Nga Mero Baze, 9 Janar 2012
Ka dy debate mbi rrugën e zgjedhjes së presidentit. I pari ka të bëjë me nevojën e një presidenti të zgjedhur me konsensus, dhe i dyti me pamundësinë kushtetuese për tu çelur votimi pa opozitën në sallë. Debatin e parë, atë të nevojës për një president konsensual, e ka artikuluar i pari kryetari i opozitës dhe duket se po mbështetet dhe nga faktori ndërkombëtar.
Ambasadori i OSBE, Wollfarth, i cili nuk para flet gjëra që nuk i pëlqejnë qeverisë, ka artikuluar nevojën për një president konsensual gjatë takimit me Avokatin e Popullit. Debati i dytë, ai i pamundësisë së çeljes së votimit për presidentin pa prezencën e 84 deputetëve në sallë, po mbështetet si legjitim nga ekspertët më të njohur në vend të Kushtetutës, përfshi dhe ish- kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Të dyja debatet kundërshtohen nga Berisha, i cili flet për një president të PD-së dhe të zgjedhur me 71 vota, duke injoruar Kushtetutën, opozitën dhe faktorin ndërkombëtar.
Në këto kushte shihet qartë se kryeministri Berisha po hyn në spiralen e konfliktit me Perëndimin për të ardhmen e institucioneve në Shqipëri, vetëm gjashtë muaj larg ëndrrës për t’i pasur gjithë pushtetet në dorën e tij. Pas marrjes së presidentit, ai do të zgjedhë kryeprokurorin e ri, ndërkohë që gjykatat shqiptare mezi presin të parakalojnë para tij në revistë nderi me qëndrimin “gati tu”.
A është në kohë Perëndimi ta ndalë këtë konflikt?
Është vonë dhe me kosto të lartë. Mekanizmi i vetëm politik që ka në dorë Perëndimi në këto momente është të kushtëzojë marrjen e ftesës së Shqipërisë për në BE me presidentin konsensual ose të zgjedhur sipas Kushtetutës, por jo sipas asaj “Kushtetutës” që lexon Berisha. Në kushtet kur opozita ka plotësuar detyrimet e veta ndaj BE, dhe ambasadori danez që ka kreun e Presidencës Evropiane e tha qartë se bojkoti i opozitës nuk e ka penguar integrimin, Perëndimi duhet të fokusohet qartazi dhe pa ekuivok në një fjali të vetme: ‘Nëse Berisha merr Presidentin pa konsensus, ai shpallet fajtor për lënien e Shqipërisë jashtë dyerve të Bashkimit Evropian’.
Kjo nuk është se e shqetëson Berishën, por mund të shqetësojë dhe të zgjojë nga gjumi pak më shumë shqiptarët në vitin elektoral që pason zgjedhjen e presidentit. Mekanizma të tjerë politikë që të ndikojnë mbi Berishën nuk ka më. Ky është i vetmi mekanizëm që ka në dorë Perëndimi dhe që lidh të ardhmen perëndimore të Shqipërisë me konfliktin e Berishës me Perëndimin.
Në një situatë shumë më pak të favorshme në vitin 2001, edhe pse socialistët i kishin votat për një shumicë presidenciale, Perëndimi kushtëzoi zgjedhjen e një presidenti konsensual, për të ndalur kandidimin e Fatos Nanos për president. Kushtëzimi ishte informal, duke ua bërë të qartë në tavolina se Perëndimi do stoponte mbështetjen ndaj Shqipërisë në rast se nuk merrej parasysh kërkesa. Edhe pse Shqipëria nuk ishte në këtë fazë delikate që është për hapin vendimtar drejt Bashkimit Evropian, atëherë socialistët në pushtet e pranuan këshillën e Perëndimit dhe u ulën me Berishën për të zgjedhur një president konsensual, që ishte Alfred Moisiu.
Edhe pse socialistët kishin vota për të qeverisur, Perëndimi e konsideroi shumicën presidenciale të socialistëve si jolegjitime, dhe kërkoi të zgjerohej baza e mbështetjes. Berisha po përballet me një situatë shumë më të vështirë. Ai nuk e ka as numerikisht shumicën presidenciale si parti. Aleati i tij politik dhe numerik, Ilir Meta, është në ndjekje penale dhe kërkohet të burgoset nga prokuroria për korrupsion.
Kështu, mekanizmin e vetëm politik që ka Perëndimi, pra marrjen e ftesës në qershor, duhet ta lidhë me dy çështje që prekin thelbin e një shteti ligjor me standarde perëndimore në Shqipëri, qëndrimin e drejtësisë ndaj Ilir Metës dhe qëndrimin ndaj 21 Janarit.
Një arrestim i tij do të trondiste bazat e koalicionit, kurse një vendim i paturpshëm i Gjykatës së Lartë për ta lënë të lirë, do të trondiste bazën e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri duke humbur shpresën përfundimisht tek drejtësia. Në të dy rastet, një Presidencë e Berishës do t’i përkeqësonte këto gjëra, si qeverisjen, ashtu dhe drejtësinë, pasi do të forconte këtë frymë dhe Perëndimi do ta konsideronte të papranueshme.
