TemA, 5 Janar 2012
Zyra e shtypit pranë Ambasadës Amerikane ka zbardhur një intervistë të ambasadorit Aleksandër Arvizu, dhënë për televizionin Ora News para pak ditësh dhe e ka nisur sot për mediat. Në intervistë ambasadori flet për akuzat që i bëhen si mbështetës i PD. Ai thotë se do që vendi të ketë një opozitë të fortë, dhe nëse ajo fiton zgjedhjet, kjo gjë do ishte shumë e mirë për vendin. Gjeni më poshtë pjesë nga kjo intervistë.
Pa dyshim ju shiheni si Ambasadori më karizmatik në sytë e shqiptarëve dhe kjo ju ka bërë që të jeni gjithmonë në qendër të vëmendjes. Si ju bën të ndiheni që shqiptarët gjithmonë presin një opinion nga ju, përfshirë politikën? Prej jush dhe kolegëve tuaj ambasadorë?
Si zakonisht mendoj se jeni tepër bujar mbi mënyrën se si ndihen njerëzit, por e vlerësoj mendimin. Nuk e di që njerëzit të jenë të interesuar se si ndihem mbi disa çështje dhe përpiqemi t’i themi gjërat në një mënyrë që është konstruktive, që është ndihmuese. Stili im vetjak është që të jem ndoshta pak më shumë i drejtpërdrejtë. Përpiqem që të mos i vë në siklet njerëzit, pasi nuk mendoj se kjo është fare konstruktive. Nuk mendoj aspak se ky është roli im si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara. Përpiqem të jem shumë i sinqertë, por pjesa më e madhe e sinqeritetit tim shfaqet privatisht.
Mendoj se ndonjëherë aktorë të ndryshëm shqiptarë shohin drejt aktorëve të huaj dhe ata duan që dikush të jetë në anën e tyre, dhe nëse ata nuk janë në anën e tyre, atëherë janë me palën tjetër. E dini, u përket atyre të vendosin se çfarë duan të bëjnë, por stili im është… Nuk mendoj se është e dobishme të jesh dikush që ndihmon të tjerët të arrijnë qëllimin e tyre, një ‘lehtësues’. Dhe nuk përpiqem të jem lehtësues për qeverinë, nuk përpiqem të jem lehtësues për opozitën. Nuk mendoj se do t’i bëja favor dikujt nëse do të isha mbështetës i tyre.
Do të jem i sinqertë. Disa njerëz më kanë thënë “ju mbështesni PD-në”. Mendoj se është një thënie qesharake, është plotësisht qesharake. Është detyra ime që të kem një marrëdhënie të mirë dhe konstruktive me qeverinë dhe mendoj kjo është ajo që unë kam bërë. Dhe kam punuar shumë për ta bërë këtë; jam krenar për këtë. Nuk ndihem aspak i sikletosur ose i turpshëm për këtë. Kemi pasur disa mosmarrëveshje, përfshirë procesin e numërimit të votave më 8 maj. Mendoj se kam një marrëdhënie të mirë me opozitën, gjithashtu. Jam kritikuar nga disa të shtypit që priren të kenë një pikëpamje opozitare. Dhe e dini, kjo është në rregull, nuk më vjen keq për pak kriticizëm. Por, ndonjëherë, nuk jam dakord me bazën e atij kriticizmi.
Meqenëse ma bëtë pyetjen, mund të përfitoj nga kjo intervistë e drejtpërdrejtë për të thënë se unë dua që opozita e këtij vendi të jetë e fortë. Dua që opozita në këtë vend të jetë konkurruese, kështu që kur të jenë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të planifikuara për 2013, platforma e opozitës t’i prezantohet popullit shqiptar, dhe nëse është bindëse, dhe ne punojmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të forcuar kodin në mënyrë që votat të përllogariten saktësisht; nëse është vullneti i popullit shqiptar dhe opozita fiton, mendoj se kjo do të ishte shumë mirë për vendin.
