Natyra dhe opozita, ose natyra e opozitës shqiptare

0
42

Mark Marku

Mark Marku, 08.01.2010

Këto ditë, kur vendi ka qenë dhe vazhdon të jetë nën kërcënimin e një katastrofe natyrore, janë vënë në provë jo vetëm aftësia dhe kapacitetit i qeverisë për të menaxhuar një situatë emergjence nga më të rëndat në historinë e shtetit shqiptar, por edhe përgjegjësia dhe gatishmëria e opozitës për të bashkëpunuar në tejkalimin e një situate të tillë të vështirë. Fatkeqësisht, opozita ka qenë një problem më tepër në këtë situatë. Deklaratat e ardhura prej saj kanë qenë po aq zhgënjyese sa edhe lajmet sinoptike. Pjesa më e madhe e deklaratave të bëra nga eksponentë të saj kanë ndikuar në çmobilizimin e popullsisë, në keqinformimin e saj dhe madje disa prej tyre kanë synuar të krijojnë panik e pështjellim te banorët.

Edhe dje pasdite, kur Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste, doli në konferencë shtypi për të shfaqur solidaritetin me banorët e prekur nga përmbytjet, ai nuk ngurroi të vazhdonte misionin e tij demobilizues në këtë situatë, duke u përpjekur të nxiste mosbesimin e popullsisë te strukturat që po merren me menaxhimin e situatës dhe që po bëjnë gjithë çfarë mund të bëhet brenda kapaciteteve njerëzore për përballimin e gjendjes. Paradoksale në gjithçka, opozita kërkoi dje edhe dorëheqjen e ministrit të dikasterit që merret direkt me administrimin e situatës energjetike në vend, Dritan Priftit. Mendoni se ç’mund të ndodhte sikur vërtetë të bëhej ajo që kërkon opozita, domethënë, që në këto kushte të merreshim me emërime dhe shkarkime ministrash.

Një opozitë normale do të funksiononte krejt ndryshe: do të pushonte luftën politike deri në kapërcimin e krizës, do të ofronte mbështetjen dhe ndihmën e vet në kapërcimin e situatës, do të dëshmonte para shqiptarëve se përulet para jetës dhe sigurisë së tyre. Të paktën kështu do të duhej të vepronte, deri në momentin kur rreziku të ishte kapërcyer. Sepse kështu ka vepruar opozita demokrate në SHBA, me rastin e përmbytjeve në Florida, kështu ka vepruar po kjo opozitë me rastin e atentatit terrorist ndaj kullave binjake, kështu veproi opozita e majtë italiane me rastin e tërmetit të fundit. Çdo opozitë e përgjegjshme do të ofronte gjithë kapacitetet e veta njerëzore dhe intelektuale për përballimin e situatës. Partia e Edi Ramës përkundrazi ofron deklaratat irrituese, demobilizuese dhe panikndjellëse të personazheve të veta më antipatike.

Natyrisht një gjë e tillë tregon jo vetëm papërgjeshmërinë, por edhe paaftësinë e kësaj force politike e madje natyrën johumane të të bërit politikë. E paaftë për të bërë një ofertë politike dinjitoze për elektoratin shqiptar, ajo e ka mbështetur fatin e ardhjes në pushtet te fatkeqësitë natyrore dhe aksidentet. Nuk është e vështirë të mos vihet re njëfarë keqardhje në sjelljet e opozitës për faktin se maxhoranca dhe strukturat qeverisëse po tregohen jashtëzakonisht efikase në menaxhimin e situatës. Edhe pse falë këtij efikasiteti është bërë e mundur që të shmangen deri në këtë moment viktimat në njerëz dhe të minimizohen aq sa ç’mund të minimizohen dëmet e pasurisë së qytetarëve.

Situatat e rënda kërkojnë mobilizimin e të gjitha strukturave qeveritare dhe politike dhe për këtë arsye e bëjnë të domosdoshme ndryshimin e sjelljeve të secilit. Këto situata madje kërkojnë edhe një etikë tjetër të mediave. Është parim i njohur tashmë në sistemin e mediave botërore, që gazetarët duhet të bëjnë shumë kujdes në raportimin e katastrofave dhe në publikimin e të dhënave, pasi nëpërmjet tyre përmasat e katastrofave mund të rriten ose pakësohen. Pjesa më e mirë e mediave ka treguar sens të lartë përgjegjësie profesionale e qytetare dhe ka qenë një faktor mbështetës për përballimin e situatës. Por ka pasur edhe ndonjë media, e cila me lajmet e saj është përpjekur të përhapë panik dhe madje edhe të nxisë mosbashkëpunimin e banorëve të zonave të përmbytura me strukturat që operojnë në terren.
Situatat e rënda janë edhe provat e mëdha për shoqërinë, individët, aktorët politikë dhe mediatikë. Dhe ne jemi para një prove të tillë. Të gjithë, përfshi edhe opozitën që për momentin është bërë aleat i natyrës.