“Ngjarje në tokë” (Tirana Times, 2011), poezi të periudhës 1985-2010 me autor Preç Zogajn prezantohen në mesnëntori në Konferencën e Përvitshme të Lidhjes Amerikane të Letërsisë (ALTA-American Literary Translators Association) në Kansas City. Vëllimi me titull “Occurrence On Earth” me poezi të përzgjedhura dhe të shqipëruara në anglisht nga Gjekë Marinaj, e pa dritën e botimit më 2010-ën nga “Mundus Artium Press”, shtëpia botuese e Universitetit të Dallasit. Më tej u prezantua në programin e leximeve dygjuhëshe të letërsisë bashkëkohore botërore në Kansas. Përmbledhja ishte ide e Marinajt, poetit, studiuesit, përkthyesit, profesorit të letërsisë së Dallasit, kandidat për doktor shkencash në filozofi. Prezantimi i këtij cikli poezish i garantoi poetit shqiptar njohjen në një rreth shkrimtarësh, poetësh, botuesish e përkthyesish që shqipërojnë në anglisht letërsi nga vendet e ndryshme të botës.
Botimi i poezive, që u bë në kuadër të rrjetit të shkëmbimeve të universiteteve amerikane në SHBA dhe në botë, i edhe dha mundësinë të merrte lejen e prezantimit nëpër aktivitete botuese dhe shkencore të universitetit. Zogaj u njoh nga afër me dr. Rainer Schulte, drejtorin e Qendrës së Studimeve, Përkthimeve të Universitetit të Dallasit, poet i njohur amerikan.13 poezi u interpretuan në anglisht nga Jim Hoggard, aktor i Teatrit Publik të Dallasit, të njëjtat u lexuan në origjinal nga poeti ynë.
Po për çfarë treguan interes poetët, shkrimtarët, përkthyesit amerikanë lidhur me një letërsi pak të njohur në vendin e tyre? Kësaj pyetje i përgjigjet poeti dhe politikani Preç Zogaj në një intervistë për “Shekull”. Biseda vijon me çështjen e mungesës së komunikimit të poezisë shqipe me botën, për trajtimin e motiveve universale dhe intime në krijimet e tij, të shkuarën që i ngre shpesh pusi, ikjen, arratinë, humbjen, izolimin, vuajtjen që merr jetë në poezi si dhe për frymëzimin prej folklorit, traditës, legjendave, miteve. Në fund raporti me poezinë para dhe pas përmbysjes së regjimit komunist.
Z. Zogaj për çfarë treguan interes shkrimtarët dhe poetët amerikanë lidhur me krijimtarinë tuaj dhe poezinë shqipe në tërësi?
Ishin të interesuar për natyrën e poezisë sime, për një lloj thyerje që ajo ka jo në kuptimin cilësor, por në kuptimin e relievit që ka vetë poezia, të ritmit të brendshëm, të regjistrit emocional. Më pyetën që kjo është një dukuri e poezisë shqipe apo dukuri e individualitetit poetik? Kishte pyetje që lidheshin me konceptimin e vetë elementeve të lirikës, lidhjen e tyre me traditën, folklorin shqiptar dhe ballkanik. Pastaj pyetje që vinin nga gazetarët: A është ky një standard në poezisë shqipe apo është një përjashtim? Përgjigja ime ishte: Kam një individualitet që ma ka njohur kritika dhe publiku, por poezia ime nuk është as standard as përjashtim. Shqipëria ka poet shumë të mirë, që kanë një individualitet të krijuar përgjatë viteve.
Cilat ishte sfida e përkthyesit Marinaj në shqipërimin e poezive? Duke u ndaluar pikërisht te aspekti më delikat që e bën poezinë të tingëllojë shqip, te ritmi i brenshëm, melodia, figuracioni…
Marinaj është një poet shumë i mirë, por është edhe një njohës i thellë i letërsisë angleze dhe amerikane. Mjafton të lexojmë esetë e tij për të kuptuar se kemi të bëjmë me një personalitet të shumanshëm të kulturës. Kush është fati im me Marinaj? Ai është një lexues i vjetër i poezive të mia, mund të them edhe një ithtar i tyre.
