TemA Online, 19 Janar 2012
Pasojat tragjike që 21 janari i vitit të shkuar la nuk ishin vetëm katër viktimat por dhe shumë të tjerë të cilët u rrahën nga policia apo dhe u plagosën nga plumbat e Gardës Republikane. Një prej tyre është dhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili përveç se mori një plumb në dorë gjatë raportimit në televizionin ABC News iu desh që të vuante dhe kërcënimet pushtetit për të mbyllur gojën për ngjarjen që për pak i mori jetën.
Me rastin e një vjetorit të kësaj ngjarja, gazetari Mahmutaj flet për agjencinë “AMA-NEWS” duke thënë se ka humbur besimin te drejtësia dhe në Shqipëri do të kthehet vetëm pasi nga pushteti të ketë ikur Sali Berisha dhe shpura e tij. Ai aktualisht ndodhet në Belgjikë dhe vuan ende kërcënimet e regjimit të Tiranës. Gazetari është i qartë se vrasja e katër protestuesve dhe plagosja e tij kanë ardhur nga garda republikane me urdhër të Lulëzim Bashës dhe Sali Berishës.
Jemi një vit nga ngjarja tragjike e 21 janarit 2011, mund të na bëni një përshkrim të asaj dite ku mbetën të vrarë katër protestues dhe ju u plagosët?
21 janari 2011 padyshim që do të mbetet dita që më solli dëmet më të mëdha në jetë. Është një ditë e zezë për mua, dhe për më tepër pasojat negative të saj po më ndjekin nga pas. I lutem të Madhit Zot që të shpëtoj nga kjo, por sicc duken gjërat edhe më pas, do vazhdojnë në të njëjtën rrjedhë. Atë ditë ndodhesha në punë, njëlloj si ditët e tjera. Po zhvilloheshin protestat e opozitës dhe kisha zgjedhur vendin më të pafavorshëm për raportim.
Ndodhesha sipër një platforme të vendosur nga gazetarët e Top Channel, por që ishte «pushtuar» nga disa qytetarë që thjesht po vëzhgonin protestën. Për fatin e keq të timin dhe të ndjerit Hekuran Deda, «Garda Revolucionare» e nisi qitjen nga neve. Mua me kapi plumbi në dorë teksa po raportoja direkt në televizion, ndërsa plumbi i radhës kapi në kokë të ndjerin Hekuran Deda duke i shkaktuar vdekjen. Pamje makabre dhe tmerri, ishin ato momente të cilat nuk i shlyej dot nga kujtesa.
Ku ndodheni aktualisht dhe me çfarë jeni duke u marrë?
Prej një viti ndodhem në Belgjikë, si azilant politik. Aktualisht po mësoj dy gjuhët kryesore të këtij vendi, frengjisht dhe flamisht, ndërsa ndoshta më vonë do më duhet edhe gjermanishtja. Jetoj në një banesë në njërën nga lagjet kryesore të Brukselit.
Ju atë kohë publikisht deklaruat se qëlloi garda republikane drejtimin tuaj, ku mbettë i plagosur në dorë dhe humbi jetën protestuesi Hekuran Deda, vijoni të keni të njëjtin qëndrim?
Sigurisht që i qëndroj këtij mendimi. Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë mendim ndryshe. Vrasësi jonë është Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Për mua nuk ka rëndësi se kush e tërhoqi këmbëzën, ndonjë nga gjashtë të akuzuarit apo dikush tjetër nga garda. Urdhri për të qëlluar mbi neve ishte direkt i Berishës, transmetuar gardistëve nëpërmjet syrit të nxirë të Ndrea Prendit nga badigardi i kryeministrit.
Ju u përballët me rrezikun e humbjes së jetës kur vetëm rastësia ju shpëtoi, cili ishte reagimi i eprorëve tuaj?
Eprorët! Ehh, fillimisht fshehën lajmin e plagosjes time. Pastaj u munduan të ndryshonin dëshminë time. Sedra më detyroi të jepja dorëheqjen nga «TV Turpi».
A morët një dëmshpërblim për dëmtimin që patët në punë?
Nuk më paguan asgjë veç rrogës deri ditën kur kisha punuar. Nuk më paguan edhe një muaj raport që më dhanë në spital. Por edhe unë nuk u kërkova të më paguanin. Nuk doja asgjë prej atyre. Madje edhe rrogën ma paguan në bankë se përndryshe do ua refuzoja. Le ta mbanin si kujtim prej meje.
Ju gjatë kësaj periudhe jeni shprehur se keni pasur kërcënime si personalisht por dhe familjarë tuaj, si është e vërteta e këtyre kërcënimeve, nga ju kanë ardhur?
Fillimisht, një javë pas 21 janarit u kërcënova nga një polic, i cili i përket strukturë që i bëjnë fresk familjes Berisha. U detyrova të ikja me mendimin se do mbetesha i qetë. Por nuk ndodhi një gjë e tillë. Më 20 shtator 2011 një tjetër polic i të njëjtës strukturë, qëlloi 6 herë me pistolete tim vëlla. Veç Zoti e shpëtoi. Kjo u bë shkak që familja ime të rikthehej në fshatin e origjinës në Mallakastër.
Si e shikoni situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria?
Ku thërret qameti. Një vend që nëpërkëmbet nga një njeri i vetëm dhe klanet e tij. Pa pikë turpi në mes të ditës ai gënjen, tallet, dhe ofendon gjithë shqiptarët. Më tepër se kaq gjendja nuk ka ku të shkojë.
A do te ktheheni ndonjëherë ne Shqipëri dhe kur? Nëse jo, përse ?
Në Shqipëri do të kthehem menjëherë ditën kur Berisha dhe klanet e tij të mos jenë në pushtet.
Çmendoni për kolegët tuaj gazetarë aktualisht në mediat e ndryshme. Si ju duket realiteti mediatik, a përkon me situatën, a ka ndryshuar dhe çfarë duhet bërë?
Media shqiptare aktualisht ndodhet nën presion të madh. Qeveria Berisha me të gjitha mënyrat vazhdon të masakrojë të gjitha mediat që nuk i bëjnë fresk atij dhe familjes së tij. Gazetarët sot në Shqipëri poshtërohen, hiqen nga puna, nuk u paguhen rrogat, u bëhet presion i hapur apo indirekt, dhunohen apo si në rastin tim u futet edhe ndonjë plumb. Kjo është fytyra e vërtetë e Berishës ndaj medias, ndërsa ky kryeministër palaço deklaron se mbështet lirinë e medias. Natyrisht duke bërë njehsim ndërmjet gaztorëve të medias me gazetarët.