Por, ata duhet ta fitojnë këtë dhe duhet të jenë të mençur mbi atë se si do ta bëjnë këtë. Pra, ideja ime është “mos prisni nga unë që të jem lehtësuesi”. E dini, mund të shihni gjetkë për ta bërë këtë. Unë nuk do ta bëj këtë. Ndoshta, nëse kjo është ajo që ju doni, duhet të prisni për ambasadorin e ardhshëm. Kjo nuk ka për të ndodhur me mua, por do të punojmë së bashku me ju për t’u siguruar që ju të jeni të fortë, që platforma juaj të dëgjohet, si dhe do të përpiqem shumë për të forcuar kodin zgjedhor dhe mjetet e tjera për t’u siguruar se ka transparencë në procesin e votimit dhe procesin e fushatës.
Z. Ambasador, për t’iu rikthyer ngjarjve të 2011. Ato nisën me 21 janarin dhe më pas zgjedhjet që shtuan tensionin, veçanërisht në Tiranë. Diku nga fundi i vitit pati konsensus për t’u përqendruar mbi axhendën e çmuar të integrimit. A e mundësuan ndërkombëtarët arritjen e kësaj shkrirjeje? Pak shqiptarë besojnë se politikanët shqiptarë janë në gjendje ta gjejnë vetë konsensusin.
E vlerësoj pyetjen. Është pak e vështirë për t’iu përgjigjur. Sigurisht mendoj që bie mbi ne, bashkësinë diplomatike këtu në Tiranë, por edhe në vende si Uashingtoni dhe Brukseli, të përpiqemi të ofrojmë këshilla konstruktive, ide, dhe nëse është e nevojshme kriticizëm. Mendoj se zëri ynë ka qenë shumë i qartë në pasojat e 21 janarit dhe madje përpara 21 janarit. Shtetet e Bashkuara, në veçanti, dhe unë personalisht, e ndjemë se ishte shumë e rëndësishme që zgjedhjet vendore të zhvilloheshin siç ishin planifikuar. Mendoj se ishte diçka e mirë për vendin që ato u zhvilluan. Mendoj se kishte shumë përmasa pozitive ndaj zgjedhjeve vendore. Mendoj se kjo përmbahet në raportin e ODIHR-it.
Nëse e lexon me objektivitet, do të gjesh se kishte shumë përmirësime. Fatkeqësisht, sikurse e dimë të gjithë – dhe më kujtohet kur thërrisje emrat në votat e Njësisë Nr. 5 në orët e fundit – kishte shumë debat rreth rezultatit të garës më të madhe se të tjerat. Ishte një lloj gare për të gjithë ne. Më lejoni t’i kthehem pyetjes suaj. Mendoj se zëri i bashkësisë ndërkombëtare ka pasur një rol të rëndësishëm këtu në Shqipëri, ndoshta më të rëndësishëm se në pjesën më të madhe të vendeve. Ia lë njerëzve të vendosin nëse kjo është e mirë, ose e keqe, ose asnjanëse, por mendoj se ky është fakt.
Mund t’ju them se nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara, për shkak se duam të jemi ndihmues, duam të forcojmë institucionet shqiptare, ne duam të forcojmë demokracinë shqiptare. Por, në fund, nuk do ta mbivlerësoja rolin e ndikimit ndërkombëtar ose të bashkësisë ndërkombëtare. Në fund, mendoj që janë aktorët kryesorë këtu ata që duhet të vendosin. Dhe mendoj kjo është ajo që ata bëjnë. Mendoj se ka pasur një perceptim nga ana e opozitës, por edhe nga ana e koalicionit qeverisës, se “nuk po shkojmë gjëkundi. 2009-2010 kanë qenë një kohë e humbur, ndaj ndoshta duhet të përpiqemi të bëjmë diçka të ndryshme”. Ndoshta kemi ndihmuar paksa, por përfundimisht aktorët kryesorë kanë qenë ata që kanë marrë vendimin kryesor.
