(Flacăra nestinsa albaneză a unei misiuni poetice)
Octavian Mihalcea*
Universi poetik i Ekzilit të shpirtit, një album vlerash të larta lirike të Sali Bashotës, karakterizohet që nga fillimi, nga një simbolizëm eterik që përfaqëson erosin e posaprofiluar. Tashti fli/ Në shtratin e butë me pupla zogjsh/ Fytyrën mbuloje me fildishin e papërshkruar/ Faqet të skuqen kur rrëshqet buzëqeshje e pjekur/ Flokët shtrijë mbi jastëkun plot ëndrra fati/ Buzët oh buzët lehtësisht mbyllen me një të puthur/ Gjinjtë digjen zjarr në aktin e parë të përqafimit. (“Bukuroshja e fjetur”).
Itinerari apo rruga përmes fshehtësive të dashurisë është thelluar deri në momentin e mugët kur arka e zezë është kalbur pranë ftoit të dëshirës. Drita e poezisë projektohet bashkë me ekzistencën e përditshme të poetit, ndërsa gjendjet lirike e shkulin qenien nga pakuptimësia e dukshme e jetës, me gjithë diversitetin e saj. Sali Bashota ka fuqi për transfigurimin e ngjarjeve, në këtë mënyrë duke përfituar vizën jeshile për të hyrë në esencë. Ata që i japin prioritet shpirtit dhe ëndrrës janë të fisnikëruar me misionin e shenjtë të poezisë: Çelësin e fshehin në atdheun me gjarpër në gji/ Poezi poezi poezi poezi poezi poezi poezi poezi poezi/ Gjak i zi gjak i zi gjak i zi gjak i zi gjak i zi gjak i zi (“Maje e zezë”).

Kjo poezi i nxjerr dhe i tërheq burimet fundamentale nga realiteti ekstrem. Nganjëherë, ëndrra nuk është e mjaftueshme, rrugëve të një jete që qëllon: Bari i djegur i fushës shkrumb/ Pylli i prerë drunjtë e ngjyrosur me gjak/ Po kjo nuk është ëndërr/ Frymëzimi i trazuar sillet nëpër ferrin e vet/ Bota reale shkund misterin e fajit („Rekuiem”). Dashuria është e pranishme në të gjitha hipostazat e poezisë së Sali Bashotës. Ajo ka funksion shpëtues, asnjëherë e braktisur apo e harruar. Dhembjet mund të zbuten vetëm nëpërmjet prekjes së përflakur të dashurisë. Duke qenë thellësisht idealistë, poetët nuk janë humbës në përkushtimin e tyre mbi altarin e idealeve duke marrë vlerë të ligjshme: Nëse vdes poeti/ në dhomën krijuese të vetmisë/ Duke shëruar zogjtë e plagosur// Vdekja do të kishte kuptim tjetër// Ngase nuk vdes poeti („A vdes poeti”). Në Ekzilin e shpirtit prioritet ka filozofia e rrënjëve, pa të cilën çfarëdoqoftë tentative drejt perfeksionimit do të ishte e pamundshme.
Tradita gjeneron përfytyrime poetike të veçanta, në kontrast me banalitetin e hyrë në zakonshmëri (në krahasim me banalitetin e rëndomtë): E shoh poetin me kufoma foshnjash në krah/ Dheu Uji Fryma ia shpëlajnë Mëkatin/ Kosova dhe Shën Naumi i gjallë ndrydhin agimet polare/ Gjyqtarët e qelbur gjuhën e qesin në gjah/ Ti plagomë çmendie kurrë mos hap varre („Plagomë”). Poezia është ilaçi i shpëtimit nga absurdi i ekzistencës, shpresa e daljes definitive nga qarku i mungesës.
Por përfytyrimet e tmerrit janë gjithmonë pranë, gjendje tashmë të përkufizuara në brendinë substanciale të përjetuar me vështirësi: Përsëri nata e varrit/ Gjaku im as gur as dru/ As lot i vajtimit („As lot i vajtimit”). Është një lojë e përgjakur më çelësin e tragjizmit maksimal. Shqetësime mbi shqetësime. Trishtim, shpirtra dhe botë të sakrifikuara. Terrori i historisë serbe kundër shpirtit shqiptar ende është prezent në Sheshin e Dardanisë. Vetëdijesimi shndërrohet në një gjendje të natyrshme, besimi duke qenë një sintagmë e zbraztë nga substanca. Mbizotërojnë nuanca të perënduara, agnosante: Nëna ime përse hesht/ Unë po bëj gjumë gjarpri/ Me kobure zjarri nën kokë („Heshtja”).
Zhgënjimet dëshmohen si një instrument shtypjeje, duke qenë të ngjyrosura me nuanca të forta. Zotëron spektri i braktisjes dhe yjeve të rënë. Në poezinë e Sali Bashotës, vetmia përshkruhet si një instrument i përgjakur, duke zotëruar hapësira të gjera shpirtërore. Prej këtu, një tëhuajsim i ashpër dhe i dhimbshëm: Ç’deshe jetën pikturë të rreme/ Trokëllimën e kuajve trojanë/ Fatin e Jeseninit vetëvrasës/ Dhe gruan e pabesë/ Që zemrat të rriturve ua kafshon (“Vrasja e frymëzimit”). Vërejmë praninë vërshuese të gjarpërinjve, për më tepër shumë gjarpërinj duke u zvarritur nëpër ëndrrat e shqiptarit të ndodhur në robëri. Frymëzimet i përkasin një kohe të shkuar, para çrobërimit të Dardanisë nga sundimi i huaj. Kërcënimet e përgjojnë dritën. Shpesh herë, fantazmat marrin shëmbëlltyrë kafshe, atëherë kur misteret e terratisura qasen papritmas.
Në këtë univers të traumatizuar kërkohet me fërgëllimë liria. Ngase këtu, Fryma shpirti mëkati spastrohen ditën e parë/ Kur largohesh një herë drejt përhumbjes së thellë/ Qyqe vetëm mbi tehun e ëndrrave këlthet ku është liria. („Bukuri e çmendur”). Sentimentet i kaplon dhembja. Lulet shkëputen nga lotët dhe dashuria shakmiset si një instrument i pabesisë. Megjithatë, dëshira e një fillimi të ri është afër. Fatntazmat mund të dëbohen, duke u fshirë nga memoria, me të gjitha plagët e dhembja që vajton sa më thellë për trishtimin. Bukuri e çmendur, thotë poeti, tërë jetën këlthet ku është liria. Shpresa e padegdisur, pa gjurmë frike, e përshkon esencialisht poezinë e Sali Bashotës, përkundër kambanave të trishtimit dhe vargjeve të plagosura nga fantazmat e një të shkuare të dëbuar.
(*Autori i këtij shkrimi, Octavian Mihalcea, është poet dhe eseist, funksionar i Bibliotekës së Qendrës Kombëtare Ushtarake në Bukuresht. E përktheu nga rumanishtja: B. Y.).







