Shteti ne prove

0
43

Shteti ne prove

NGA: AFRIM KRASNIQI

Presidenti i Republikës ishte dje për vizitë në zonat e përmbytura në Lezhë dhe në Shkodër. Ditët e fundit atje ishin edhe kreu i qeverisë, i parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të ekzekutivit. Sepse, disa qindra familje ndodhen në situatë dramatike, mijëra banesa janë të bllokuara nga uji, përmbytjet masive kanë prekur një perimetër të gjerë të zonave periferike, sidomos në Shkodër. Siç pritej, qytetarët në nevojë kanë kthyer sytë nga shteti dhe presin prej tij ndihmë për kapërcimin e situatës. Kjo është dita kur shteti, institucionet përbërëse e përgjegjëse të tij, të veprojë, të funksionojë, të tregojë se është në gjendje të garantojë pronën dhe jetën e qytetarëve dhe se taksat e qytetarëve janë menaxhuar në mënyrën e duhur. Ndaj, edhe vizita të tilla, qoftë edhe formale kanë vlerën dhe ndikimin e tyre pozitiv. Ato janë shprehje solidariteti, mbështetje, inkurajimi, kujdesi dhe në raste të veçanta, mund të shërbejnë si rast për zgjidhjen e problemeve apo hapjen e një perspektive të re për qytetarët në pritje.
Vizitat e krerëve të shtetit edhe njëherë shprehën tiparet e tyre tradicionale. Aty ku nuk ka banesë për të futur kokën apo ku janë përmbytur nga uji rrugët, pemët, kafshët, prodhimet, etj, shteti, me porosi dhe urdhër, krijon kushte optimale për të qenë kudo të pranishëm një duzinë kameramanësh e fotografësh, me të vetmen detyrë, të fokusojnë fytyrën, sjelljen, fjalët apo porositë e titullarit politik. Zakonisht në shtetet perëndimore media e kërkon dhe e krijon vetë lajmin, tek ne në ditë të mira e në tragjedi, politika komandon median dhe lajmet e saj. Gjithsesi, ky është një model i vjetër që në Shqipëri është shndërruar në institucion, stil sjelljeje e mendimi, ndaj edhe nuk ia vlen të trajtohet më tej.
Ajo që bëri përshtypje të theksuara në rastin e vizitave të fundit zyrtare në Shkodër është sjellja joinstitucionale e shtetit dhe strukturave të saj, dyndja pas institucioneve të lidhura me pushtetin partiak, dhe përpjekja për bojkotim të institucioneve me konotacion kushtetues. Për shembull, çdo vizitë e kreut të qeverisë apo e kreut të parlamentit u shoqërua me një duzinë zyrtarësh, ministra, zv/ministra apo deputetë, prefektë, kryetar bashkie, drejtorë policie, shërbimi sekret, shefa ushtarakë dhe zyrtarë përgjegjës për emergjencat. Paralelisht, krahas delegacionit partiak qeveritar shkuan edhe zyrtarë të delegacionit partiak opozitar. Edhe ata të shoqëruar nga deputetë, zyrtarë dhe militantë lokalë. I treti dhe zyrtarisht edhe më i rëndësishmi, ishte delegacionit presidencial.
Presidenti është kreu i shtetit, dhe në raste të tilla edhe dy herë titullar: Komandant i Përgjithshëm i FA dhe titullari drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në çdo vend perëndimor dhe të demokracisë funksionale, kur Presidenti bën vizita të tilla, në krah të tij janë ministra dhe zyrtarë përgjegjës të fushës, titullarët më të lartë vendorë dhe ata të sigurisë. Në Shqipëri, vend në NATO, por në mentalitet sjelljeje ende në fazën parademokratike, në krah të presidentit u panë vetëm drejtuesit ushtarakë (direkt në varësi) dhe një kryetar komune. Munguan ministrat, zv/ministrat, drejtuesit lokalë në rang qarku e prefekture, munguan titullarët e policisë, të institucioneve të emergjencës civile dhe çdo nivel tjetër zyrtari pjesë e ekzekutivit.

