Shkodër, fshatrat, një metër nën ujë

0
44

Permbytje ne Shkoder

Gj. Marku/A. Dushi/E. Senja, 07.01.2010

PËRMBYTJET / Në orët e vona vijonte evakuimi i banorëve. Shumë prej tyre ndodhen ende në zonën e rrezikut
Nga ana e komandantit të FNSH-së u deklarua evakuimi i 94% të banorëve, por të evakuarit e mohuan këtë shifër

SHKODËR – Në orët e vona të mbrëmjes, niveli i ujit në zonën e Dajçit kishte arritur në rreth një metër. Nga zona e rrezikuar shiheshin kamionë të ngarkuar me njerëz dhe bagëti, të cilët evakuoheshin dhe do të dërgoheshin tek të afërm të tyre dhe në vendet e përcaktuara për ta.

Policia bllokoi hyrjen e Dajçit duke mos lejuar mediat dhe as të afërm të banorëve që ndodheshin në zonat e rrezikut. Sipas uniformave blu, të gjitha pikat orientuese ishin mbuluar nga uji dhe si rrjedhojë nuk mund të garantohej siguria e personave që hynin në Dajç, pavarësisht automjeteve të larta në të cilat udhëtonin.

Burime nga policia bënë të ditur se deri rreth orës 20:00 në komunën e Dajçit ishin evakuuar 94% e personave.

Ilvi Bushati, komandant i FNSH-së, u shpreh për mediat se ishin evakuuar pjesa më e madhe dhe në zonë kishin mbetur vetëm kryefamiljarët. Por banorët e evakuuar, të cilët largoheshin me kamionët e ushtrisë kanë pohuar të kundërtën, duke u shprehur se në zonën e rrezikut kishte shumë persona, madje dhe fëmijë e gra dhe se shtëpitë janë plot me njerëz.

Për të hyrë në Dajç nuk janë lejuar as banorë të zonave të tjera, të cilët mbërrinin për të marrë të afërmit e tyre. Një furgon policie bllokonte rrugën.

E bllokuar rezulton të jetë edhe Velipoja në vendin e quajtur Ura e Gjon Lulit. Uji ka kaluar mbi urë, ndërsa pranë saj është vendosur një furgon policie. Në pjesë të ndryshme të segmentit rrugor mësohet se uji ka arritur në lartësinë 50 centimetra, deri në një metër, çka ka bërë që policia të mos lejojë hyrjen e banorëve.

Ndërkohë reshjet e shiut kanë vazhduar deri në orët e vona. Burime bënë të ditur se pritej rritja e prurjeve të ujit si dhe shkarkimet. Mësohet se deri vonë në mbrëmje në hidrocentralin e Vaut të Dejës vazhdonte shkarkimi i ujit jo nga portat, por nga tuneli i shkarkimit të Zadejës.

Në fshatin Obot të komunës Ana e Malit banesat vazhdojnë të jenë të rrethuara nga uji dhe banorët komunikojnë me mjete lundruese. Pjetër Gocaj, banor i Obotit, shprehet se u kanë sjellë ujë, bukë e ushqime tek banesat.

Në fshatin Dajç ka nisur evakuimi i të tjera familjeve, që kanë shkuar tek të afërm të tyre. Gjatë paradites janë evakuuar dy familje me 6 persona nga fshati Mushan që së bashku me dy krerë bagëti janë dërguar me kamionët e ushtrisë tek të afërmit e tyre në Berdicë dhe Muriqan.

Po kështu janë evakuuar 10 persona nga Mushani që kanë shkuar tek të afërmit e tyre në Mali Hebaj. E gjithë argjinatura e lumit Buna në komunën e Dajçit vëzhgohet nga banorët që të organizuar sipas fshatrave bëjnë roje me radhë duke vëzhguar nivelin e ujit për të lajmëruar në rast rreziku. Nga ushtria vazhdon hedhja e thasëve me rërë në mjaft pika të argjinaturës së Dajçit ku gjatë paradites janë vendosur rreth 50 metra linear shtesë pritash.

Po kështu vazhdohet me hedhjen e çakulit dhe dherave në argjinaturë me fadroma. Janë shpërndarë në zonën e Obotit që vazhdon të jetë e izoluar 200 pako ndihma ushqimore të MB dhe Drejtorisë së përgjithshme të rezervave të shtetit, 500 paketa me detergjentë dhe 10 kv ujë i pijshëm në bidona 5-litërsh

Në ndihmë të ushtrisë shqiptare ka ardhur dhe një togë e forcave të sigurisë së Kosovës. Kapiten Ejup Maqedonasi që drejton këtë togë shprehet se “kemi ardhur që të martën mbrëma nga Kosova për të mbështetur konkretisht Brigadën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shqipëri.

Është një mbështetje në përballimin e krizës së shkaktuar nga vërshimi i ujërave në Shqipëri. Me ne janë dhe oficerët monitorues të NATO-s që kanë shoqëruar kolonën tonë që nga Prishtina gjatë gjithë rrugës dhe do qëndrojnë me ne deri në përfundimin e këtij misioni.

Jemi një togë e kompanisë së kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, e specializuar për kërkim-shpëtime, evakuime, kërkim e ndihmë të të lënduarve dhe ky është dhe misioni ynë këtu”.

Ndërsa Lejtnant Kolonel Jorn Halvorsen, pjesëtar i trupave te KFOR-it, shprehet se forcat e sigurisë së Kosovës janë të specializuara në evakuimin dhe dhënien e ndihmës me raste emergjencave dhe do të jemi së bashku me ta këtu në Dajç derisa të jetë e nevojshme.