Ai përfëqëson një gjeneratë, bashkë me Agron Tufën, me Ervin Hatibin, me Rudian Zekthin e tjerë, që ishte pas gjeneratës sime. Ndërkaq unë kam qenë edhe botues i këtyre autorëve në fillimet e tyre letrare. Është krijuar kjo marrëdhënie e vjetër me Gjekën që mbeti përgjithmonë. Ana tjetër ka të bëjë me një fakt prekës dhe domethënës. Marinaj është një nga poetët që u arratis nga Shqipëria, përpara vendosjes së pluralizmit, sakrifikoi jetën për lirinë sepse kishte shkruar poezinë “Kuajt” që e vuri në fokus të rregjimit të asaj kohe.
Gjatë arratisjes mori me vete disa libra dhe vargje, ndërmjet tyre edhe vargjet e mia. U arratisa përmes tij si poet para se të vinte pluralizmi. Unë nuk u arratisa dot, por u arratisen vargjet dhe libri im “A thua do të vish duke qeshur”. Gjithë kjo marrëdhënie e ruajtur përgjatë viteve ka ndikuar që në një moment të caktuar të karrierës së tij akademike dhe letrare Gjeka vendosi të përkthente një libër me poezi të miat.
Për çfarë e ndihmon poetin njohja me botën?
Ndihmon jashtëzakonisht shumë sepse e vendos poetin në kordinatat e poezisë bashkëkohore botërore. Është shumë e vështirë të zhvillohet një poezi moderne e shkëputur nga koncerti dhe aktualiteti i poezisë botërore.
Në poezi shprehet hapur dëshira për arrati para dhe pas viteve ‘90, ikje nga një vend që poeti e ndjen të huaj, aty ku ndihet i tepër.
Ikja është një grishje e përhershme e poetit. Mendoj se poeti e artikulon këtë thirrje të brendshme që në thelb është te njeriu. Ai krijon një realitet virtual me motivin e ikjes, e të qenit diku tjetër. Është gjithmonë në dy vende njëherësh, në atë ku është dhe në atë që krijon vetë. Është një ndërkaq një shprehje e qendrimit kritik të tij ndaj realitetit ku jeton. Deri në vitet ‘90 motivi i ikjes lidhet me nevojën për të dalë nga izolimi. Një libër imi i botuar në atë kohë titullohet “Qielli i gjithkujt”. Ishte një metaforë, metafora e hapjes, e mungesës së kufijve, për të kontrastuar tokën që nuk na përkiste. Edhe vetë poezia ka një varg që thotë: “Kam lind nga Homeri mbreti ynë demokrat për t’u ngjitur pa cak”. Në tërësi motivi i ikjes së asaj periudhe lidhet me etjen për liri.
Pas viteve ‘90 motivi i ikjes vjen një nevojë e përhershme për arrati dhe për ndryshim. Është një arrati shpirtërore, nevoja për të njohur jetën tjetërkund, për të zbuluara të ngjashmit tanë, një motiv i vjetër i poezisë dhe poeti fillon niset përpara të tjerëve. Poezia e Uollt Uitmanit është nisur drejt hapësirës para të tjerëve, para anijeve kozmike “Apollo 11” apo “Apollo 12”. Është gjithmonë grishja shpirtërore që shënon rrugën ku do të kalojnë më vonë mjetet dhe njerëzit.
Çfarë i thonë njeri-tjetrit njeriu dhe politikani për arratinë?
Çështja e të qendruarit këtu ka qenë dhe është e lidhur me disa arsye konkrete. Në vitin 1990-1991 rasti solli që unë të përfshihesha në një lëvizje politike për ndryshimin dhe të merrja një përgjegjësi. Në lëvizje u përfshinë me mijëra njerëz. Unë mora me emër dhe mbiemër përgjegjësinë për të ngritur shtypin e lirë të kohës së demokracisë. Është një mision që më mbajti të lidhur dhe kjo ka vazhduar sepse politika pastaj më ka përplasur gjithandej dhe kam ndjerë gjithnjë një detyrim të brendshëm për të afirmuar vlerat e letërsisë edhe në politikë. Megjithatë kështu ka ndodhur. Ëndrra ime ka qenë dhe mbetet kjo, duke qenë në Shqipëri të jem edhe tjetërkund dhe e anasjellta. Kjo për shkrimtarin dhe qytetarin është e mundur në një botë siç është kjo që jetojmë, ku të gjithë jemi të barazlarguar nga dielli.