Të gjitha ngjarjet e pakëndshme për të cilat fola, a mendoni se ato e kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë?
Mendoj se imazhi i Shqipërisë ka vuajtur në 2011. Sërish, jam shumë i sinqertë, sikurse mendoj se doni që të jem. Së paku për Shtetet e Bashkuara – nuk mund të flas për Europën, ndaj do të flas vetëm për Shtetet e Bashkuara – Shqipëria është një vend shumë i largët. Njerëzit nuk i njohin në të vërtetë lojtarët kryesorë, atyre nuk u intereson – janë shumë të zënë me punë. Shqipëria është një vend i vogël në hartë. Më kujtohet se kur po kaloja përmes seancave shqyrtuese në senat doli një guidë nga Lonely Planet, një guidë kyç udhëtimi, që fliste se si Shqipëria ishte një vend tërheqës për t’u vizituar. Pati disa artikuj në New York Times (lexo: Nju Jork Tajmz). Pati pak gumëzhitje mes bashkësisë të investuesve amerikanë; investimet amerikane në Shqipëri janë shumë të vogla, por pati zhurmë që Shqipëria ishte një treg në rritje. Më kujtohet kjo shumë qartësisht. Dhe më pas patëm një problem shumë të madh me 21 janarin dhe ngërçin politik.
Njerëzit e dëgjuan këtë dhe u frikësuan nga paqëndrueshmëria. Kështu, nëse je Edi Rama, thua që është faji i Berishës dhe nëse je Kryeministri thua që është faji i Ramës, ose ndoshta faji i Presidentit Topi. Nuk e di. Kjo është shumë interesante dhe emocionuese në Shqipëri, por jashtë njerëzve nuk u intereson. Atyre nuk u intereson nëse është faji i Berishës apo nëse është faji i Ramës. Ata vetëm dinë që ka një problem në Shqipëri. Ka paqëndrueshmëri ose mjedisi nuk është favorizues për investimet, kështu që ndoshta do të shohim diku tjetër. Kështu, vendi humb. Kur dikush thotë “jo, është faji juaj” e dini çfarë, nga këndvështrimi amerikan është faji i të gjithëve.
Përsa u përket marrëdhënieve Tiranë-Uashington, a ishte 2011-ta një vit pozitiv? A ka ndryshuar ndonjë gjë gjatë 2011-ës?
Për pjesën më të madhe dhe për shumicën e çështjeve, mendoj se kemi punuar shumë, shumë mirë. Ju më keni dëgjuar më parë të them se jemi falenderues se Shqipëria është një forcë stabiliteti për rajonin, Shqipëria është një anëtare krenare e NATO-s, dhe po bën shumë gjëra. Ne bashkëpunojmë në Nju Jork në OKB, brenda rajonit. Ky rajon ka qenë në trazira të mëdha dhe konflikte vetëm pak vite më parë, dymbëdhjetë vite më parë, kështu që Shqipëria është një forcë tejet e madhe për stabilitetin. Qeveria ka ndjekur zhvillimet në Lindjen e Mesme, është në një dialog të mirë me Izraelin dhe me disa prej vendeve Arabe. Kështu, Shqipëria është një lojtar shumë, shumë i përgjegjshëm.
Të gjithë jemi të inkurajuar që Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa për të shtruar rrugën për integrimin e mundshmën në BE. Por, sigurisht jemi shumë të shqetësuar kur ka problem me korrupsionin, kur reforma gjyqësore ngec. Kam ndarë me ju këndvështrimin personal, por është një këndvështrim që ndahet nga Uashingtoni. Është këndvështrimi zyrtar amerikan. Ndaj, kur nuk ka përparim të njëtrajtshëm me forcimin e respektit për institucionet, për institucionalizimin e demokracisë, atëherë ky është një shqetësim për ne dhe është temë diskutimi mes qeverive, mes meje, përfaqësuesve të qeverisë dhe mendim-formuesve të partisë opozitare. Kështu duhet të jetë.