Dy Berishë në shërbim të vartëseve

0
38

Elsa Demo

Dy ditë para 8 Marsit, gruaja e kryeministrit, Liri Berisha e cila drejton një fondacion bamirësie, (ndër të tjera, madje ky është funksioni publik që i njihet zonjës në këto vite që i shoqi drejton qeverinë), fton rreth 30 aktore të ekranit.

Pavijoni i artit klasik të Galerisë Kombëtare, – ku mendohet të ruhet një distancë e vizitorit me vepra të tetëqind-nëntëqindës, – tejmbushet. Xhupat e palltot fërkohen pas Vangjush Mio-ve. Parfumet zënë të dekompozohen në erën e kotëletave, salcave, djathërave që presin mbi trapez në pavijonin e artit të realizmit socialist. Aty ku zakonisht rri varur portreti i Motër Tones është vendosur një ekran.

Në copa filmash të Kinostudios shfaqen portrete që herë ngjajnë e herë jo me të aktoreve të ftuara. Homazhi është edhe për ato që s’janë këtu, sepse s’jetojnë. Sikurse ka aktore si Liza Laska e Hajrie Rondo që vijnë nga anë e anës së jugut. Këtu thuhet se personazhet e tyre përfaqësojë gruan shqiptare. Filmi, ky dokument, tregon: Violeta Manushi, zonja nga Korça bëhet shoqe në kooperativën e Manzës; Dhorkë Orgocka, gruaja fjalëshumë që i mëkon një çuni dashurinë për fshatin socialist; Vitore Nino, halla që del kundër zakoneve prapanike dhe mbështet dashurinë e një çifti të lumtur; Marta Burda hesht; Esma Agolli gjithashtu hesht, por e dimë që kur shfaqet në ato pak role, ajo është spiunia ose në shërbim të gjermanëve ose të agjenturave të huaja imperialiste; Marie Logoreci dhe reforma agrare si front i Tuç Makut kundër Lokes; Melpomeni Çobani ua mbledh pasagjerëve në autobusin e linjës; Marika Kallamata, fallxhorja e bodrumeve mikroborgjeze lexon: Nga dama maç te asi i zi, nga asi i zi te dama maç; Antoneta Papapavli, borgjezka e orëve të fundit që për të jetuar këmben me misër kremrat e trupit dhe çizmet e gjahu të të shoqit; Elida Janushi një herë traktoristja, një herë mësuesja që vuan sa e kthen në rrugë të mbarë një nxënës po edhe prindin e tij; Tinka Kurti, nëna heroinë që u mohon fashistëve birin e vet për të shpëtuar një çetë partizane; Drita Haxhiraj ruan shkruesit e parrullave antifashiste; Edi Luarasi shkon krenare drejt litarit të nazistëve; Marjeta Ljarja, – plagët e torturave të Luarasit zhvendosen me përpikmëri në të njëjtat skaje anatomike, buzë, ballë, vetull, zemër të vajzës me kordele të kuqe, e cila edhe ajo shkon krenare drejt togës fashiste të pushkatimit; përjashtim bën Rajmonda Bulku e cila çan rrethimin e maskuar nuse.

Me maskën e secilës prej këtyre personazheve këto zonja qarkullojnë nëpër kohë e nëpër vende, nëpër festa, ekrane e rrugë, si mbi një qilim fluturues.

Zonja Berisha del tani në disa konkluzione. “Tek shikoja kolazhin e përgatitur nga Drejtoria e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ndjeva nostalgji, borxh, dhimbje e krenari, respekt, dashuri e mirënjohje për atë plejadë të artistëve që sot nuk jetojnë. Ju, artistët, jeni aristokratët e shpirtit të një vendi. Meritoni respekt, dashuri e mirënjohje pa fund. Me rolet dhe personazhet, me përkushtimin tuaj, ju përcollët shumë vlera duke u bëtë modeli i gruas guximtare e përparimtare që theu tabu e barriera të kohës, duke u bërë pjesa më aktive e emancipimit dhe zhvillimit të Shqipërisë”.

Këto konkluzione ajo i ka sjell me vete. E për t’i bërë konkrete këto konkluzione vërtet të guximshme të Liri Berishës ajo nxjerr nga çanta dhuratat e rastit: një gur xhami të skalitur ku është ngjitur fotoja e profilit të një personazhi për secilën aktore; një libër dhe një telefon që gratë të mos i humbin lidhjet.

Roza Anganosti është e emocionuar si asnjëherë, Margarita Xhepa jo më pak dhe në shenjë mirënjohje vizaton si me dorë një imazh monstruoz të gruas me poezinë “Nëna ime ka shtatë zemra”, Drita Pelinku thotë se është e prekur nga vlerësimi i këtij lloji që iu bëhet për herë të parë. Për herë të parë?

Hajrie Rondo e merr e fundit fjalën burrërishte e përshëndet servilishte ato fjalë të arta, ato fjalë të magjishme e si të kadifenjta të zonjës së madhe, zonjës fisnike, Liri Berisha dhe me një poezi sqaron pozitën e saj femërore në shtëpi dhe në luftën kundër së keqes. Hajrie Rondo, tregon se si një ditë pasi pashë një film argjentinas ku protagonistja i kapërcente vështirësitë në heshtje, me krenari, duke shfaqur gjërat më të bukura të gruas, hodha disa vargje të thjeshta në bllokun tim:

Kur dikush shpirtin keqas ma trazon,

s’bie në trishtim e të vajtoj,

tek unë botë e bukur rebelohet

të keqen keqas e sfidoj.

Atë ditë nuk qaj po këndoj,

në dhomën time shkruaj poezi,

nën këngën hyjnore të Demis Rusos,

me burrin tim bëj dashuri.