Janë gjithsej 14 forca ushtarake nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila është dislokuar në Komunën e Dajçit, përveç trupave ushtarake kanë mbërritur edhe makineri si kamionë ,autoambulanca dhe skafe, të domosdoshme në rastet e evakuimit.

Në Fierzë ka rifilluar shkarkimi me 413 m³/sek, në Koman shkarkohen 1100 m³/sek, ndërsa në Vaun e Dejës 1200 m³/sek

Digat në rrezik, nis shkarkimi masiv i ujit

Neglizhencës së autoriteteve duke lejuar mbushjen e baseneve të hidrocentaleve në kaskadën e Drinit po i shtohen edhe tekat e motit duke shkaktuar një situatë alarmante në zonat veriperëndimore të vendit.

Reshjeve të shiut dhe të dëborës në ditët e shkuara i është bashkuar rritja e teperaturave ditën e djeshme duke shkrirë akujt. Në këto kushte, KESH-i ka urdhëruar rifillimin e shkarkimit të ujit në sasi të mëdha nga HEC-et e vendosura mbi lumin Drin duke rritur edhe më tej nivelin e ujit në zonat e përmbytura në Shkodër dhe rrethinat e saj.

Megjithëse ishte lajmëruar ndërprerja e shkarkimeve në Fierzë, ato kanë rifilluar mesditën e djeshme duke derdhur 413 metër kub ujë për sekondë, por duke e dyfishuar këtë shifër në orët e vona të mbrëmjes.

Burime zyrtare nga Korporata Elektroenegjetike Shqiptare raportojnë se duke filluar nga mesdita e djeshme në Koman është shkarkuar 1100 metër kub ujë në sekond, ndërsa në Vaun e Dejës intensiteti i shkarkimit ka qenë rreth 1200 metër kub për sekondë.

Shkarkimet masive kanë filluar rreth orës 15:00 të ditës së djeshme për shkak të reshjeve të shiut dhe shkrirjes së dëborës të cilat kanë rritur ndjeshëm prurjet e ujit në kaskadë. Sipas të dhënave nga KESH-i, në të tre hidrocentralet prodhimi i energjisë elektrike ka arritur kuoten maksimale historike ditore mbi 28 milionë kilovat/orë.

Pavarësisht prodhimit të lartë dhe derdhjeve të ujit, niveli në Fierzë vazhdon të jetë 292 metër ose 2 metër mbi kuotën e lejuar në rregullorën për administrimin e këtij HEC-i. Në këto kushte, ekspertët kanë dhënë alarmin për rrezikun që u kanoset digave, çarja e të cilave do të shkaktonte katastrofë për të gjithë vendin.

Sipas tyre, derdhja e ujit duhet të kishte filluar më parë se niveli të kalonte normat e lejuara. Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes mësohet se prurjet në liqenin e Fierzës kanë qenë mbi 600 m3/s, ndërsa shkarkimet mbi 800m3/s, në liqenin e Komanit prurjet kanë qenë 1420 m3/s, ndërsa shkarkimet 1660 m3/s, ndërsa në liqenin e Vaut të Dejës prurjet ishin 2445 m3/sek, teksa shkarkimet 1865 m3/sekondë.

Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes mësohet se prurjet në liqenin e Fierzës kanë qenë mbi 600 m3/s, ndërsa shkarkimet mbi 800m3/s, në liqenin e Komanit prurjet kanë qenë 1420 m3/s, ndërsa shkarkimet 1660 m3/s, ndërsa në liqenin e Vaut të Dejës prurjet ishin 2445 m3/sek, teksa shkarkimet 1865 m3/sekondë

Frangaj: Nis hartimi i projekteve për vijën bregdetare

LEZHË – Drejtori i Bordit të Kullimit të Lezhës Luigj Frangaj, i cili gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë pjesë e aksioneve të ndërmarra për të minimizuar ndikimin e përmbytjeve si në Ishull Shëngjin, ashtu edhe në Tale, deklaroi se ky është një problem që pritej dhe nënvizoi faktin se nuk janë marrë masa paraprake.

Gjithashtu, kreu i bordit të kullimit vlerësoi edhe angazhimin e të gjithë aktorëve për tejkalimin e situatës së krijuar. Me ndërtimin e pritës me një gjatësi mbi 700 metra linear në Ishull Shëngjin është frenuar sadopak depërtimi i baticave të detit në bllokun e banesave. Drejtori Frangaj theksoi se po përgatiten për një zgjidhje afatgjatë jo vetëm në Ishull Shëngjin dhe Tale, por gjatë gjithë vijës bregdetare.

Grupi projektues ka nisur punën për hartimin e një projekti për një zgjidhje përfundimtare. Frangaj theksoi se synohet që projekti të përgatitet në një kohë rekord dhe t’i paraqitet qeverisë për të mundësuar investime konkrete për mbrojtjen nga fenomenet natyrore përgjatë gjithë vijës bregdetare që përshkon qarkun e Lezhës.

Ndërkaq, banorët e Ishull Shëngjinit si një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet e fundit janë shprehur optimistë në përmirësimin e situatës duke përgëzuar të gjitha forcat dhe institucionet qendrore, rajonale dhe lokale që u janë gjendur pranë në këto ditë të vështira dhe që po ndërhyjnë me ndërtimin e argjinaturës.

Sipas banorëve, përmbytjet e fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në dhjetëra banesa, dhe një komision i posaçëm po merret me verifikimin e dëmeve të shkaktuara, ndërkohë që si Presidenti Topi, ashtu edhe Kryeministri Berisha kanë deklaruar se familjet e prekura nga përmbytjet do të dëmshpërblehen.