Rama në Preshevë: Berisha e ka patriotizmin maskë për tregti dhe pazare me fqinjët

0
154

TemA Online, 28 Janar 2012
Edi Rama në Preshevë

Edi Rama, i cili gjendet sot në Preshevë, iu është përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve në takim rreth figurës së Berishës brenda dhe jashtë Shqipërisë. Duke kujtuar historinë e Berishës me regjimin e Milosheviçit, raportet me fqinjin jugor dhe qëndrimet e tij gjatë krizës së Kosovës, Rama e ka përkufizuar “patriotizmin” e tij si një maskë për të mbuluar pazaret që bën për pushtet.

“Ne 20 vjet histori të tranzicionit shqiptar dhe qeverisjes demokratike në Shqipëri, Sali Berisha kur ishte president hapi rrugën e kontrabandës së naftës me Beogradin në kohën kur Millosheviçi dhe regjimi i tij ishin nën embargo si regjim i papranueshëm.

Ndërkohë në vitin e daljes në dritë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë që qeveritë socialiste e mbështetnin pa rezerva, Berisha e goditi publikisht me të njëjtën akuzë që e godiste Beogradi. Po ashtu kur qeveria socialiste e mbështeti Rambujenë si pikënisje të shpalljes së Kosovës republike sovrane dhe e pavarur, Berisha i bëri thirrje publike liderëve kosovare të mos e firmosnin atë marrëveshje.

Akoma me tej, pavarësisht rëndësisë strategjike të rrugës Durrës- Kukës, Berisha e ktheu këtë projekt në aferën më të madhe korruptive të këtij shekulli. Dhe se fundi, Berisha tentoi t’i falte Greqisë 300 km2 det, dhe ishte falë këmbënguljes së socialistëve që marrëveshja e nënshkruar nga Berisha u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.”