Nga Mero Baze, 22 Shkurt 2012
Gjykata e Apelit hodhi dje poshtë edhe faktet e reja që provonin se Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, është përgjegjës dhe autor për vrasjen e demonstruesve më 21 janar. Kryetari i kësaj gjykate duket se ka komanduar gjithë procesin duke përjashtuar nga gjykimi dy gjyqtarë të dyshuar se mund të jenë jashtë kontrollit politik- duke i dhënë çështjen për gjykim një tresheje të njohur për shërbime politike ndaj pushtetit. Pas kësaj vendimi nuk pati surpriza duke thyer besoj çdo rekord botëror, që një i dyshuar me prova për vrasje, biles të karakterit politik, të lihet i lirë.
Ky zhvillim ka pasuar një tjetër zhvillim edhe më të rëndë që vjen nga Gjykata e Shkallës së parë, e cila në vendimin e zbardhur për këtë çështje ka rishkruar një version të panjohur të ngjarjeve në Kryeministri, të cilin nuk ka guxuar ta bëjë vetë në përçartjet e tij as kryeministri. Gjykata ka theksuar në vendimin e zbardhur se demonstruesit kanë pushtuar Kryeministrinë dhe kanë ushtruar dhunë dhe mbi Komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, i cili në fakt siç dihet ka qëlluar nga tarraca e Kryeministrisë atje ku as gurët nuk arrinin. Edhe pse Gjykata nuk ka asnjë fakt për këtë skenar që ka rishkruar për 21 Janarin, ajo thotë se është mbështetur në pamje televizive dhe në dëshmi të të pandehurve, të cilët i ka marrë të mirëqena, ndërkohë që ka hedhur poshtë hetimin e FBI dhe akuzën e ngritur nga Prokuroria, e cila ka zhvilluar një vit hetim.
Kjo është në fakt dhe tendenca më e re e gjykatave shqiptare. Në disa nga daljet e tij të fundit publike, Berisha i ka mëshuar faktit të hetimit gjyqësor si një provë e vetme për çdo akuzë të ngritur ndaj pushtetit. Ai e ka përmendur këtë fillimisht kur ka tentuar të mbrohet për çështjen e Gërdecit dhe ku i referohet mungesës së fajësisë që ka provuar gjykata për qeverinë. Por një rëndësi vendimtare ai i ka dhënë hetimit gjyqësor në rastin e gjykimit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë, ku përmes gjykatave ai ngriti një sistem të shpikjes së provës dhe pranimit të saj si rezultat dhe avancoi më tej me video-skandalin e Ilir Metës, ku iu desh të bënte të kundërtën, të ngrinte një sistem për të zhdukur provën dhe të shpallte mosekzistencën e saj.
Në rastin e fundit, atë të ngjarjeve të 21 janarit, ai ka paralajmëruar publikisht se do të jenë gjykatat ato që do të bëjnë hetimin e çështjes në mungesë të besimit që ai ka për prokurorinë. Ky është një fenomen jo vetëm i rrezikshëm, por mbi të gjitha dhe minues për sistemin e drejtësisë, pasi eliminon me një të rënë të lapsit gjithë institucionin e hetimit dhe provat e siguruara në rrugë ligjore, duke shpikur si një sistem të besueshëm një deklarim gjyqësor, i cili mbështetet në fakte rastësore, të pjesshme dhe aspak thelbësorë për procesin që është në gjykim. Përmes këtij trendi të ri, jo vetëm që prokuroria është eliminuar si pjesë e sistemit të drejtësisë, por gjykatat janë kthyer në manipulatore të historisë dhe ngjarjeve që tronditin shoqërinë.
Kështu, në rastin e Gërdecit gjykatat nuk duan të shikojnë faktin që projekti u kërkua nga Ministri Mediu për të njëjtën firmë që e mori edhe pas prapësimit të procedurës për herë të parë nga qeveria shqiptare. Nuk merret parasysh fakti që i biri i kryeministrit ka qenë personi ku raportonin ministrat për këtë projekt, siç ishte rasti i Aldo Bumçit, apo fakti që bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Rrahman Selmanllari, ka deklarata kontradiktore për lidhjet e tij me Gërdecin dhe shoqërinë dhe bënte demontimin. Gjykata ka injoruar gjithçka dhe është duke u marrë me një rutinë banale të hetimit gjyqësor, që në fund do të provojë që karrocieri i vdekur ishte fajtor.