Atë ditë frizurën e flokëve ndryshoj

Atë ditë kostumin më të bukur vesh

Atë ditë e qeshura ime harbohet

Të keqen keqas e përqeeeeeesh.

Çfarë ka urdhra e diploma, nga Nderi i Kombit te Mjeshtër i Madh, presidenti i republikës ua ka dhënë artisteve, çfarë ka pensione speciale edhe ato kryeministri ua ka dhënë, çfarë ka datëlindje e datëvdekjeje Arkivat e Teatrot ua kanë kushtuar, çfarë ka çmime në qarkullim ua kanë atribuar pa kursim. Është nevoja atëherë e këtij servilizmi graror? Nëse kontributi i aktoreve ka qenë i plotë, ka emancipuar shoqërinë shqiptare e paska thyer tabu, duhet kjo farsë e varësisë politike? Artiste që folën dje me kokë të atij shteti, e varin kryen në prehrin e këtij shteti?

Sa për politikën, jo vetëm në këtë rast, ajo ndjen nevojën të ngrejë alibi me vlera të së shkuarës, më shumë se për një status quo.

U bë kohë që festat kombëtare – ndërkombëtare kryeministri i feston me të vetët: zonja Topalli, zotërinjtë ministra, administratorë politikë dhe grupet e interesit. Në këtë rreth palët flasin me një gjuhë që e mirëkuptojnë në ajër. Si më 8 Mars, në ditën e gruas, në Pallatin e Kongreseve ku qindra mijë gra përbëjnë grupin e interesit të kryeministrit. Turma e elektrizuar e rreshtave të parë, nuk ka nevojë të dëgjojë ç’thotë njeriu politik. Turma përbëhet nga gra të administratës publike në Tiranë, nga rrogëtare të shtetit që kanë ardhur nga rrethet. Ngarkesa e tyre emocionale del jashtë kontrollit. Ovacioni i tyre provokohet lehtë. Disa gra të bëshme me qëndrim burri krijojnë një hinkë me duart te goja dhe u komandojnë sloganet “Berisha, Berisha!”, “Rroftë Berisha!”. Vetëdija e grave për të perceptuar fjalët e kryeministrit është zero.

Kryeministri feston me gratë dhe flet sikur nuk e qeveris këtë vend. Së pari lojën me sikur e hap kryetarja e parlamentit. Ajo flet për frymëzim nga modelet e Teutës, Rozafës, Nënë Terezës, ajo flet sikur pushtuesi i fundit të ketë ikur dje nga Ura e Bunës, sikur këto gra që ajo i shikon tani nga lart poshtë qenkëshin ngritur dy dekada më parë, në emër të lirisë, si barrikadat më fisnike kundër regjimit, sikur këto gra po vazhdojnë të ndërtojnë këtë mrekulli të lirisë, me gjysmën tjetër, natyrisht, e që përfaqësohet denjësisht këtu nga zoti kryeministër, sikur këto gra thonë atë që mendojnë dhe bëjnë atë që besojnë.

Nën ritmet e këngës “Hero” ngjitet në skenë përfaqësuesi i gjysmës tjetër, kryeministri Sali Berisha. Ai shpreh nderim më të madh së pari para bashkëshortes së tij, së dyti para të gjitha vajza e grave me të cilat ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon, së treti ndaj gruas shqiptare në përgjithësi, si arkitektja e identitet tonë kombëtar, një komb ndër më lashtit në planet.

Ç’është gruaja shqiptare për kryeministrin? Është elita e kombit, histori e vërtetë suksesi në parlament, në qeveri, në administratë, është kontribuese në reformat e transformimit të vendit, në drejtim të biznesit, me zë magjik artistik, frymëzuese në shkencë, në biznes, në botën akademike. Kryeministri nuk ndalet të citojë statistika për arritjet e qeverisë në barazinë gjinore, pa çka se muri i patriarkisë, është mur, mur, mur, muri i ngritur në mijëra e mijëra vite në çdo vend, e aq më shumë në Shqipëri, që përbën dhunuesin kryesor të lirive dhe të të drejtave të vajzave tona. Kryeministri bën sikur është i sinqertë dhe po kthehet tek pika që i pikon kësaj turme: “Ju duhet të angazhoheni, në një betejë të madhe, historike, sepse është ky mur që duhet rrëzuar, muri i diskriminimit, që ndan shoqërinë tonë të pabarabartë.”

Ai është i bindur që gruaja shqiptare do ta nisë edhe këtë revolucion meqë ia ka marrë dorën revolucioneve. Kryeministri thotë se kjo grua që ka përballë ishte faktor vendimtar i ndryshimeve në Shqipëri e Kosovë, se ishin qindra mijë vajza e gra shqiptare që në vitet nëntëdhjetë me guximin e tyre, me virtytin e tyre ishin të parat, ishin faktor kryesor që u vërsulën për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që Evropa kishte njohur në tërë historinë e saj. E natyrshme. Sepse kryeministri Berisha paraqitet si udhëheqës i revolucionit antikomunist në Shqipëri.

Të brohorasësh këto atribute që kryeministri i bën gruas shqiptare është njëlloj sikur të mos kesh ekzistuar kurrë, në asnjë cep të shtëpisë tënde private po as edhe të historisë.

Një turmë e varur është kërcënim edhe për atë pjesë që jeton jashtë këtij rrethi hipnoze, atë pjesë që nuk do ta ndjejë veten të përfaqësuar nga eprorë që sillen në një ditë të vitit si shërbyes të vartëseve; dhe këto, vartëset, që përkëdhelen si shembulli i qytetares, bien në pozitën e shërbyeseve të vërteta.