Është poeti që ndihet i tepërt në botë?
Tema e daljes tepër është shumë prezente në poezinë dhe prozën time sidomos kur vi nga jashtë ose rri e mendoj thellë për zhvillimet, për njerëzit, për mjedisin politik sepse ky është një përjetim që vjen edhe nga mjedisi politik ku kam jetuar dhe vazhdoj të jetoj një pjesë të kohës sime, nga studimet, nga leximet, kontakti me një letërsi të madhe, apo me një poezi të madhe që e lartëson lexuesin, njeriun, mua dhe më vendos në një raport të ri me mjedidin politik dhe shoqëror në ku jetoj. Të gjitha këto krijojnë atë ndjesinë e të qenit i huaj. I tepërt në një vend konkret, por ndonjëherë i tepërt edhe në jetë. Është ai raporti me vdekjen, një raport që e shoqëron poetin gjatë gjithë rrugës së tij poetike. Vdekja është gjithnjë një alternativë e të qënit, pavarësisht se vdekja është identifikim i mosqenies.
Poezia juaj është shqiptare, mbështetet te folklori, tradita, tragjeditë e hershme. Për vendin ku ju e prezantuat poezinë Tanusha, Rozafa janë të panjohura.
Po, por ato shpjegohen sepse janë pjesë e rekuizitës poetike të traditës sonë. Janë ekuivalente me figura të mitologjive të vendeve të tjera që flasin për gruan, bukurinë. Poezia është shqiptare, por në radhë të parë duhet të jetë profesionale. Si e tillë është universale në prurje, në figura, në simbolet dhe personifikimet që përdor, nganjëherë edhe në disa konceptime që lidhen me vetëdijen estetike të popullit të shprehur në folklor.
E shkuara përjetësohet me historinë, me gjakun, të vdekurit. Përse ju ndjek pas e shkuara?
E shkuara jemi ne prapë. E shkuara është një vend ku ne kemi qenë. Ne kthehemi tek e shkuara se pikasim atë që ndodh ndryshe, jo atë që ka ndodhur. Nuk ndodh ndryshe në një kuptim konkret, por ndodh ndryshe në një kuptim poetik. Kthimi në të kaluarën thellë-thellë në poezi është një zhvendosje në të ardhmen.
Cili ka qenë raporti juaj me poezinë para viteve ‘90. Kemi raste të poezive të ndaluara?
Raporti im me poezinë, pavarësisht turbulencave ku ka kaluar jeta ime, është pak a shumë konstant. Unë jetoj si poet, nganjëherë më pak, nganjëherë më shumë. Kur them jetoj si poet kam parasysh parasëgjithash të menduarit si poet, që është një mënyrë e veçantë të menduari, nganjeherë e pashpjegueshme. Gjuha e metaforës është po ajo, para viteve nëntëdhjetë dhe pas viteve nëntëdhjetë. Shkruaj vazhdimisht, botoj akoma çdo dy-tre vjet një vëllim të ri dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe disa vite të tjera. Poezia ka qenë dhe është për mua një lloj tempulli i arratisë sime të brendshme. Këtë gjë e kam menduar më herët. Një tempull ku mund të rrëfehesha në një mënyrë të kujdesshme.
Poezi e Zogajt botuar në vëllimin “Ngjarje në Tokë”
Një ditë mund t’ju them një mrekulli
Me kohë do kisha ikur
i qetë dhe pa probleme.
Do kisha ikur shpejt
si ai që del tepër,
si ai që mungon,
çdo ditë më shumë mungon
në botën e të vdekurve.Me kohë do kisha ikur
me llogari të mbyllura,
me letrat të palosura
dhe me borxhet e kthyera.
Me kohë do kisha ikur,
njëri s’më detyrohet,
kush ma nxiu rininë
ja kam falur, kuptohet.
Në esenca s’kam punë këtu,
gjithçka është përsëritje,
s’ia vlen barra qiranë
të joshesh me shëtije…Me kohë do kisha ikur,
por ja vizllon një shpresë:
do ketë një mrekulli të re për t’i vënë emër.
Atë çast pritja është jetë,
Gjithçka tjetër pendesë…







