Tom Doshi: Mesila Doda tha se i vrava unë njerëzit më 21 janar. Berisha, do përgjigjesh për çdo të zezë!

0
82

TemA, 2 Shkurt 2012

Kjo është fjala e deputetit socialist, Tom Doshi, mbajtur në Kuvend pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit për tu hetuar për organizimin e protestës së 21 janarit.

Ju kërkoj të votoni si unë, jo sepse jam fajtor, por sepse dua të kontribuoj për zbardhjen e krimit të 21 janarit.

Kam qenë aktiv në organizimin e protestës si çdo deputet i PS.

Më 21 janar jemi nisur nga Stacioni i Trenit. Në Bulevard protestuesit ecën me shpejt se ne. Kur arritëm tek kordonat e policisë pashë njerëz të gjakosur. Në këtë moment pashë protestues që po gjuanin me çadra dhe policë që godisnin me shkopa goma. Në këtë moment erdhën makinat ujëhedhëse. Ndërsa po ndihmoja njerëzit, më plasi tek këmbët një granatë lotsjellëse. Më pas edhe një tjetër. Pata vështirësi në frymëmarrje. Shkova pak në lulishte dhe e mora veten. Kur u ktheva, policia kishte ikur krejt.

Një polic nga brenda hapi dyert dhe më pas erdhi një makinë që goditi derën. Kur turma po shpërndahej, dëgjuam krisma. Pas pak minutash Gjok Jaku më tha se kanë vrarë Aleksin prej Lezhës. U nisa me një taksi drejt Spitalit Ushtarak. Aty morëm vesh kush ishin të vrarët. Në këtë kohë më thanë se ka dalë Mesila Doda në televizor e ka thënë se vrasjen e ka bërë Tom Doshi me nipin e vet. E ke thënë apo jo, se je mësu me varë njerëz tek palma jote.

Pyeta për Aleksin dhe i kërkova doktorit skanerin e tij sepse nuk kisha besim tek doktorët. Pastaj pashë kryeministrin që tha se vrasjet janë bërë nga afër. Në këtë kohë kanë dalë pamjet e News 24. Pas këtyre pamjeve nuk doli më kush nga PD për të thënë se vrasjet janë bërë mes njëri- tjetrit.

Do jem bashkë në çdo protestë me qytetarët derisa krimineli Sali Berisha të largohet nga kryeministria.

Në asnjë moment nuk kam nxitur dhunë, askush nuk erdhi për dhunë. Ata kishin vetëm çadra, parulla dhe mllef për qeverinë e Sali Berishës. Po të mos i kishte sulmuar policia me gaz, nuk do kishin gjuajtur me gurë. Berisha më ka thënë se do bëhesha Ministër i Brendshëm. Nuk dua të bëhem kurrë ministër. Berisha ka shkruar vetë shumë artikuj kundër meje. Ka torturuar njerëz për të nxjerrë akuzë kundër meje. Mesila tha se vrava unë më 21 janar, Olldashi tha se solla makinën me kallashnikovë.

Po pse e ka inatin kaq shumë me mua Berisha? Sepse e kam mundur dy herë në zonën e Shkodrës, sepse sot PD pavarësisht vjedhjeve aty ka vetëm një deputet më shumë. Ky është inati më i madh që ka Berisha me mua. Kam paguar dëmin e madh nga gjobat që më ka prerë Sali Berisha. Vetëm një burracak si Berisha përdor këto metoda. Por unë i druhem vetëm Zotit. Sali Berishën e njoh për frikacakun më të madh që ka Shqipëria. Vetëm një frikacak është i pabesë, dhe vetëm një i pabesë vret qytetarët e vet.

Sali Berisha e ka fajin për pushkët që u qitën më 21 janar, edhe për ndryshimin e tytave. Ai duhet të hetohet i pari. Por ai burrë nuk është. Dhe unë i them publikisht sot se do përgjigjet për të gjithë të zezat që i ka bërë popullit!