Rrëfehu Ndrea Prendi!

0
58

Nga Fatos Mahmutaj

Që Ndrea Prendi ishte përfshirë në masakrën e 21 janarit, nuk kam pasur kurrë dyshime, por ajo që më grish është mënyra sesi. Dihet mirë se të gjithë gardistët kanë qëlluar në të njëjtin moment, mbi turmën apo në ajër. Këtë e tregojnë mirë pamjet filmike që transmetuan të gjitha mediat. Po kështu dihet mirë se urdhëri për të qëlluar ishte i Ndrea Prendit nëpërmjet radios marrëse dhe dhënëse. Tashmë është e sqaruar saktë edhe fakti që Prendi e dha këtë urdhër pas grushtave të shefit të sigurisë së Sali Berishës, i cili përcolli me një mënyrë “bindëse” detyrimin që i vuri shefi i vet, kryeministër. Tashmë nuk ka shqiptar që nuk e di të vërtetën, se Prendi është rrahur, në prani të vet kryeministrit. Mbetet e dyshimtë mundësia që kreu i Gardës ta ketë pasur në brez armën atë moment. Me siguri arma i është marrë më parë nga dhunuesi, i cili e ka përdorur më pas vetë, apo dikush tjetër, pa e prishur terezinë.

E thënë ndryshe Prendi është kurbani i duhur për Berishën, i cili e ruajti për një vit me radhë, madje duke e shpërblyer, mes tjerash me një makinë tip “Porche” që rezultonte e vjedhur jashtë Shqipërisë dhe që ishte bllokuar nga prokuroria. Por ashtu siç e ka zakon Berisha që të shesë viktimat, (nuk mund të quhen ndryshe kamikazët e grupit të zjarrit të 21 janarit), ashtu ia shpërbleu edhe Prendit përdorjen jashtëzakonshme që i bëri. Menjëherë pas ngjarjes, në daljen e tij të parë publike, Berisha e lëvdoi shërbëtorin e tij të zellshëm para gjithë shqiptarëve. Madje kryeministri, pasi përhapi gënjeshtrën për çadra granat-hedhës, stilolapsa-pistoletë, 40 kg tritol, gurë-bomba, pohoi faqe shqiptarëve se Ndrea Prendi ishte goditur në sy nga protestuesit.

Që atëherë lindën dyshimet e para, pasi Prendi nuk u pa në asnjë moment jashtë ndërtesës së kryeministrisë, por gjatë gjithë kohë ka rezultuar se ka qëndruar në zyrën e Berishës. Kjo e vërteton edhe faktin se atij arma i ishte marrë më parë, pasi është e pabesueshmë që një ushtarak, të rrihej me grushta e shkelma, të shahej me libër fisi dhe familjeje dhe të mos reagonte nëse kishte pistoletë në brez. Por ndryshe nga Prendi, shefi i sigurisë së Salës, është fotografuar dhe filmuar shumë herë sipër terracës së kryeministrisë, madje edhe nëpër oborr, disa herë i armatosur edhe me kallashnikov.

Po citoj të dhënat zyrtare të hetimit, pak ditë pas ngjarjes: “… Faik Myrtaj është qëlluar pranë trotuarit, në anë të kullave binjake, përballë portës së hekurit të godinës së Kryeministrisë. Ai ka qenë në anën tjetër të bulevardit, duke u larguar, kur ka marrë një plumb në kurriz dhe ka rënë përdhe dhe ka gjetur vdekjen. Ai e ka marrë plumbin nga lart-poshtë. Ekspertët kanë dalë në konkluzionin se një plumb të tillë mund ta ketë marrë nga ndonjë person sipër Kryeministrisë…”.

Dhe ja të vijmë tani tek deklarata publike e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama: “Nga aktet e ekzaminimeve balistike të kryera si në laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë, ashtu edhe në laboratorët e kriminalistikës së FBI në SHBA, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se, nga arma personale e shtetasit Ndrea Prendi, pistoletë tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z, janë realizuar 11 qitje në drejtim të turmës. Një nga predhat që është qitur nga arma e shtetasit Ndrea Prendi, ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj. Predhat e tjera të qitura prej tij janë gjendur në pemët dekorative dhe në muret e zyrave të UNHCR.

Për të shmangur zbulimin e këtij fakti, ky person duke përfituar nga detyra që mban, ka ndërruar tytën e pistoletës së tij, me tytën e pistoletës së personit tjetër nën hetim, shtetasit Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij, duke patur si synim që nëpërmjet dëmtimit të saj të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendngjarje ishin qitur nga arma e tij. Modifikimet e bëra në armën e tij pas ngjarjes, janë provuar plotësisht nga ekzaminimet më të specializuara të kryera nga ekspertët e FBI”.

Pra nuk mbetet gjë veçse vetë Ndrea Prendi të tregojë mënyrën sesi u përdor arma e tij. I duhet të rrëfehet edhe për gjithë peripecitë e kryera deri në ndërrimin e pjesëve të armës, dhe pse pikërisht armës së tij dhe jo, për shembull, asaj të Agim Llupos. Gardistët së bashku me armatimin kanë qëndruar për shumë ditë brenda kryeministrisë duke pasur mundësinë e modifikimit të të gjitha armëve, por kjo gjë u bë vetëm për pistoletën e Prendit. Berisha pasi e pa që nuk mund ta mbronte dot më kryegardistin në gropën e plehut ku e zhyti, dje i bëri edhe një shërbim të fundit, duke ndërhyrë në gjykatë për mosburgosjen.

Tashmë mbi Ndrea Prendin, veç hasmërisë së dyfishtë me familjen Myrtaj i ka mbetur mbi supe edhe tallja publike nga Berisha. Shefi i vet, kryeministër e rrahu, e ofendoi, e detyroi të jepte urdhërin për të vrarë katër njerëz dhe më në fund e la zbuluar, pa përfshirë këtu hesapet penale që mirditori Prendi ka me drejtësinë. Tani mbetet në dorë të të vetë Prendit të bëjë atë që Berisha bëri ndaj tij. Ta shesë me të njëjtin çmim kryeministrin apo të mbajë barrën e fajësisë mbi supe dhe hasmërinë, të cilën sipas kanunit e kupton shumë më mirë se kushdo.

Bruksel, më 23 janar 2012