TemA, 11 Shkurt 2012
Aleanca KuqeZi starton rrugën drejt kthimit në një forcë politike. Një takim entuziast në Tiranë dhe premtimi i Spahiut: Deri në maj do kemi 100 mijë aktivistë vetëm në kryeqytet. Spahiu komenton edhe sulmet e Topallit: Ajo është më keq se Nexhmija
Në prani të 1500 delegatëve të Aleancës KuqeZi, banorë të gjitha njësive të qeverisjes vendore të Tiranës, është themeluar Këshilli i AK për qarkun e Tiranës. Intelektuale, historianë, diplomatë, juristë, ekonomistë zgjodhën këshillin nismëtarë për degën e Tiranës KuqeZi. Kjo hap tiparin e maratonës të krijimit të degëve të AK në çdo qytet deri në realizimin e Kuvendit Mbarëkombëtarë, i cili do të mbahet në muajin maj të këtij viti. Në praninë të 1500 mbështetësve të Aleancës KuqeZi dega Tiranë, lideri i Aleancës KuqeZi premtoi se deri në muajin Maj në Kuvendin Mbarëkombëtarë, Tirana do të regjistrojë 100 mijë aktivistë, të cilët do të jenë pjesë e nismës “1 milionë kuqezi në të gjithë trevat shqiptare”.
Kreshnik Spahiu deklaroi se “Aleanca KuqeZi do t’i japë fund urrejtjes politike në vend, nën premtimin e realizimit të një kompromisi historik i cili do të jetë çelësi i stabilitetit dhe paqes në rajon”. Kreshnik Spahiu deklaroi se pas muajit maj “Aleanca KuqeZi do të shihet si alternative e vetme nga qytetaret shqiptarë për të drejtuar vendin”.
“Aleanca KuqeZi ka prioritet për t’i dhënë shqiptarëve një Tiranë metropol si hapësira e mendimin intelektual dhe trurit të njerëzve të shkolluar dhe për këtë arsye rreth AK po mblidhen vlerat në Tiranën e metropolit të intelektualëve të kërcënuar dhe shantazhuar.
Aleanca KuqeZi ka për detyrë të vrasë frikën në një qytet ku sulltanët e politikës përgjojnë dhe survejojnë këdo për të mbajtur për dekada të tëra monopolin e politikës,” u shpreh Kreshnik Spahiu. “Largimi i sulltanëve të politikës, të majtë dhe të djathtë, do t’i sjellin shqiptarëve gjakun e ri në politikë”, tha Spahiu.
Ndër të tjera Kreshnik Spahiu reagoi ndaj akuzave të Kryetares se Parlamentit Jozefina Topalli e cila e konsideroi Aleancën KuqeZi një kërcënim për vendin. “Disa e quajnë Nexhmija e fundit, por ajo nuk e meriton këtë kompliment, pasi Nexhmija dilte njëherë në 5 muaj në ekranin e TVSH, ndërsa ajo ka hipotekuar TVSH i cili mbahet me taksat e shqiptarëve duke kërcënuar dhe shantazhuar publikun e gjerë”, tha Spahiu.
Për Aleancën KuqeZi Tirana nuk ka njohur as në luftën e dytë botërore këtë nivel të lartë kriminaliteti dhe vrasjesh publike që bëhen rrugëve të këtij qytetit. Për këto arsye duhet të punojmë nën një strategji për të përgatitur një alternativë të re për Tiranën, Tirana KuqeZi dhe gjithë Shqipërinë e cila ka tre armiq, krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Aleanca KuqeZi premton se duke nisur nga aktiviteti i radhës ajo do të jetë në çdo qytet të Shqipërisë duke organizuar takime me aktivistët, mbështetësit dhe këto që kërkon dhe dëshiron të bëhet pjese e saj me qëllimin e vetëm për një të ardhme me prosperitet për Shqipërinë dhe shqiptarët.