Nëse i referohemi pozitivisht rastit të Kroacisë, arrestimi i ish- kryeministrit i dha shtysë procesit të anëtarësimit në BE, jo formalisht, por si një proces bindës ligjor në favor të shtetit të së drejtës. Për Ilir Metën ka një perceptim popullor që tejkalon një Juri Kombëtare, për faktin se është faktor dhe një pretencë prokurorie profesionale. Lënia e lirë e tij nën presionin e milionave të pushtetit, do të ishte një dënim i madh për Shqipërinë.
Një mekanizëm tjetër që Perëndimi mund të përdorë për të kushtëzuar Berishën është hetimi i 21 Janarit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat zyrtarisht kanë konfirmuar fshirjen e serverit të kryeministrisë më 21 janar dhe kopjimin e atij serveri para fshirjes, së bashku me aleatët evropianë duhet të dalin në krah politikisht prokurorisë shqiptare për të kërkuar hetimin e Sali Berishës dhe arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë që ka bërë këtë akt të vetëdijshëm kriminal.
Kësaj akuze i duhen bashkuar kundërshtimet e kryeministrit për të dorëzuar gardistët e dyshuar për vrasje. Ky akt është vendimtar, jo për të bërë pazar me Berishën për Presidentin, por për t’i dalë të keqes përpara qershorit, kur presidenca dhe prokuroria do të jenë mekanizma të Berishës dhe ky krim politik do varroset së paku për 5 vjet, duke e inkriminuar dhe më shumë Sali Berishën.
Këmbëngulja tek arrestimi i zyrtarëve të lartë të Kryeministrisë dhe futja e Sali Berishës nën hetim për zhdukje të qëllimshme të provave të një krimi politik, në rrethanat aktuale nuk mund të bëhet pa mbështetje të qartë të Perëndimit dhe pa një gjuhë të qartë, njëkuptimëshe, që kërkon akte konkrete urgjente drejt gjykimit të vrasësve të 21 Janarit. Një Sali Berishë me çështje penale të hapur, është garanci më e madhe për zbardhjen e këtij krimi politik se sa një Sali Berishë president.
Zbardhja e krimit politik të 21 Janarit, dhe dalja para gjykatës e vrasësve fizikë dhe urdhëruesve të tyre, e lë Berishën jashtë presidencës. Perëndimi ka pak shanse, për të mos thënë asnjë shans të detyrojë Berishën të jetë konstruktiv, nëse nuk përdor drejtësinë për të nxjerrë në shesh fytyrën e krimit politik dhe korrupsionit në Shqipëri. Kjo duhet bërë tani, këtë javë, këtë muaj, këto kohë kur Berisha ende nuk ka marrë në dorë gjithë shtetin. Nëse vonojnë, do tu shkojë më shtrenjtë. Së paku më shtrenjtë se fatura e forcave ndërkombëtare në vitin 1997.
Dy debate per rrugen e zgjedhjes se Presidentit:
– Nevoja e nje Presidenti konsensual
– Pamundesia e votimit ( pa opoziten)
Kjo eshte fatkeqsia me e madhe qe eshte duke i ndodhur popullit tone : PRESIDENTI KUKULL i lojrave politike te nje klase politike te korruptuar,te mbeshtetur nga nje masmedie e korruptuar qe vazhdon ta mbaje kete popull ne injorance te te vertetave:Jemi perball nje problemi social dhe politike ku sahanlepirsit,media,perfshire dhe gazetarin e ashtuquajtur ne teme,bejne te njejten gje krijojne tym dhe pluhur qe populli te mos kuptoje asgje.
Problemi nuk eshte zgjedhja e nje presidenti KONSENSUAL:qe praktikisht do te thote nje President KUKULL,ne doren e e nje klase politike te korruptuar,por :
Vendi ka nevoje per drejtim me drejtesi :
– Nje pushtet legjislativ real, me shqiptare qe njohin drejtesine, por mbi te
gjitha qe jane te drejte, te ndershem, dhe me karakter
– Nje ekzekutiv qe i pergjigjet realitetit, Parlamentit, detyrave te se sotmes
dhe te ardhmes me persona qe dijne te mbajne pergjegjsi, kane kompetenca,
ndershmeri, drejtesi dhe seriozitet.
– Nje pushtet gjyqesor qe zbaton ligjin, ai ne radhe te pare: “Te gjithe jemi
te barabarte para ligjit”; qe nuk e shkel ate, por e zbaton ne perputhje me
standartet europiane e boterore me te mirat. I perbere nga juriste qe dine, qe
kane dhe qe jane te ndergjegjshem per rolin e tyre.
– Organe te garancise se funksionimit te regullt ligjor:
1) President te zgjedhur nga populli, dhe jo nje kukull te kompromiseve
partiake
2) Nje gjykate kushtetuese, sovrane ne çeshtjet e kushtetutes dhe kur s’eshte
ne gjendje per sovranitet t’i drejtohet Sovranit, popullit.
Comments are closed.