Kush e turpëron Kosovën?

0
69

Mero Baze, 15 Janar 2012

Një miku im nga Prishtina na postoi një foto në të cilën shihet statusi që ka vendosur në facebook një njeri i qeverisë së Kosovës. Në ato pak rreshta ai përshkruan nuk e di në çfarë cilësie lutjet e Fisnik Ismailit që policia të mos ja shtrëngoj fort prangat dhe katandisjen e Albin Kurtit përtokë pas sulmit të policisë. Më duken pak të sajuara, por dua ti besoj se janë të vërteta. Dua të besoj se vërtet Fisnik Ismailit, artistit që I ka dhënë Kosovës Monumentin e parë simbolik pas çlirimit, “New Born” i kanë dhimb jo vetëm fizikisht prangat në duart e lidhura pas dhe Albin Kurti është rrëzuar “si refugjat” në tokën e tij, prej dhunës së policisë.

Pyetja që unë shtroj pas kësaj është, se kë nderon dhe kë turpëron kjo pamje?

Kosova është sot një vend i lirë, pse perëndimi u bind, për herë të parë në historinë e tij, se një pushteti i duhet hequr një territor nga duart, nese nuk respekton qytetarët e tij. SHBA dhe vendet perëndimore bombarduan Serbinë dhe ia hoqën nga duart Kosovën, jo për shkak të lutjeve tona patriotike apo mallkimeve për Evropën plakë, që na ndau si komb, por për një arsye të cilën ata që qeverisin Kosovën, sidomos ata që e qeverisin si “çlirimtarë”, nuk duhet ta harrojnë kurrë.

Është cinizëm i tepërt tashmë një pushtet i ri në Kosovë, të ndjehet mirë si policia poshtëron qytetarët e saj dinjitozë, dhe të tallet me dhimbjet fizike dhe njerëzore të qytetarëve që protestojnë. Pamjet e përshkruara nga i sipërcituari, nderojnë viktimat dhe turpërojnë pushtetin. Ato pamje turpërojnë Kosovën para Perëndimit, dhe ngjallin një instikt të vjetër të politikës së Prishtinës së viteve tetëdhjetë, kur në emër të nacionalizmit mund të burgosje dhe poshtëroje këdo.

Kosova ka sot nevojë më shumë se sa për policë brutalë, për qytetarë kurajozë, më shumë se sa për paranoja puçiste, për ballafaqim me kundërshtarët, më shumë se sa për gramafonë regjimesh, për qytetarë që ngrejë zërin për të drejtat e tyre. Ne e kemi parë foton e Fisnik Ismailit, duke i vënë gjoksin Ujit të makinave të policisë, kurse ky njeriu i regjimit të Prishtinës, e paska pa duke qarë, se i dhembnin prangat. Në të dyja rastet, në të dy pamjet, ai ka bërë diçka më krenare për Kosovën, se sa turpi i njeriut të pushtetit, që gëzohet nga pasojat poshtëruese të dhunës.