Dimri i vetmisë së madhe

0
70

Preç Zogaj

Një dimër i dyfishtë dhe një vetmi e dyfishtë kanë shtrirë sundimin e tyre mbi Shqipëri këto ditë. E motit të keq në një anë, e politikës së keqe në anën tjetër.

Dëbora dhe rreshjet e shumta kanë bllokuar mijëra e mijëra familje, sidomos në zonën verilindore të vendit.

Politika e keqe e qeverisë po bllokon aspiratën mbarëqytetare për t’u integruar në Europë.

Për momentin halli i njerëzve që po luftojnë me të ftohtit dhe urinë përbën një emergjencë të dorës së parë. Kjo situatë gjithsesi do të kalojë, urojmë pa viktima të tjera. Moti do të ndërrojë, bora do të shkrihet, rrugët do të hapen. Dielli që shpëton Shqipërinë, siç thotë poeti Fatos Arapi, dielli që nuk ka zhgënjyer në shekuj të shekujve, nuk do të zhgënjejë as kësaj radhe. Atëherë, me dëshmitë e të çliruarve nga rrethimi i borës do të kemi mundësi të bëjmë një bilanc të qartë si e përballoi Shqipëria e vitit 2012 gjendjen e krijuar.

Kurse peshën dhe vetminë e dimrit politik do të duhet ta mbajnë në kurriz gjatë. Siç duken shenjat, do ta mbajmë deri në fund të vitit, ndoshta edhe vitin tjetër. Vetëm po të ndodhë ndonjë mrekulli.

Pozbehen përditë shpresat se Shqipëria do të marrë këtë vit ftesën e kandidimit në Europë. Javën e kaluar folën qartë disa nga politikanët dhe zyrtarët më në zë të Parlamentit dhe Komisionit Europian. Ata u shtuan kritereve të paplotësuara, që na lanë në klasë vitin e kaluar, edhe vrasjet e 21 janarit 2011 dhe çeshtjen “Meta-Prifti”.

Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të marrë ftesën pa u çuar para drejtësisë udhëruesit dhe ekzekutuesit e vrasjeve të 21 janarit. Koshienca e Europës duket e shokuar nga faktet që ka nxjerrë në dritë ekpertiza e FBI-së. Ajo ka drejtuar prozhektorët nga drejtësia shqiptare. Vidioskandali “Meta-Prifti” gjithashtu nuk rrezulton një çeshtje e mbyllur për Europën. Përkundrazi.

Siç e kanë parashikuar shumë analistë, ajo është hapur në Bruksel pikërisht kur është mbyllur në Tiranë. Është hapur si një çeshtje e madhe e funksionimit të drejtësisë dhe demokracisë në Shqipëri. Si politikan dhe njeri publik, zoti Meta duhet të bindë Bruskelin për pafajësinë e tij, përndryshe pafajësia që ka marrë në Tiranë do t’i kushtojë shtrenjtë integrimit europian të vendit dhe kjo do të jetë tepër ironike për karrierën e tij si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Që nga viti 2009 kur zoti Berisha depozitoi në Bruksel aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE kanë kaluar tre vjet. Do të kalojë dhe i katërti pa marrë asgjë. E keqja këtu nuk është thjesht se po humbin dhe një vit tjetër. Mund të ndodhë të plotësojmë dhjetë kritere dhe të mbesim në klasë, fjala vjen, për dy kritere. Mund të rrëzohemi pozitivisht në të përpjetën e integrimi për t’u ngritur e për të vazhduar me vrull dhe përkushtim drejt finishit.

Potë ishte puna kështu, në fund të vitit, në vend që të vajtonim refuzimin, do të duartrokisnim përparimin. Por e keqja është se ne nuk kemi përparim në asnjë prej kritereve thelbësore që lidhen me funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Të fiksuar herë teatralisht dhe herë marrëzisht në fiksionin e deridjeshëm se integrimi është bllokuar nga opozita, qeveria dhe kryeministri nuk po bëjnë asnjë prej detyrave të tyre tani që opozita ka bërë të sajën. Përkudrazi, po e bëjnë gjithnjë e më keq, sidomos me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

E sheh qartë edhe njeriu më i zakonshëm se kryeministri dhe mjaft zyrtarë të tjerë të shumicës qeveritare nuk janë të mirëpritur si njëherë e një kohë në Bruksel, në Uashington, në Berlin dhe në kryeqytetet e tjera politike të Perendimit. Si individë janë po ata që priteshin dikur me respekt. Nuk i presin e nuk i respektojnë më sepse kanë dalë nga udha e demokracisë që është udha e Zotit. Një fotografi e kapur me stërmundim ku duket shpina e Berishës duke i dhënë dorën në kalim Presidentit të Francës, Sarkozy, apo Sekretares se Shtetit, Hillari Kilnton është njëkohësisht fotografia e tkurrjes së tmerrdhme që kanë pësuar marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Perëndimin.

Duam apo nuk duam pasojat e izolimit të qeverisë dhe drejtuesve të saj i shkojnë gjithë vendit. Këto pasoja janë më të mëdha se ato që shkaktojnë rreshtjet apo përmbytjet. Vonesat me integrimin, loja apo tallja me të janë humbja më e madhe për Shqipërinë. Kot lodhen disa naivë apo tellallë që thonë na mjaftojnë vizat. Vizat kanë rëndësinë e tyre, por janë ku e ku me integrimin. Integrimi europian është jetik për kombin tonë.

Në vend që të plotësojë me korrektesi maksimale kriteret e Brukselit; në vend që të shtrohet me zemër të hapur me zyrtarët europianë për gjithçka që lidhet me aspiratat perëndimore të vendit të tij, kryeministri Berisha shtyhet në anabase ekstraeuropiane dhe ekstraeuropianiste, duke kërkuar zgjidhje atje ku as salvaxhante nuk ka. E tillë është vizita e tij e ditëve të fundit në Azerbaxhan, një vend të palirë, prej të cilit zoti Berisha, megjithë dëshirën e mirë, nuk mund të sjellë asgjë përveç zymtëzisë që vjen nga një rregjim i huaj për aspiratat demokratike të popullit shqiptar.

Mund t’i bjerë njëherë udha edhe në Azerbaxhan një kryeministri shqiptar, por pasi i ka vënë në vijë të gjitha punët e tjera dhe pasi është pritur atje ku kërkon të integrohet populli i tij. Të mendosh ta kapësh nga Azerbaxhani është të ikësh nga Europa. Dhe në fakt vizita e Berishës atje është shqetësuese sepse zhvillohet në kushtet e një krize të Tiranës me Brukselin dhe Uashingtonin për çeshtjet e funskionimit të demokracisë. Ç’më duket Bruskeli kur kam Bakunë, i thonë kësaj. Kjo iludon, vonon, por nuk funksionon.

Dikur në komunizëm shkrimtari i shquar Ismail Kadare pat shkruar romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, që trajton temën e shkëputjes së rregjimit stalinist të Enver Hoxhës nga Moska hrushoviane në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Në atë kohë Shqipëria u kthye nga një fuqi tjetër e madhe e hemisferës komuniste lindore, nga Kina e Mao Ce Dunit . Gjetja e një miku të fuqishëm në Lindjen e Largët nuk e pengoi Kadarenë të pikaste dimrin dhe vetminë e madhe të vendit të tij. Ç’duhet të themi sot për Azerbaxhanin?