Protonizmi si teori letrare e filozofike

0
92
Gjekë Marinaj - Protonizmi

Arben Çokaj Arben Çokaj, 29 janar 2012

Protonizmi – një teori e re letrare e propozuar për miratim nga poeti shqiptar Gjekë Marinaj në Konferencën e Profesorëve të Letërsisë Botërore në Des Moines, Iowa.

Teoria e re letrare dhe rryma filozofike, që e mbështet nga pas, Protonizmin, janë krijim sinjifikativ i poetit të talentuar shqiptar, Gjekë Marinaj, i cili bashkë me avancimin e tij personal, intelektual dhe profesional në fushën e studimeve letrare, humanizmit dhe filozofisë, na befason përsëri me thjeshtësinë e tij krijuese, esencën dhe vërtetësisë që përfaqëson, si dhe me thënien e të vërtetës bukur e qartë, apo trajtimin e elementit pozitiv, si fenomen letrar, filozofik dhe më gjerë në shoqëri. Tashmë një koncept i miratuar zyrtarisht në SHBA, Protonizmi vjen si term letrar e filozofik me një tendencë pozitive, për të përmirësuar cilësisht mënyrën tonë të mendimit dhe konceptimit.

Duke u bazuar mbi një element universal natyror të fizikës e kimisë, mbi bërthamën e atomit dhe ngarkesat e saj pozitive, protonet, Gjekë Marinaj krijon një koncept të ri, si teori letrare dhe më gjerë si rrymë filozofike, në dukje i thjeshtë, por që ka domethënien e vet të rëndësishme, në krijimin e koncepteve pozitive tek njerëzit, për të pasur tendencë e përqasje pozitiviste mbi krijimet letrare, trajtesat filozofike, tendencat e komunikimit ndërshoqëror, apo edhe në vetë konceptet e vlerësimit politik dhe më gjerë, pse jo?

Marinaj e bazon teorinë e tij në pesë principe filozofike: Mbi të vërtetën, hulumtimin, restitucionin, protonizmiotikën dhe etikën. Duket se shtysat për të dalë me këtë koncept të ri filozofik, kanë ardhur nga puna dhe hulumtimet e tij në shoqërinë amerikane si dhe ndikimin pozitiv, që jep mbi shoqërinë në përgjithësi prirja drejt përzgjedhjes së më të mirës, të bukurës dhe pozitives në letërsi, art e kulturë dhe më gjerë se kaq. Sepse, ajo që mbetet e ruhet ndër shekuj në filozofi dhe arte, është kryesisht e bukura, e mira, pozitivja. Është elementi pozitiv, pra, që e çon shoqërinë përpara.

Gjetja e këtij koncepti sa interesant e domethënës nga poeti ynë Gjekë Marinaj, është rrjedhojë e një vëzhgimi të kujdesshëm të realitetit shoqëror e letrar, ku vetëm njerëzit e talentuar dhe me ndjeshmëri të veçantë ndaj fenomeneve shoqërore dhe të përgatitur për t’i vënë re dukuri të tilla, janë në gjendje të kristalizojnë në teori letrare, esenca kaq specifike.

Kujtojmë këtu mollën e Njutonit. Për mijëra vjet me radhë, mollat në tokë binin dhe vazhdojnë të bien, por pak kush kujtohej të gjente pse-në. Ndërsa Njutoni po rrinte e mendonte në kopshtin e tij, i përgatitur për të vrojtuar natyrën dhe për të gjetur pse-të e fshehta të ligjeve natyrore. Ai papritmas vuri re një mollë tek binte në tokë dhe drejtohej nga qendra e tokës. Aty i lindi menjëherë ideja për ligjin e gravitetit, që më pas u shpjegua teorikisht dhe tashmë është i njohur për të gjithë.

