Është qëndrim i ri ndërkombëtar kundër Berishës!

1
41

Nga Mero Baze, 19 Janar 2012

Gjithkush e ka vërejtur se dita ditës gjuha e faktorit ndërkombëtar, ku përfshihen ambasadorë, zyrtarë të lartë të diplomacisë dhe udhëheqës perëndimorë, po trashet kur përmendet Berisha. Java që shkoi bëri diferencë të qartë. Fokusimi i ambasadorëve më të rëndësishëm të Perëndimit, biles dhe atyre që janë shumë luajalë me Berishën tek nevoja për president konsensual, ishte goditja e parë. Këtë deklaratë e përsëritën thuajse gjithë ambasadorët e rëndësishëm të Perëndimit. Berisha heshti dhe nuk bëri asnjë koment për deklaratat e tyre.

Vala e dytë u lidh me 21 Janarin. Një vit pas vrasjeve tragjike në bulevard, ambasadorët e Perëndimit folën krejt ndryshe nga një vit më parë për ngjarjen. Tre ambasadorët kryesorë të Perëndimit, ai i SHBA, BE dhe OSBE, shkuan në Prokurori për të mbështetur hetimet dhe duke folur për “dhunën e pakuptimtë” të ushtruar më 21 Janar, një gjuhë kjo shumë e mesatarizuar nga gjuha pro Berishës, që përdorën disa prej tyre një vit më parë.

Po ashtu fokusimi tek hetimi dhe zbardhja e vrasjeve, tani që pa dënuar kanë ngelur vetëm vrasësit, është po ashtu element i rëndësishëm. Më e qarta prej tyre, që bie gjithmonë në sy për qëndrime simpatike dhe të pavarura, është ambasadorja britanike, e cila e ilustronte sot qëndrimin e saj dhe me një fakt nga drejtësia britanike, ku dy oficerë po dënohen pas 19 vitesh për një krim të bërë për motive raciste, 19 vjet më parë. Mesazhi i saj shkon për vrasësit e 21 Janarit, duke u treguar se do ta kenë të vështirë t’i shpëtojnë drejtësisë gjithë jetën.

Stefan Fyle nga Brukseli lajmëroi një ditë pas mbylljes së turpshme të gjyqit të Ilir Metës se po mbajnë shënim atë që po ndodh në Shqipëri…

Një shpërthim i shumëpritur erdhi nga studioja e radios shtetërore amerikane në Uashington, ku Xhon Uidhers dëshmoi se ishte vigjilent, duke ndjekur çfarë po bëhej në Shqipëri pas ikjes së tij. I qartë, i kulturuar, i drejtpërdrejtë dhe thelbësor për atë çfarë po ndodh me demokracinë në Shqipëri, ai e quajti kryeministrin të padenjë, një udhëheqje që nuk përfaqëson popullin shqiptar, që po e çon vendin drejt modeleve lindore dhe që vret shpresën tek qytetarët e thjeshtë.

Pas tij u shfaq organizata më prestigjioze e klasifikimit të standardit të lirive dhe demokracisë në botë, Freedom House. Ajo jo vetëm që ka zbritur Shqipërinë nga lista e vendeve pjesërisht të lira, por nxori po tek Zëri i Amerikës një zyrtar të lartë të saj, që shpjegoi se kjo vjen për shkak të vrasjeve të 21 Janarit dhe mosdënimit të korrupsionit.

Ambasadori Arvizu po ashtu u shfaq në Top Story me ndryshe se më parë, më surprizues dhe më konkurrent se herë tjetër me Xhon Uidhers. Premtoi se ka detyruar Berishën t’i bëjë gjyqin e 21 Janarit. I ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar garanci se qeveria do pranojë përfundimet e FBI. Ua kërkoi këtë dhe gjykatave. Dhe kur ua kërkoi, kishte parasysh se qeveria jonë, Berisha dhe gjykatat kanë hedhur poshtë një ekspertizë amerikane për një akt të pastër hajdutërie qeveritare. Ambasadori tha se tani e tutje Berisha do pranojë gjykimin tonë për atë që ka bërë më 21 Janar. Kjo nuk është pak.

Pyetja që shtrohet tani nga shumë qytetarë shqiptarë, të cilët kanë filluar ta përtypin skepticizmin që kanë ndaj Perëndimit dhe braktisjes së Shqipërisë në fatin e autokratëve të saj lokal, është se a kemi të bëjmë me një qëndrim të ri të Perëndimit ndaj Berishës, apo janë deklarata të rastit?

Po. Është një qëndrim i ri i Perëndimit. Përveçse Berisha u dha më shumë shembuj se sa kishin nevojë që po e keqpërdorte mbështetjen perëndimore, ai gjatë vitit që shkoi, vrau katër qytetarë që protestonin, vodhi publikisht një mandat dhe fali publikisht një hajdut të rëndësishëm të pushtetit. Pra, ai vrau shtetin ligjor, zgjedhjet e lira dhe u bë palë me mafien dhe krimin e organizuar. Jo se më parë nuk ishte, por tashmë ka kaluar në fazën që nuk është i lirë as të fshihet. Kur vrasin e duan në krye, kur vjedhin mandate e duan në ballë, kur vjedhin e duan partner… Nuk është i lirë të qëndrojë më larg tyre.

Dhe pikërisht për këtë, viti 2012 është viti që ai tenton t’i marrë të gjitha pushtetet në funksion të këtij mjedisi të ndotur ku mbretëron. Ai po tenton të marrë formalisht presidentin, KLD, kryeprokuroren dhe pastaj jo vetëm që nuk ka kush ta hetojë dhe gjykojë, por as kush të ngrejë më zërin kundër tij. Karshillëku që ai po i bën Perëndimit këto ditë, është gjëja më e mirë e mundshme që fuqizon fushatën ndërkombëtare kundër tij. Ka hyrë në spiralen e luftës me ta dhe nuk do ta ketë të lehtë të tërhiqet.

Jo se nuk ka dëshirë të tërhiqet, por nuk është i lirë ta bëjë atë. Për të mbuluar vrasjet e 21 Janarit, siç shihet i është dashur të shesë vrasësit tek viktimat. Nuk ia ka dalë. Për të mbuluar korrupsionin e Ilir Metës, i është dashur të bëjë përgjime banale nga policia e tij sekrete, që të banalizojë rëndësinë e video-skandalit të Ilir Metës. Nuk ia del dot. Për të mbuluar skandalin e vjedhjes së votave më 8 Maj, premton si Presidenti Saleh i Jemenit se do të ikë nga politika po humbi me vota…

Por asgjë nga këto nuk e bën dot. Nuk lë dot vetëm ata që kanë plaçkitur vendin, që kanë vrarë, dhe që kanë deformuar pushtetin në këtë vend. Ndaj do të jetë i detyruar të bëjë çfarë është e mundur të qëndrojë, duke i marrë të gjithë me vete deri në përplasjen finale me Perëndimin dhe shqiptarët. Nuk di të ikë ndryshe. Siç nuk diti të qeverisë ndryshe.

1 COMMENT

  1. Nje histori e shkruar me gjak: Hitleri, Stalini, Enveri.

    Keta njerez nuk ishin vetem; kishin me mijra njerez qe per ta torturonin e vrisnin, jo vetem me deshire, por edhe me qejf, athere ?
    Athere natyrshem lind pyetja: Perse historia perseritet gjithmonë?

Comments are closed.