Nga Bledi Mane – Public Enemy, 17 Janar 2012
1./
Më pëlqeu organizimi i përvjetorit të 20-të i të rinjve socialistë re:FRESSH. Dallohej qartë nuanca anglo-saksone e eventeve të tilla politike, ide dhe fantazi kjo e Erjon Veliajt. Edhe ai pakëz nacionalizëm në këtë përvjetor të 100 të Pavarësisë ia shtoi lezetin festës, por mbeta i shtangur pse mes themeluesve të vërtetë mungonin si me porosi dy emrat që me të drejtë ishin promotorë potentë të këtij organizmi 2 dekadësh.
Duam a s’duam, i kemi miq a kundërshtarë, a kanë vlera a antivlera në këtë mozaik sharlatan të politikës lokale, mungesa e atyre të dyve nuk justifikohej.
Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, duhet patjetër të kishin ftesa speciale në përvjetorin e organizatës rinore eurosocialiste, të cilën e themeluan së bashku me Pandeli Majkon, Ilir Zelën e dhjetëra të rinj të guximshëm të asaj kohe të vështirë për ta.
Dua a s’dua unë, duan a s’duan aleatët a kundërshtarët e tyre politikë, çifti Meta-Kryemadhi janë pjesë e enturazhit historik dhe politik të FRESSH-it, jo të re:FRESSH-it.
Pavarësisht se tashmë çifti më i përfolur i showbiz-it gangster shqiptar janë kryqëzuar keqas nga opinioni publik, askush nuk ua heq dot të drejtën për tua rikthyer historinë edhe njëherë në pikën zero andej nga e nisën.
Në trurin tim gjithmonë kam gatuar e miksuar pyetjen: Pse kaq të suksesshëm e të pushtetshëm këta të dy?
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi është zyrtarisht një nga çiftet më ordinere që klasa dhe raca politike shqiptare kanë prodhuar në post komunizëm. Të dyve u mungon eleganca dhe sqima e mashkullitetit dhe feminitetit, pa belbëzuar asnjë fjalë shprehin vetëm me mimikë se çfarë niveli IQ kanë. Përveç njëri-tjetrit nuk besoj se kanë joshur seksualisht femër a mashkull tjetër në rini a në mesomoshë. Pasqyrojnë një lloj makutërie materialiste dhe hamëse të rrezikshme aq sa familjet e tyre do të kenë shpëtuar kur i kanë nxjerrë nga dera dhe i kanë martuar së bashku.
Pangopësia e tyre organike ka qenë dhe mbetet shqetësuese për çdo qeveri a opozitë në këtë vend. Pavarësisht profiteve të tyre financiare, ende nuk kanë qytetari të rafinuar dhe po t’i studiosh me kujdes duken nga mënyra si qethen, vishen, ushqehen madje edhe nga topat e ekzagjeruara të dhjamit që u shpërthejnë çdo 6 muaj sa nga tëmthat, sa nga poshtëbarkut, krahët apo vithet.
Budallallëkun, guximin trashanik dhe vulgaritetin e kanë ndërthurur sipas stinëve me krahun e tyre të armatosur dhe qysh prej 1998-ës ndjehen të paprekshëm.
Si për çudi janë të dy mjaft altruistë e kjo ndoshta vjen ngaqë sasia e madhe e pushtetit dhe parave që kanë akumuluar ndër vite u del e u tepron për parti a katandi.
I njoh të dy nga larg gjatë kohës kur merresha me trafikun e njerëzve dhe mbaj mend aty nga fundi i 1997-ës e deri nga fillimviti 2000 çorientuan tregun e vizave të Tiranës. Të dy edhe Ilir edhe Mona kishin akses të paparë nëpër ambasadat evropiane të Tiranës, por lidhjet e tyre me ambasadën e Republikës Serbo-Malazeze (të asaj kohe) dhe veçanërisht Greke kalonin çdo limit.
Bëjnë mirë e ndihmojnë këdo, por kurrsesi nuk prekin paratë e pasuritë e tyre. Japin edhe shpirtin me kusht që askush mos tu cenojë pushtetin dhe abuzojnë aq trashanikisht sa edhe ish- diplomatët gjysmë ilegalë palestinezë të Tiranës i kanë pasur idhuj këtë çiftin e politikanëve tanë.
Hakmarrës e aspak tolerantë kanë pritur e përcjellë deri tani mijëra mbështetës në parti e shtëpi të tyre, të cilët sapo kanë filluar t’i kritikojnë a tu flasin hapur kundër babëzisë rurale i kanë shkelmuar e zbuar përgjithmonë. Emrat e Pëllumb Xhufit, Sabit Brokajt, Fatos Klosit dhe sjellja brutale me ta gjatë 3 viteve të fundit shpalosin hapur primitivitetin anadollak të çiftit dhe moscenimin e karrierës së tyre në politikë.
Ndryshe nga bashkëshorti i saj, që të vetmen punë fizike produktive ka ngritjen e shtangave kur ishte adoleshent, Monika një tiranase me origjinë dibrane ka pasion të bërit pazare të shtrenjta dhe mbajtje dietash. Tentoi të këndonte me Majlinda Bregun 2 herë, por jo për faj të mikrofonit të Ardit Gjebresë nuk kishte njeri ta dëgjonte.
Pavarësisht sagës halabake të gjykimit të ish kryeministrit nga kasacionistët halabakë të kësaj republike, çifti Metë-Kryemadh iu shfaq publikut në mbrëmjen e së hënës në ekranin më blu, mu në kulm të poshtërsisë së pafajësisë. Gazetari blu me kollare rozë Blendi i opinioneve “oportune”, mbrëmjen e ftohtë të 16 janarit e pyeste Ilir babaxhanin për një tjetër video me protagoniste bashkëshorten Monikë dhe përgjigja ishte befasuese:
-”Moralin e ligjit dhe të institucioneve e kemi shumëzuar me zero. Kushdo që ka materiale komprometuese ndaj bashkëshortes sime t’i çojë në Prokurori. Të jeni të sigurt ju zoti Fevziu se gruan time, nëse ka shkelur ligjin, nuk do ta hedh nga ballkoni, nuk do t’i them as vdeksh, absolutisht, por të shkojë para Drejtësisë, të shkojë dhe në burg, sepse është nëna e tre fëmijëve të mi. Qëndrimi im është parimor dhe është i njëjtë për të gjithë.”
Jam në dilemë të di nëse ka ende njeri në këtë vend që beson paçavuret e këtij kopuku bythëderr?
Nuk e kuptoj sesi shfaqet ende ekraneve mëkatari që pardje duhej të zinte qelinë e Fatos Nanos më 1993 apo qelinë e Ivo Sanaderit që la bosh para dy muajsh. Shfaqet, gënjen si në karadak dhe pretendon se në ka video korruptive me Monikën, nuk do ta hedhë nga ballkoni, por do ia çojë prokurorisë.
Koha dhe financat kanë punuar rehatshëm për çiftin më qesharak që prodhoi politika e ndyrë e vendit tim. Nuk i kërkon njeri të flakë veten a Monikën prej ballkonit, por duam t’i kemi me jetë, me sy, veshë e logjikë për të parë sesi 21 janarët që do të vijnë paskësaj do të zbukurojnë Shqipërinë tonë e do të nxijnë Shqipërinë e këtyre të dyve dhe langaraqëve mendje palarë të kasacionit!