Zyrtarisht nuk ka shpjegim, jozyrtarisht të gjithë kanë një përgjigje, natyrisht jo institucionale, një alibi me konotacion partiak. Nuk kanë rëndësi detajet teknike, u lajmëruan ose jo, ishin të zënë ose jo, kanë simpati personale për titullarin e shtetit ose jo. Çdo zyrtar ka bindjet e tij personale, por njëherësh çdo zyrtar i shtetit ka detyrë morale dhe kushtetuese respektin ndaj kryetarit të shtetit. Mesazhi që vjen tek qytetarët në nevojë dhe ata që ndjekin në media vizita të tilla është më se i qartë: Presidenti u bojkotua politikisht. Kështu ka ndodhur me kreun e shtetit tani, kështu ka ndodhur disa herë me të njëjtin president vitin e kaluar, kështu ka ndodhur me disa presidentë paraardhës, për të vetmen arsye, sepse liderit partiakë nuk e kanë me sy të mirë ushtruesin e funksioneve të kryetarit të shtetit.
Kjo sjellje nuk ka të bëjë me ligjin, dhe as Kushtetutën. Ajo është, në rastin më të mirë, sjellje joetike dhe në rastin më të keq, një praktikë antikushtetuese dhe antishtetërore. Në SHBA, republikanët zhvilluan fushatë të ashpër kundër presidentit aktual, por kur ai fitoi ose kur një koleg përdori fyerje ndaj tij, të gjithë u distancuan dhe çdoherë hyrjet e tij në sallën e kongresit priten me ovacione të përbashkëta. Në Itali, vizitën e presidentit Napolitano në Abruzzio e shoqëruan një duzinë politikanësh dhe zyrtarësh të ekzekutivit, në Gjermani aktivitetet publike të presidentit Kohler kanë gjithashtu të njëjtin protokoll. Në Francë, kryeministri pret e përcjell në aeroport presidentin, në Poloni, Bullgari, Kroaci, Hungari, Maqedoni, etj, dy titullarët e shtetit në shumicën e kohës të dekadës së fundit kishin mosmarrëveshje e mospajtime të thella deri edhe personale, por në çdo rast, Presidenti pritej, nderohej, shoqërohej dhe respektohej në lartësinë që e kërkon dhe e përcakton Kushtetuta dhe dinjiteti i një shteti.
Shqipëria, edhe në këtë pikë, bën përjashtim. Mentaliteti i trashëguar nga regjimi i kaluar, sipas të cilit kryetar real shteti dhe pushteti është Sekretari i Parë i KQ, më pas vjen Byroja Politike, sekretarët e partisë në rrethe dhe në fund, krejt në fund, ata drejtues institucioneve që nuk kanë kostume partiake, mesa shihet, është ende dominues. Kështu ka qenë me qeveritë e majta, kështu është për qeveritë e djathta, edhe pse këta të fundit si politikanë konservatorë do të duhet të kishin parim udhëheqës respektin për shtetin, hierarkinë, traditën dhe simbolet shtetërore. Politikanë që betohen për ligjin e Kushtetutën, por kur bëhet fjalë për veten e tyre, ata tregohen jo vetëm mospërfillës, por edhe inspirues të modelit të keq. Sepse, një politikan korrekt dhe i përgjegjshëm duhet ta pranojë se shteti nuk është një individ, por një mozaik kompleks institucionesh, pozicionet e të cilave nuk i përcakton dëshira e njërit apo tjetrit, por dokumenti thelbësor i funksionimit të një shteti, Kushtetuta.
Në rastin konkret, nëse dikush mendon se injorimi i detyrimit zyrtar, protokollar dhe etik për shoqërimin dhe informimin e presidentit mbi ngjarjet në Veri përbën një avantazh politik, është tërësisht i gabuar. Sepse, lajme të tilla i shtohen listës së kritikave perëndimore, ndikojnë në uljen e besimit publik tek politika dhe institucionet dhe në fazë më afatgjatë, mbajnë gjallë modelet e vjetra të mentaliteteve parti-shtet. Edhe për vetë qytetarët në nevojë në Shkodër apo Lezhë, nuk mund të bëhesh i besuar nëse u premton shtet e ligj dhe njëkohësisht i injoron të dyja për të goditur dashje apo padashje, kreun e shtetit, komandantin e përgjithshëm, kryetarin e KLD-së dhe titullarin e këshillit të sigurisë kombëtare.
Është e qartë se Shqipëria, në mos sot, nesër dhe në mos nesër, pasnesër, do të bashkohet me familjen europiane, aty ku tashmë bëjnë pjesë edhe elita e mendimit publik, mediatik, politik e diplomatik në Shqipëri. Dhe për të arritur aty, do të duhet që në radhë të parë shteti shqiptar, politika vendimmarrëse shqiptare, të jetë e përgjegjshme, qytetare, institucionale. Partitë krijohen e shkrihen, vjedhin ose fitojnë vota, vijnë ose bien nga pushteti, kurse shteti, institucionet dhe sidomos simbolet e tij, jetojnë shumë më gjatë se partitë dhe liderit partiakë. Ndaj, Çërçill kishte të drejtë kur shkruante se: “Liderit partiakë mund të bëjnë histori, por vetëm institucionet dhe respekti ndaj ligjit mund të bëjnë shtetin”, këshillë, e cila për Shqipërinë mbetet sfidë aktuale dhe sprovë e rëndësishme.