Le të mësojmë nga Ataturku

0
46

Dr. Simon Puta*

Treni europian i Shqipërisë nuk çan përpara nga pesha e rëndë e kushteve që duhet të plotësojë politika shqiptare si edhe nga sherret për vjedhje votash e vrasje të katër qytetarëve. Në vend që ky tren të lehtësohet nga kjo barrë e rëndë, i shtohen përditë të tjera. Lajmi për ndërtimin e një vepre të re kulti në Tiranë u dha disa ditë më parë nga kryetari i bashkisë. U dha si urdhër që nuk lejonte diskutim, por që sikur “zbutej” duke vazhduar se “do të thirren arkitektët më të mirë, për t’a projektuar”! Nuk u kërkua mendimi i përparuar intelektual nëse duhet ndërtuar kjo vepër e re kulti apo jo.

Kjo histori është përsëritur edhe vitet e kaluara kur janë dhënë lejet e ndërtimit për kishen ortodokse e katolike me te vetmin ndryshim se ndërsa dy të parat kanë kalue në heshtje, lejes për xhaminë politika po i bën jehonë mediatike (!!). Vetëm artikulimi i një nisme të tillë është turp për politikën tonë, pasi xhamija, si vepër kulti i takon komunitetit fetar përkatës të merret me të, e jo “shtetit laik”. Por politika, me sa duket, jo vetëm që nuk i kupton kufijtë e saj, por na kërkon edhe ta brohorasim si “sukses e arritje”.

Në komunikatën që jep kryetari i bashkisë z.Basha thuhet se: “duke parë nevojat e besimtarëve…” etj. Nga kjo komunikatëdelse nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga komuniteti mysliman (megjithëse një e tillë ekziston, por nuk thuhet, pasi edhe këtu rrëmbehet ideja e tjetrit). Kryetarit në fjalë i pëlqen të marë edhe rolin e të nderuarit Haxhi Hafëz Sabri Koçi, e kështu mësojmë që “haxhi hafëz” Lulit i bëkan përshtypje besimtarët që s’kanë… ku të luten!

Kryetari i Bashkisë, thotë se është njeri me kulturë e edukim perëndimor, si ka mundësi që nuk kërkon mendimin e përparuar europian për të ndërtuar një metropol modern shqiptar? Nga se ka frikë? Sa të shplarë duken ata politikanë që duan ta mbajnë pushtetin “në emër të përparimit” duke u mbështetur tek fanatizmi. Një elitë e tillë e zvarrit kombin drejt prapambetjes e injorancës e nuk na lejon të bëjmë rilindjen moderne ashtu si kombet e tjerë rreth nesh e para nesh e për të cilën kemi aq nevojë.

Le t’i lemë besimtarët të luten, komunitetet përkatëse të kujdesen për to e le të mësojmë nga vlerat perëndimore ku ne bëjmë pjesë. Por le të mësojmë edhe nga Ataturku i madh që e bëri Turqinë moderne duke e zhveshur shtetin nga islamizimi që i kishte zënë frymën e që për fat të keq na ishte imponuar edhe ne, shqiptarëve, me dhunë.

*Autori, mjek kirurg, ish-deputet i PD-së, 1992-1996