Nga Skënder Minxhozi, 25 Shkurt 2012
Politikani i njohur, ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj, i ka dhënë një intervistë revistës Java, e cila botohet nesër e plotë në numrin e saj të rradhës. Mes të tjerash, zoti Mustafaj komenton aty edhe kandidaturat që janë shfaqur deri tani për postin e kreut të shtetit. I pyetur për Nanon e Topallin, si kandidatë për kryetar shteti, Mustafaj jep këtë përgjigje:
“Nuk më duken njëra as tjetra zgjidhje e qëndrueshme. Nano u largua nga politika përmes humbjes së zgjedhjeve në qershor 2005. Mënyra si e mbajti ai përgjegjësinë para partisë së vet në radhë të parë, e mandej para kombit, përbën një kontribut më vete nga ana e tij në pjekurinë e politikës shqiptare. Në asnjë vend demokratik nuk riciklohen personalitete të tilla, pavarësisht moshës së tyre. I rikthyer si kryetar shteti, ai moralisht do të kishte tashmë ato cene që kimikisht ka një mall i ricikluar.
Nuk besoj se elitat shqiptare janë rrënuar në atë masë sa kombi të thërriste në ndihmë Nanon. Gjithsesi, jam i bindur se zgjedhja e Nanos në krye të shtetit i shërben vetëm Berishës personalisht, lidhur me zgjedhjet e vitit 2013. Por do të ishte krejtësisht në kundërshtim me interesat programore të Partisë Demokratike dhe do e dëmtonte rëndë rrezatimin moral të antarësisë demokrate mbi pjesën tjetër të shoqërisë.
Ndërsa hipoteza Topalli përputhet me tepri me kallëpin që Berisha ka tashmë për njeriun në Presidencën e Republikës. Si veteran i Partisë Demokratike do të thosha se delegimi i Topallit në krye të shtetit do i dëmtonte po ashtu rëndë interesat programore të vetë Partisë Demokratike. Nisur nga cilësitë intelektuale të Zonjës Topalli, emërimi i saj “atje lart” do të shprehte para shqiptarëve një nënvleftësim të palavdishëm nga ne, demokratët, për vetë shtetin. Por është dhe aspekti i integritetit të saj moral.
Emërimi i dhëndrrit të saj nga një ambasadë në tjetrën duke ndjekur të bijën ku shkon për të studiuar, është një simptomë shumë e rrezikshme. Fjala është për një djalosh që nuk ka asnjë lidhje me diplomacinë. Atij i jepen çelësat e një zyre të rëndësishme me një rrogë të mirë vetëm që vajza e Jozefinës të bëjë jetë studenti nëpër apartamente luksoze, të ketë veturë dhe privilegje të tjera. Për abuzime shumë më të vogla me pushtetin, Presidenti i Gjermanisë dha dorëheqjen para pak ditësh, duke i kërkuar madje ndjesë kombit pse me sjelljen e vet e kishte njollosur institucionin e kryetarit të shtetit.”
I pyetur nga Java për diplomacinë aktuale, Mustafai vë në dukje se ajo paraqet disa anomali të pakuptueshme në një sistem normal të politikës së jashtme. Duke folur daljet jashtë të krerëve të institucioneve, Mustafaj shprehet: “Vizitat e Zonjës Topalli, qoftë në Lindje e qoftë në Perëndim, nuk kanë asnjë ndikim në procesin e veprimtarisë diplomatike të shtetit tonë. Ato mendoj se thjesht tregojnë se Kryetarja ka kohë me bollëk dhe nuk ka skrupuj në përdorimin e buxhetit të Kuvendit. Në sajë të internetit, sot mund të bëhen lehtësisht krahasime me homologët e saj të vendeve të tjera.
Rasti “Topalli” është unik. Ajo që quhet diplomaci parlamentare kudo në botën e lirë e demokratike zhvillohet nga komisionet për politikë të jashtme, nga delegacionet parlamentare pranë asambleve parlamentare të organizatave ndërkombëtare si dhe grupet parlamentare të miqësisë me vendet e ndryshme. Këtu te ne të gjitha këto misione i ka marrë për vete ekskluzivisht Zonja Topalli thjesht se i pëlqen të udhëtojë, jo se e kryen dot punën e kolegëve të vet të rangut më të ulët.
Për aktivitetin e kryeministrit mendoj se arsyetimi duhet bërë ndryshe. Shqipëria ka dalë përfundimisht nga izolimi, por nuk e ka kapërcyer ende mirë “harrimin” nga pjesa më e madhe e botës për gjysmë shekulli. Rrjedhimisht, vendi ynë vazhdon të jetë në një dinamikë zgjerimi dhe intensifikimi të marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe kulturore me shumë vende të botës. Dhe më duket e natyrshme që figurat qendrore të qeverisë të zhvillojnë vizita në këto vende.
Por nuk duhet harruar se ne jemi Republikë Parlamentare, ku kryeministri ka një status shumë të ngjashëm me atë të kancelarit të Gjermani. Kjo do të thotë se udhëtimet e tij jashtë zhvillohen vetëm në rastet e rëndësisë së veçantë si dhe për të marrë pjesë në samite. Vizitat e punës kryhen doemos nga ministri i jashtëm, ai i ekonomisë, ai i kulturës dhe antarët e tjerë të kabinetit. Për t’u kthyer konkretisht te pyetja juaj: udhëtimet e Berishës drejt vendeve si ato që përmendët ju, janë shprehje e protagonizmit të tij të papërmbajtur.
Në këto vizita ai kryen zakonisht një punë që do e përmbushte më së miri një zëvendësministër. Pse nuk ka edhe në Perëndim vizita të tilla? Nuk ka sepse bisedimet rutinore me këto vende janë përmbyllur prej vitesh. Berisha nuk është në gjendje ta kuptojë vetë dëmin që i bën në radhë të parë vetes, por edhe imazhit të qeverisë kur merr vetë rrugën për të shkuar në seminarin e një dhome tregtie apo të një shoqate tjetër në Milano, në Toronto apo diku tjetër. Është në detyrën e ministrit të jashtëm t’ia bëjë të qartë.”







