Deputetët shqiptarë sulmojnë lidershipin e Berishës si diktatorial

0
48


Deputetët e partisë së kryeministrit shqiptar kanë kritikuar drejtimin e tij duke e krahasuar mungesën e demokracisë së brendshme në parti me Byronë Politike ish-komuniste

Nga Besar Likmeta, Balkan Insight, 29 Shkurt 2012

Mark Marku, një deputet i rajonit të Lezhës, i tha të përditshmes Panorama se takimet e Partisë Demokratike në pushtet janë anormale, të krahasueshme me takimet e Byrosë Politike komuniste.

Selami Xhepa, një tjetër deputet i PD, gjithashtu doli nga linja e partisë duke bërë thirrje për konsensus në përzgjedhjen e presidentit.

“Loja demokratike në demokraci nuk presupozon se fituesi i merr të gjitha. Ajo është e bazuar në parimin e kontrollit dhe balancës,” tha Xhepa.

Berisha ka thënë vazhdimisht se presidenti i ri shqiptar do të vijë nga radhët e mazhorancës dhe se në përputhje me Kushtetutën koalicioni i tij qeverisës nuk ka nevojë të kërkojë miratimin e opozitës.

Kritikat e fundit të dy deputetëve vijnë pasi ish- zëvendëskryeministri Gazmend Oketa la demokratët për tu bashkuar me parti të re të qendrës së djathtë, që pritet të formohet në mars dhe që do drejtohet nga presidenti Bamir Topi kur ai të lërë detyrën.

Në një intervistë për Ora News, Oketa tha gjithashtu se takimet e grupit parlamentar të PD ngjasojnë me mbledhjet e Byrosë Politike, ku ish- diktatori Enver Hoxha u jepte leksione shokëve të partisë dhe ata rrinin aty në heshtje.

“Pas 20 vitesh, kur të bëhen dokumentare për politikën e sotme, siç janë bërë për Byronë Politike, nuk dua që nipërit e mi të më shohin aty,” tha Oketa.

Arion Sulo, redaktor i të përditshmes Mapo, tha se megjithëse Xhepa dhe Marku nuk janë gati për tu larguar nga partia siç ka bërë Oketa, fjalët e tyre tregojnë nivelin e pakënaqësisë me mënyrën se si Berisha e drejton partinë.

“Por ne duhet të shohim të dy anët e medaljes, për shkak se në fund të fundit janë këta deputetët që janë të pakënaqur tani që kanë lejuar të ndodhë diçka e tillë,” shton Sulo.