Të plaçkitur dhe të përbaltur pa faj

0
64

Nga Mero Baze, 11 Shkurt 2012

Chris Chivers, gazetari i njohur i gazetës New York Times, i është përgjigjur dje online shqetësimit të një blogger-i të njohur rreth një predhe 107 mm, që forcat e presidentit sirian përdorin kundër demonstruesve. Chivers rikujton me këtë rast faktin se vende të tilla mund të furnizohen nga shtete të treta ish-komuniste, që kanë armë të tilla shfarosëse në depot e tyre dhe e ilustron këtë me skandalin e armëve kineze që Shqipëria i shiste Afganistanit, përmes një kontrate me Pentagonin ku u përfol dhe emri i djalit të kryeministrit shqiptar si ndërmjetës.

Referimi tek Shqipëria nuk ka të bëj me ndonjë akuzë konkrete, por me një imazh tashmë të formuar si një shtet batakçi, që nuk respekton asnjë parim apo normë ndërkombëtare kur futen në lojë njerëzit e pushtetit për të fituar para. Thuajse në gjithë vendet që përfshiu vitin që shkoi vala e protestave të Pranverës Arabe, Shqipëria u kishte shitur qeverive të tyre armë. Armët tona u gjenden në duart e Gadafit, në Jemen, raketat tona në duart e Hamasit, dhe akoma më keq sot rrezikon që të ndjehemi fajtor dhe për furnizimin me armë të një diktatori tjetër, presidentit sirian.

Problemi ynë në këtë rast nuk ka të bëj me tregtinë si mjet fitimprurës, por me parimet nga të cilat udhëhiqet qeverisja e vendit. Një vend anëtar i NATO, e cila mbi të gjitha ka parim të saj ngrehinën e demokracisë në vendet anëtare të saj, po shfaqet si një partnere e regjimeve autoritare e despotike që po vrasin qytetarë.

Për aq fakte sa ka botuar vetë gazeta jonë për tregtinë e armëve të Shqipërisë me këto vende, shihet qartë se nuk ka lidhje me ndonjë interes tregtar të madh të Shqipërisë apo arkës së saj, por me kapje të shtetit nga klientë personal të kryeministrit, që përdorin vendet fqinje si Serbia apo Mali i Zi si hallka tranzite në këtë tregti. Kështu, ne kemi blerë raketa serbe dhe ukrainase për t’ua shitur forcave terroriste antiqeveritare në Liban, pra jemi bërë vend tranzit që kemi mbuluar destinacionin e fundit të nisur nga Serbia, vetëm se në lojë kanë qenë klientët e njohur serbo-boshnjakë të kryeministrit.

Ne kemi shitur armë tek regjimi i Gadafit, duke përdorur sërish ndërmjetës serb, që i shërbejnë Arben Imamit të thotë që nuk dinim gjë ku do t’i çonin. E njëjta gjë mund të ketë ndodhur dhe me Sirinë. Pra, në këtë rast nuk është se jemi sjellë si një shtet që kemi nevojë për para dhe kemi shkelur parimet e NATO-s, por jemi sjellë si një shtet që jemi i kapur nga klientët e pushtetit dhe na përdorin si trampolinë për trafiqe të tilla, që na ekspozojnë si shtet batakçi para syve të botës.

Vetëm fakti që Berisha ka fyer gazetën New York Times për shkak të përfshirjes së djalit të tij në çdo pazar armësh në këtë vend, edhe pse gazeta ka bërë një investigim të pazakontë që ka tronditur Pentagonin, ka krijuar një bindje të mjaftueshme tek gazetarë të njohur si Chivers, por dhe te botuesi e tij, se nga një shtet i tillë mund të presësh gjithçka. Dhe falë këtij imazhi, falë asaj sjellje të padenjë dhe e motivuar tërësisht nga përfshirja në një pazar privat të familjarëve të tij, ne sot jemi të penalizuar të jemi të dyshuarit e parë pas çdo shfaqje të shëmtuar të trafikut të armëve apo shitjeve të armëve të tilla të dëmtimit në masë.

Pra, ajo që po na dëmton në thelb krenarinë kombëtare, imazhin, dhe po na turpëron para botës, nuk është pse na kanë mbetur në derë armë kineze apo sovjetike, as fakti pse duam t’i shesim ato, por fakti që klientë të pushtetit po përdorin këtë pasuri, jo për të pasuruar shtetin tonë, por për tu pasuruar prej shtetit tonë dhe për ta na diskretituar në opinion publik. Rasti tregon se ne jemi të ekspozuar si një shtet klientelist, i kapur nga të afërmit e kryeministrit, që nuk kanë lenë asnjë shtet batakçi pa pasur marrëdhënie me të, që nga Gadafi e deri tek Alievi.

Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë- dhe mbi të gjitha kjo është arsyeja pse korrupsioni dhe kapja e shtetit në Shqipëri janë armiku ynë kombëtar. Ky shtet nuk rrënohet as nga fqinjët, as nga ndonjë sulm i jashtëm, por nga kapja e tij prej një bande që po e plaçkit dhe po e përbalt në emër të shqiptarëve, që nuk kanë më as pushtet dhe as fuqi për të ndryshuar këtë pushtet batakçi.