Si në fushatë!

0
58

Nga Mero Baze, 4 Shkurt 2012

E mbani mend fushatën e 8 majit? Po u kujtoj disa detaje. Ilir Meta nuk doli asnjë ditë me Sali Berishën në krah se “i prishte punë” ajo puna e videos. Shëtiste i vetëm nëpër Shqipëri, ndërsa të rinjtë e tij mbështesnin Lulëzim Bashën në Tiranë. Sapo zgjedhjet mbaruan, u bënë sërish bashkë. Një dhe u angazhuan kundër institucionit të prokurorisë në Tiranë, duke e quajtur atë institucion kriminal.

E mbani mend Lulëzim Bashën? Ai tha se ishte një kandidat jo-politik, që do punonte për qytetin, dhe që ishte kundër gjuhës denigruese të partisë së tij ndaj kundërshtarëve. Sapo mbaruan zgjedhjet dhe procesi i gjatë i vjedhjes së mandatit, Lulëzim Basha aprovoi prishjen e piramidës, për të cilën gjoja u shpreh kundër, bëri një spastrim të pashembullt politik në Bashki dhe e ktheu atë në një biznes të shëmtuar familjar, ku ligjin nga mëngjesi në darkë e bën familja e tij.

E mbani mend Sali Berishën? Nuk e linin të afrohej në Tiranë “se prishte punë” si njeri jopopullor dhe alergjik për qytetarët e Tiranës. Sillej vërdallë nëpër Shqipëri dhe humbi çdo qytet të madh të këtij vendi. Pas zgjedhjeve, siç e keni dëgjuar në çdo mbledhje qeverie, flet se si po qeveris Tiranën, çfarë po bën me taksat, çfarë po bën Lulëzim Basha me popullin, çfarë po bën me Sheshin Skënderbej, çfarë do bëjë me planin rregullues, etj.

Teatri i tyre në zgjedhje nuk është se gënjeu ndokënd, por makineria gjigante e medies pro pushtetit u përpoq ta nguliste atë në mendje të qytetarëve si një “fushatë ndryshe”, ku e rëndësishme nuk ishte çfarë besonin qytetarët, por çfarë thoshin aktorët e saj.

Tani po i afrohemi sërish një situate të tillë. Uashingtoni për herë të parë po flet qartë se Shqipëria po dërgon erëra të ftohta atje dhe se duket qartazi se prishja ka nisur. Fajtori është Sali Berisha. Lulëzim Basha, i nisur me urgjencë në një seminar në SHBA, po bën gjeste shumë me teatrale se sa në fushatë.

I ka hyrë me dhunë si vizitor kryebashkiakut të Uashingtonit në zyrë, dhe nga pamjet filmike është gati një vizitë fyese, që ai nuk ngurron ta paraqesë si vizitë. Pastaj ka takuar dy kongresmenë demokratë, Hasting dhe Engell. I pari, Hasting, është një demokrat i akuzuar për korrupsion dhe ryshfete, i cili ka një histori të padenjë si kongresmen dhe ka krijuar precedent negativ me mënyrën si i ka shpëtuar ligjit.

Engell është një kongresmen demokrat i pjesës së New York-ut ku ka më shumë shqiptarë, shumë i lidhur me Shqipërinë, dhe në fund të karrierës së tij krejt pa rëndësi për Kongresin, dhe “gjuajtës” i ndonjë dreke dhe darke shqiptarësh, qoftë dhe me pak honorare. Shumë emigrantë shqiptarë e kanë më të lehtë se Lulëzim Basha për ta takuar. Por ky njeri nuk ndalet. Meqë mesazhi që ka marrë në Washington kundër Berishës është i fortë dhe i ashpër, dhe meqë e ka ndjerë izolimin deri në palcë, tani po shtyn ditët si turist në SHBA me qëllim që të krijojë idenë se ka shpresë pas Berishës.

Nuk di se kujt amerikani po përpiqet t’i mbushë mendjen se ka profil të ndryshëm nga Berisha, duke i quajtur demonstruesit e vrarë ‘të pafajshëm’ apo duke mbajtur qëndrim më të moderuar ndaj prokurores, pasi ata e njohin më mirë se kushdo tjetër çfarë ka bërë më 21 Janar, ku ka qenë dhe çfarë vendimesh ka marrë. Të gjithë e dimë se faktet për vrasje dhe serveri erdhi i ringjallur nga Washington-i. Udhëtimi i tij, me shpresë se do krijojë një iluzion se po mbush boshllëkun që krijon alergjia amerikane ndaj Berishës, është i dështuar pasi askush atje nuk është i shqetësuar për karrierën e Bashës, por për ndaljen e rrënimit të Shqipërisë.

Ilir Meta po ashtu ka filluar të lëvizë. Jo siç lëvizte më 8 maj i vetëm rrugëve të Shqipërisë, por tashmë i vetëm rrotull gropës që ka hapur Berisha. Dje në një intervistë ka thënë se është kundër sulmeve ndaj kryeprokurores dhe se gjithë institucionet duhen respektuar. Një qasje kjo e ndryshme nga sulmet e përditshme të Berishës ndaj Ina Ramës, Bamir Topit, etj. Por dhe ai nuk e mban dot seriozitetin. Pak rreshta më poshtë e quan kryeprokuroren gënjeshtare për rastin e vet, por këtë e quan personale dhe jo institucionale. Ideja është që të krijojë dhe ai një imazh të ndryshëm nga Berisha me qëllim që të mos duket se po fundosen të gjithë bashkë me të.

Dhe vetë Berisha nuk mbetet mbrapa. Meqë nuk e fton askush askund si “burrë shteti”, gjen dhe ai si Lulëzim Basha ndonjë ftesë seminari apo konference dhe ikën. Aty ka shanse për më shumë fotografi me burra shteti dhe udhëheqës politikë. Diçka mund të gënjejë dhe ai këtu kur kthehet, me idenë se nuk është e vërtetë që po e izolojnë.

Të tre po përpiqen të sillen sikur janë në fushatë, sikur dikë duan të gënjejnë sa të hedhin lumin, sikur dikush u kërkon doemos të japin ndonjë provë fallco dhe gjithçka rregullohet. Është një përpjekje e shëmtuar dhe dritëshkurtër ndaj atyre që nuk i gënjen dot. 12 kushtet e Bashkimit Evropian nuk bazohen në deklarata, por në akte konkrete. Shteti ligjor është rrëzuar dje përtokë sërish duke rilënë në shtëpi një gardist që ka vrarë, duke lënë të lirë një ish- zëvendëskryeministër që ka vjedhur dhe duke lënë ende pa pyetur një kryeministër dhe Ministër të Brendshëm që kanë urdhëruar vrasjet.

Presidenti dhe kryeprokurorja janë çdo ditë të akuzuarit e mëdhenj në faqet e para të gazetave të tyre dhe në veprime institucionale të pushtetit. Kjo ka zemëruar Perëndimin, por dhe shqiptarët. Nuk di pse lodhen kaq shumë tani të rishpërndahen për tu bashkuar më pas. Nuk ka më një datë që ata duhet ta kalojnë duke na gënjyer ne dhe Evropën. Nuk ka më një shans të dytë që ata të grabisin ftesën për në BE si mandatin e Tiranës. Nuk ka më nevojë të bëhen qesharakë sikur nuk janë të njëjtët, edhe pse janë Një. Nuk është fushatë, nuk kanë punë vetëm me shqiptarë.