TemA, 26 Shkurt 2013
Ndërkohë që Kosova reagoi duke hequr nga tregu dy lloje qumështi, të prodhuar në Shqipëri me arsyetimin se është i kontaminuar, autoritetet shqiptare deklaruan se ata i bëjnë kontrollet rregullisht dhe u rezulton se qumështi ynë është në rregull.
Megjithatë ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, urdhëroi një kontroll të dytë, që do realizohej nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimeve. Analizat janë kryer dhe është konfirmuar ajo që është zbuluar dhe në Kosovë: që qumështi përmban aflatoksinë mbi normat e lejuara, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.
AKU ka kërkuar që produktet e kompanive Primalat dhe Fast të hiqen nga tregu, ndërkohë që do bëhet një analizë e dytë.
Kompanitë në fjalë nga ana e tyre thonë se ata po sulmohen qëllimisht për t’u dëmtuar biznesin.
“Rezultatet paraprake të dala nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare na bëjnë të dyshojmë, që norma e aflatoksinës në ato parti malli të dyshuara, pra që janë të deklaruara edhe nga institucioni homolog në Kosovë është mbi nivelin e Bashkimit Europian. Ne jemi duke punuar për të identifikuar se nga vjen një shkallë e tillë, sepse industrinë e kemi gjatë gjithë kohës nën kontroll,” thotë kreu i AKU-së, Artan Gjergji.
Në deklaratën zyrtare thuhet se vende të ndryshme kanë nivele të ndryshme të lejuara të aflatoksinës, duke marre si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë norma të lejuara edhe më të larta.
Burime të Top Channel thonë se në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare nuk ka pasur reagentë të mjaftueshëm për kryerjen e analizave të aflatoksinës. Nga ana tjetër drejtori i AKU-së deklaron se kjo analizë u krye vetëm pas sinjalit të ardhur nga Kosova dhe vetëm për këto marka qumështi, ndërkohë që nuk janë kontrolluar llojet e tjera që qarkullojnë në treg. Sipas Gjergjit, gjatë vitit 2012 janë kryer 17 analiza për aflatoksinën dhe kanë rezultuar negative.
“Aflatoksina nuk hyn tek analizat rutinore që i bëhen një subjekti, një operatori të biznesit ushqimor që operon në fushën e industrisë së qumështit. Megjithatë ligji për ushqimin lejon Autoritetin Kombëtar të Ushqimor, që në rastin e një denoncimi apo fenomeni të caktuar, ne të hyjmë në veprim dhe të marrin mostra përkatëse”, tha Gjergji.
Analiza per aflatoksine duhet bere qe ne ushqimin që u jepet kafshëve të qumështit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore. Më pas kjo analizë duhet të bëhet sërish në mënyrë të vazhdueshme kur qumështi ambalazhohet dhe hidhet ne treg nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Por për mungesë fondesh kjo analizë nuk është kryer as nga ISUV dhe as nga AKU.
Ndërkohë që për produktet qe importohen autoritet tona të kontrollit mjaftohen vetëm me letrën që i shoqëron ato. Kreu i AKU-së nuk i është përgjigjur deri në fund interesit të gazetareve lidhur me pyetjet e shumta që kishin për këtë çështje.