Po kështu Gjekë Marinaj ka treguar edhe më parë ndjeshmërinë e tij prej poeti të talentuar, dhe se është i vëmendshëm ndaj zhvillimeve shoqërore, që në fillimet e tij me poezinë Kuajt, një perceprim real e spontan ky, i thjeshtë në vargje por depërtues dhe me ndjeshmëri të thellë mbi realitetin shqiptar, që poeti i ri e përjetonte me ndjenja të sinqerta. Guximi i tij për ta thënë të vërtetën ashtu siç e mendonte, në një kohë kur e vërteta mbytej, i dha një tingëllimë të brishtë por të fuqishme sistemit diktatorial, në rënie në Shqipëri. Ajo poezi iu lexua më pas edhe ambasadorit amerikan në Beograd, i cili pasi dëgjoi vargjet e poezisë, ndjeu keqardhjen e natyrshme për poetin e ri, se si jeta e një njerriu të talentuar varej në fije të perit nën diktaturë, për disa vargje të vërteta. Ai u trondit nga absurdi që e rrethonte poetin e ri dhe i tha ati: “të qoftë rruga e mbarë për në Amerikë bir!”

Gjekë Marinaj ka një relacion instinktiv ndaj të vërtetës. Ai nuk e zhgënjeu as ambasadorin amerikan që e ndihmoi, as vetveten, por as ne, me shkuarjen e tij në Amerikë. Ai atje, përveçse punonte ditë e natë për të siguruar të ardhurat për jetesë, edhe studionte ditë e natë, derisa arriti të perfeksiononte njohuritë e tij edhe në filozofi dhe në letërsinë e krahasuar botërore. Marinaj u përgatit më mirë inteluktualisht dhe duke shkruar gjatë gjithë kohës në konceptet Protonizmike, se ndjenjat e tij për artin e letërsinë e përjashtojnë smirën, ligësinë apo dashakeqësinë, ai arriti në fund edhe të krijojë teorinë e tij të re, Protonizmin, duke i dhënë kështu letërsisë botërore një koncept të ri letrar e filozofik, që na shërben dhe nderon edhe ne si krijues shqiptarë.

Pavarësisht se në shumicën e shkrimeve të mia, synimi është drejt së mirës, drejt pozitives, prapë se prapë, teoria e Protonizmit mund të jetë një kërkesë më shumë, disi më e avancuar, më akademike, në evidentimin e anëve pozitive të një krijimtarie letrare, dukuri filozofike apo zhvillim shoqëror, etj. Pra, mendoj se edhe unë, si secili prej nesh, që merremi me artin e të shkruarit, duhet të përfitojmë nga kjo teori letrare e filozofike dhe të bëhemi me shkrimet tona përkrahës të saj, të tregohemi njëkohësisht më të përgjegjshëm në përzgjedhjen e elementeve pozitive, që i shërbejnë njerëzve.

Sikur Protonizmi të shtrihej në politikën shqiptare, shumë gjëra padyshim që do të thuheshin më bukur, më me elegancë e vetërespekt. Shoqëria jonë do të ishte më e matur, më e vetëpërmbajtur dhe efektet negative në shoqëri do të sfumoheshin nga pozitiviteti, jo se do të shuheshin, por nuk do të dilnin në dritë si tani, nuk do të na përplaseshin në fytyrë me brutalitet e arrogancë, siç edhe po bëjnë më së shumti në kohën tonë.

Protonizmi si teori letrare e filozofike, ka për autor një shqiptar dhe tashmë si teori e pranuar ndërkombëtarisht, ajo renditet ndër teorite letrare e filozofike botërore, që mund të marrë zhvillimin e vet, padyshim, në të ardhmen. Kjo teori në Shqipëri duhet të marrë prioritet të veçantë, për të përmirësuar strukturën e mendimit të shoqërisë sonë, pasi shoqëria shqiptare vuan së shumti nga efektet negative në shoqëri dhe promovimi i së mirës, i pozitives është me rëndësi shpëtimtare për këtë vend dhe për këtë shoqëri.

Si dallëndyshe që lajmëron pranverën, Gjekë Marinaj paralajmëroi me ndjeshmërinë e tij, në mënyrën e vet rebeluese, përmes poezisë Kuajt, në gusht 1990, shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, e cila kulminoi disa muaj më vonë, me lëvizjen studentore të Dhjetorit ’90-të. Po kështu, 20 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Marinaj i vjen lexuesit shqiptar me një teori letrare pozitiviste, të pranuar ndërkombëtarisht tashmë, për t’i dhënë letërsisë sonë, filozofisë sonë dhe jetës sonë qytetare një ndikim pozitiv, për të gjithë ata që dinë të lexojnë e kuptojnë.

Protonizmi është një teori letrare e filozofike, që na nderon dhe meriton të vlerërsohet e respektohet.