Në rastin e 8 majit, Kolegji Zgjedhor prodhoi një sistem të ri zgjedhor, duke rishkruar Kodin dhe duke përfshirë në proces një klauzolë, e cila lejonte palën manipuluese të ofronte vota të tjera pasi humbi zgjedhjet, të gjendura sipas tyre jashtë kutive. Kolegji Zgjedhor jo vetëm që e rishkruajti Kodin dhe e prodhoi këtë mekanizëm, por dhe e miratoi atë si legjitim pasi pushteti e kreu operacionin e manipulimit.
Në rastin e video-skandalit të Ilir Metës bëri të kundërtën. Pasi prova iu dorëzua nga prokuroria dhe me ekspertizë amerikane dhe britanike, zhvlerësoi hetimin dhe ekspertët, ngriti sistemin e saj të hetimit përmes ekspertëve që është pak të thuash qesharakë, prodhoi një realitet të ri spekulativ, sipërfaqësor dhe jashtë kontekstit të zhvillimit të skandalit dhe provoi që “fakti nuk ekziston”.
Në rastin konkret po bëhet e njëjta gjë që ndodhi me Ilir Metën. Gjykata po rishkruan ngjarjet e 21 Janarit duke i zhvendosur sipas fjalorit të kryeministrit nga bulevardi në kryeministri, duke zbritur Ndrea Prendin nga tarraca nga ku ka vrarë Faik Myrtajn, në oborr të kryeministrit, duke e përleshur atë me demonstrues që i kanë nxirë syrin dhe duke hedhur poshtë ekspertizën e FBI, certifikuar nga laboratori i institucionit më të fuqishëm të hetimit në botë. Duke prodhuar këtë realitet të ri, përmes asaj që gjykata e quan hetim të sajin, ne po shkojmë drejt degradimit total të sistemit dhe humbjes së kuptimit për të kërkuar drejtësi në gjykata shqiptare.
Dhe këtu nuk bëhet më fjala për emra të përveçëm gjykatësish. Ata shihet qartë se tani nuk kanë më emra të përveçëm dhe halle personale, por janë thjesht ushtarë të Sali Berishës. Nën arrogancën e shtuar të marrjes prej tij të presidentit me çdo kusht dhe nën kërcënimin se kush nuk i është bindur këto kohë, nuk do ta ketë të gjatë në drejtësi, ne po shikojmë jo vetëm një turp të ri të drejtësisë shqiptare, por një krim të ri dhe me historitë që janë shfaqur para syve tanë.
Sot drejtësia shqiptare me hetimin gjyqësor na ka “provuar” se numërimi i votave live për Edi Ramën, ku ai u shpall fitues, nuk ka ndodhur, se video-skandali i Ilir Metës, ku ai kërkon miliona për 5 minuta, nuk ka ndodhur dhe se vrasja e katër demonstruesve më 21 Janar, edhe pse është bërë live, “nuk ka ndodhur”. Dhe nuk e bëjnë nga guximi për të qenë arrogantë apo antiopozitarë, por nga ideja se ata pas tre muajsh do të jenë të gjithë në dorë të Sali Berishës dhe të përpiqen t’i bëjnë nderet që i takon mercenarizmit të tyre.
Prej sot e tutje nuk ka rëndësi nëse vrisni dhe u kap policia apo prokuroria. Nuk ka rëndësi nëse vidhni dhe filmoheni. Nuk ka rëndësi dhe nëse nuk bëni asgjë dhe jeni të ndershëm. Mjafton që një gjykatë të rishkruajë atë që kërkon pushteti për ty dhe “me bindjen” e gjyqtarit mund të jesh me të njëjtën lehtësi i dënuar ose i pafajshëm. Nuk di ku ndryshojnë gjykatat e diktaturave nga këto karikatura, por është e sigurt se porosia e pushtetit dëgjohet me të njëjtin përkushtim si atëherë. Gjykohesh në “emër të Sali Berishës”.







