pavarësia në një vend ku të drejtat e njeriut shkelen me këmbë? Sigurisht që jo. Pyetje naive, përgjigje e thjeshtë. Në botë ka mjaft vende ku ende sundojnë diktaturat dhe që janë të pavarura.

E tillë ka qenë edhe Shqipëria në kohën e komunizmit, por ç’rëndësi dhe ç’vlerë kish pavarësia e saj kur njerëzit nuk ishin të lirë nën diktaturën e egër. Sot, të gjithë nuk meditojnë më për shkallëzimin e fatit në një vend ku problemet, për shkak të cenimit të lirisë, janë si vargmalet. Çështja e lirisë së individit është çështje e të drejtave themelore, që shqiptarët sot nuk i kanë. A mund të gëzosh të drejtat e tua e për rrjedhojë të ndihesh i lirë, në një vend ku nuk ka barazi për të gjithë dhe konkurrencë të ndershme. Ku sundojnë monopolet? Ku shteti është një mekanizëm privat në duart e pushtetit. A mund të jesh i lirë në një vend që nuk ka mundur kurrë të zhvillojë zgjedhje të ndershme? A mund të jesh i lirë në një vend ku lulëzon korrupsioni në të gjitha majat dhe pllajat e shtetit?

Jo! A mund të ndihesh i lirë në një vend ku qeveria kontrollon dhe mbështet bizneset pranë saj duke shkatërruar të tjerët? Kontrollon mediat pranë saj për të fshirë të tjerat? Sigurisht që jo. A mund të ndihesh i lirë në kujën e krizës, kur ekonomia e vendit tënd ka marrë rrokullimën dhe kryeministri shpërfill Gjermaninë, ekonominë e së cilës e sfidon çdokaq me deklarata? A mund të ndihesh mirë dhe i lirë kur je i pa punë dhe kur shpresë nuk gjeneron për askënd ky vend i pavarur?

Asnjëherë!

Një vend që nuk ka liri, drejtësi, ekonomi, krenari edhe shpresë, përgatitet megjithatë këtë vit të festojë me madhështi kontinentale pavarësinë, për 100-vjetor. Po krijohet fasada që do të fshehë mjerimin kombëtar në ditën shekullore të pavarësisë kombëtare. Pushteti po synon të mbulojë me flamurin kuq e zi të zezat që i ka sjellë këtij vendi, me ngjarje të zeza, në data të zeza. Duke e përdorur në këtë mënyrë pavarësinë, po e nxin edhe atë!