Faleminderit Kryeministër

0
21

Fatos Mahmutaj

I nderuar Kryeministër i vendit tim. As vetë nuk e kuptoj sesi ndodhi, por kjo deklarata Juaj e fundit për “informatizimin e plotë të fermerëve shqiptarë” më ka ngazëllyer jashtë mase dhe për këtë më duhet të të falënderoj nga shpirti. Po patët durim po Ju shkruaj me pak rreshta më poshtë gjithë arsyet që më kanë sjellë këtë gjendje, më të lumturën në një vit të plotë.

…gjithçka e imja nisi të rrokullisej keq e më keq pas plumbit që mora më 21 janarin e vitit të kaluar teksa ndodhesha në bulevardin Dëshmorët e Kombit duke bërë punën time si puçist. Po, po, puçist dhe pikë. Edhe pse nuk kisha atë ditë çadër pistoletë, apo thikë me helm, sërish puçist mbetem. Fundoja ç’më duhej mua t’iu tregoja shqiptarëve, aq më tepër në televizionin Tuaj, që Garda Juaj, po qëllonte mbi njerëzit!? Ta lëmë këtë temë, pasi ajo punë dihet mirë, se çfarë ishte 21 janari me të vërtetë. Puç dhe pikë. Unë, ashtu si Juve, nuk e besoj prokurorinë.

Që të dalim në temë i nderuar Kryeministër, më duhet të të tregoj edhe diçka të vogël. Pas ikjes time jashtë vendit, një polic, për të cilin gojët e liga thonë se i bën fresk Familjes Tuaj, provoi pistoletën drejt tim vëllai. Po si provë që ishte, doli shumë keq, pasi vëllain tim nuk e kapi asnjë plumb, nga 6 që i adresoi qitësi. Kjo u bë shkak që im vëlla të linte shkollën, dhe familja ime banesën në Tiranë dhe të ngujohej në fshatin e origjinës. Po do ti që u doli më mirë kjo punë…

Me të shkuar në fshat im atë iu rikthye me qejf profesionit të vet. (Një copë agronom-pensionist është). Jo sipas mendimit të tij, por sipas porosisë Tuaj, nisi të mbjellë ullinj edhe ato pak sipërfaqe që nuk kishte mbjellë më parë. Por edhe ai duke qenë pak puçist, (unë nuk ka mundësi të jem ndryshe: Bëm baba të të ngjaj), refuzoi të blinte fidanë në pikat e shitjes të biznesmenëve, për të cilët thuhet se qëndrojnë pranë njerëzve të pushtetit.

Kot më kot, im atë nxorri justifikimin se ato fidanë ishin të papërshtatshëm dhe OMGJ. Po kështu ai nuk pranoi t’i mbillte në mënyrën e propozuar nga Juve, por në një distancë më të largët, pasi beson ende në dogma të vjetra, të dala boje, të tipit: Ulliri është bimë shekullore dhe ka nevojë për hapësirë. Mos ia vër re, i ka mbetur ora në kohën e Enverit, kur ka bërë shkollën. Edhe arroret, im atë i ka mbjellë prej kohësh, kurse nga lajthitë ka ca alergji se nuk i bën vendi andej nga fshati im. Kështu thotë im atë.

Gjithsesi, i dashur Kryeministër, se u hallakata njëçikë më sipër. Im vëlla, i cili prej disa muajsh sillej kot më kot nëpër fshat, siç duket, nga dje e ka gjetur veten tamam. Aty në Tiranë, ai, krahas punës që bënte për të fituar noj pare xhepi, (nuk duhet besuar kur flitet se punonte që të mbante frymën gjallë), bënte edhe një copë shkollë për Inxhinieri Elektronike. Kur u kthye në fshat, bashkëfshatarët e paragjykuan, duke i thënë atij, apo pëshpërisnin me njëri-tjetrin, se ajo lloj shkolle nuk i duhej askujt në katundin tonë, ku veç tjerash ka drita vetëm dy orë në javë.

Por ja i nderuar. Le të plasin tani të gjithë fshatarët e poshtër. Bam le t’ia bëjnë. Nuk më bëhet vonë fare. Ata i punojnë ende tokat me krahë, qè apo gomerë, dhe veç tim vëllai në atë fshat nuk e kupton askush çdo me thënë bujqësi online. Tani katunarët vdesin të shohin njëçikë kompjuter me sy. Mirë ua ke bërë që u jep pensione sa gjysmë thesi miell në muaj. Mirë ua ke bërë që invalidëve u ke prerë ndihmën ekonomike. Mirë ua ke bërë që nuk e ndihmon aspak komunën time. Ashtu më të lumtë, që të mos kenë bukë të hanë. Jo, po … duan edhe kompjutera ata.

…Tani edhe im vëlla, me thënë të drejtën, nuk ka para ta blejë një lap-top tipi i fundit, apo qoftë edhe një kompjuter të thjeshtë, por të paktën televizor ka, dhe prej atje informohet rregullisht, (sa herë që ka drita), mbi deklaratat Tuaja Htc. Asnjëri prej bashkëfshatarëve të mi nuk të kishte kuptuar dje. Mirë bën që u kthen ndonjë të ri të shkolluar në fshat.

Deri tani, të gjithëve fëmijët u kanë ikur nga shtëpia gjasme për shkollë, dhe jo vetëm që nuk janë kthyer më pas, por hapin edhe llafe se gjoja fshati nuk bëhet më. Hë, po tani ç’do thonë!? Bashkëfshatarët e mi, justifikojnë injorancën e tyre se gjasme nuk u del hesapi të kenë teknologjinë e fjalës së fundit të elektronikës pasi mezi ngopin barkun me bukë. Kot ia fusin. Mos iu beso. Edhe unë vetë, që i njoh mirë nga sot nuk do i besoj më.

Fundoja, tani iu është ulur koka katundarëve të poshtër që e paragjykuan shkollën e tim vëllai. Ja pra që i duhet Inxhinieria Elektronike edhe në fshat. Oooo sa mirë. Familja ime (sapo të ketë para për të blerë një kompjuter) do menaxhojë bujqësinë njëlloj si Farmville. Edhe këtej nga Belgjika ku jam unë tani nuk ndodh kështu. Do vij të kthehem aty në parajsën tënde të merrem me bujqësi. Ohhh sa më bëhet qejfi! Të paskam akuzuar më kot për persekutimin tim dhe të familjes time. Më ndje.

* Bruksel më 11 janar 2012 / Autori është një nga gazetarët e plagosur nga plumbat e Gardës së Republikës në 21 janar. Është larguar nga Shqipëria