Kur futen të gjithë në një thes!

0
36

Isidor Koti, 26 Dhjetor 2011

Përgjithësimet janë gjithmonë një problem më vete sa herë gjykohet për çështje karakteri, formimi dhe kulture. Shembulli i fundit për një çështje që trajtohet shpesh me sportivitet, siç është shpenzimi i kohës së lirë te shqiptarët, u trajtua si një lajm i tipit “botë e çuditshme” brenda një jete të zakonshme të një vendi që pretendon se është në zhvillim. Fatkeqësia më e madhe është që ne e pranojmë këtë pjesë të zymtë të fatit që na ka rënë për pjesë dhe harrojmë se të tilla lajme shërbejnë si “ushqim” për të nxjerrë konkluzionet të tjerët, ata që paguhen për statistika dhe rekomandime.

“Shqiptarët janë përtacë të kultivuar ndër shekuj me një ëndërr të madhe për t’u pasuruar në një kohë shumë të shkurtër pa bërë asnjë punë”.

Ky ishte një model kabllogrami i amerikanëve në vitin 2008 dhe pas më shumë se tre vjetësh, duket se kjo situatë nuk ka ndryshuar aspak, madje vërteton një stereotip tashmë të ngulitur thellë në mendjen e të huajve për tiparet tona si shqiptarë.

Në këtë prizëm, duhen parë dy probleme të thella dhe me të vërtetë të rrezikshme. Së pari, tipizimi i një populli nuk mund të bëhet vetëm duke u nisur nga disa sondazhe me marzh të lart dyshimi, dhe së dyti, nuk po jepen skemat konkrete të shkaqeve pse ekziston kjo letargji dhe çfarë po bëhet për ta zgjuar nga gjumi “ariun”. Është për të ardhur keq që çdo standard gjykimi mbetet në nivele konstatuese, duke krijuar një imazh shpeshherë të gabuar.

Le t’i referohemi konkretisht çfarë u tha së fundi për ne shqiptarët nga një sondazh rutinor i Institutit të Statistikave. Shqiptarët, thuhet në vlerësimin e sondazhit, preferojnë të shpenzojnë shumë kohë duke ngrënë, fjetur dhe parë TV dhe shumë pak kohë duke punuar. Përveçse shqiptarët punojnë pak, ka një hendek të madh mes burrave dhe grave, sepse puna e ndërmarrë nga këto të fundit është e dominuar fuqishëm nga puna e papaguar, ndërsa puna e ndërmarrë nga burrat nga puna e paguar.

Më absurde është që këtë qëndrim e mbështesin dy institucione, ku një prej tyre ka edhe peshën kryesore të fajit, pikërisht Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, e cila indirekt “keqtrajton” shqiptarët, jo vetëm duke mos iu siguruar punë, por edhe duke i quajtur përtacë, njerëz që flenë 9 orë gjumë në ditë dhe qëndrojnë 5 orë në kafe. Dhe cili është “silazhi” që ofron Ministria?

Statistika aspak të besueshme, duke deklaruar me mburrje që më pak se 14% e shqiptarëve janë të papunë. Ministria, INSTAT apo çdo institucion tjetër që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë histori gri, mund të marrin si shembull edhe lulëzimin e pikave të basteve dhe sallave të bixhozit, të cilat mund t’i gjesh në çdo cep të vendit dhe gjithmonë janë plot me njerëz. Nëse këto institucione i quajnë vende pune këto raste, atëherë iu duhet kërkuar ndjesë.

Këto institucione ose edhe organizata të huaja që veprojnë në Shqipëri, apo kushdo tjetër, nuk mund të mohojnë një konstatim të tillë, se ka edhe një pjesë tjetër të medalies që po lulëzon. Është e sigurt që në këtë vend ka mijëra e mijëra shqiptarë që punojnë me dy turne për të siguruar jetën normale, ka shumë prej tyre që punojnë edhe natën para kompjuterit, në dhomën e leximit, ose duke bërë edhe roje, ç’rëndësi ka, por nuk është e vërtetë që të gjithë flenë 9 orë dhe rrinë në kafe 5 orë.

Këto konstatime mundohen të injorojnë atë çfarë është e vërtetë, duke marrë përsipër të raportojnë kryesisht atë që ekziston e shkruar në kokën e tyre dhe kur ballafaqohen me realitetin, e fusin kokën në rërë si struci, duke shmangur me buzëqeshje djallëzore ata që thonë të vërtetën dhe që sigurisht nuk janë të rezervuar.

Është për të ardhur keq që pas 20 vitesh demokraci në Shqipëri, ekzistojnë institucione në rolin e qenieve gjysma të bardha e gjysma të zeza, të cilat tregojnë vetëm anën e zezë të një realiteti që ka shumë gjëra që po ndryshojnë pozitivisht. Madje, turpshëm, po përpiqen të neglizhojnë çdo përpjekje shprese, në vend që të bëheshin pjesë kontribuese në këtë proces. Të vjen keq që po promovohet kaq pak shpirti i admirueshëm i sipërmarrësit, që e kanë treguar jo pak shqiptarë, të cilët përpiqen të konfirmojnë ekzistencën e ëndrrës shumë të përhapur jo për t’u pasuruar brenda natës, por për ta bërë natën ditë në funksion të punës dhe zhvillimit.

Është e vërtetë që ka shumë shembuj të përditshëm nga shoqëria shqiptare, të cilat mund të përmblidhen vetëm në një fjalë: Korrupsion, por ka edhe shembuj fisnikërie dhe ndershmërie, të cilat nuk mund të futen në të njëjtin thes.

Sondazhe dhe statistika të tilla kritikojnë stilin e jetës shqiptare, duke marrë përsipër të bëjnë edhe një publicitet negativ. E vërteta është që perceptimi shpeshherë orientohet nga stereoptipi që krijohet për një popullatë, kështu që gjeneza e këtij perceptimi mbi shqiptarët, pra të stereotipit që na është veshur e ka një autor. Për fat të keq ky autor është përfaqësuesi publik, në politikë dhe në çdo fushë tjetër që ka impakt dhe është faktor në krijimin e opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Në njëfarë mënyre, deri tani i kemi bërë “gjëmën” vetes, duke bërë rolin e vetëvrasësit pa krisma, duke punuar mjaft mirë për të keqen e vetvetes. Ka ardhur koha, edhe pse është disi vonë, por më mirë vonë se kurrë, që politika, media dhe opinioni publik t’i shikojnë me sy kritikë raportet që hedhin baltë mbi tipizimet ndaj shqiptarëve. Kjo nuk do të thotë të kundërshtohet e vërteta, por të dalin në pah anët pozitive si kundërpeshë e këtij realiteti, duke u bërë më objektivë në ndërtimin e imazhit tonë që kur të shkojmë para pasqyrës të mos nisim të shajmë vetveten siç kemi bërë deri më sot.

Këto janë hapa seriozë europianizimi, dinjiteti dhe inisiativa me perspektivë që të çojnë drejt një horizonti të ri, duke nisur që nga perceptimi. Kështu do të ngjitemi shkallë-shkallë drejt një realiteti të ri, të cilin nuk do ta shohim më me syze të erëta, por edhe me HD (high definition).