Arjan Th. Kallço
Të bënte përshtypje sot në lajmet e mëngjesit se kishte ndërruar jetë njëri prej ikonave të gazetarisë italiane, por i pafat, pasi dje dhe sot nuk dilte asnjë gazetë që të mund të shkruanin për të. Por nuk kishte problem se nesër do të ridalin gazetat, por është gazetaria on line që nuk mund të mos i bënte një homazh njërit prej gazetarëve më të mëdhenj të kohës, njërit prej figurave më të njohura të gazetarisë italiane, kronistit dhe shkrimtarit. Boka lindi në vitin 1920 dhe ishte gazetar që tregoi me rigorozitet për Italinë e paslufte deri më sot. Bëri, me disa miq të tij të ngushtë, historinë e gazetës “Republika”.
Presidenti italian Napilitano, që duhet ta ketë patur bashkëluftëtar gjatë rezistencës, e quajti një njeri koherent me zgjedhjen e vetëdijshme të tij të mejdanit për lirinë. Ja sesi e tregon atë histori menjëherë pas lufte vetë Boka : Në Italinë e çliruar dorëzuam armët ne partizanët dhe na kërkuan që të mbajmë disi në këmbë barrakën e shtetit. Mua që kisha komanduar një division të Drejtësisë dhe Lirisë, më ofruan një vend si zv/kuestor apo kryebashkiak. U thashë se preferoja një vend si gazetar tek gazeta Italia e lirë. Përshtypja e koinçidencës së trishtë të gazetave lidhet dhe me rolin e padiskutueshëm të partizanëve tanë gjatë luftës për liri.
Por nëse tek ne degradimi i gjithçkaje që lidhet me të merr përmasat alarmante të mohimit, shpesh janë qesharake dhe për të qarë hallin, në Itali askush nuk guxon që të hidhë baltë mbi Rezistencën partizane. Sa shumë kemi nevojë për refleksione në këto kohë të turbullta krize ekonomike dhe identiteti, pasi mohimi i vetvetes është një nga kulturat bajate të kësaj kohe që asnjë thirrje për koherencë nuk e mban dot në këmbë.
Partizani Boka, pas dorëzimit të armëve, vendosi që për të mbajtur në këmbë shtetin vendosi se kishte diçka më të mirë dhe të rëndësishme, sesa të futej në politikë : të flisje për atdheun, të udhëtoje dhe referorje, të takoje njerëz dhe të pyesje veten.
Në jetën pas lufte i qëndroi besnik gazetarisë, por pa e harruar të parën, Rezistencën, që e kishte formuar përgjithmonë. Leksioni i tij i referohet atyre viteve : profesioni gazetarit është shumë gjëra që mësohen bashkë : të shkruash qartë dhe shpejt, të kesh aftësi sinteze, të mos përhumbesh në dyshime dhe ezitime, të jesh i ditur, i hapur me botën dhe leksionet e tij, i aftë për emocione dhe solidaritet njerëzor. Të rinjve që e pyesnin se çfarë ishte sekreti u thoshte : Mos u shqetësoni, nëse ka një sekret, është ai që keni në mendjen tuaj, sekreti i atij që ka ka veshë për tingujt e krijuesit, e atij që ka sy për gjuetinë, për skermistin që di të mbrohet dhe sulmojë.
Më pas kaloi në një gazetë të vërtetë gjatë viteve të turbullta të pasluftës ku zbuloi kronikën e barrikadave, rendjet aventuroze në vendngjarje duke deklaruar se “politika është shpesh alibi që të vazhdojnë të vrasin”. “Dhe ne që tregojmë në gazeta atë që ndodh, jetojmë të dehur me rininë mes krimeve dhe rënojave të bombardimeve, në strofkat e lëna nga të humburit” – shprehet ai në atë kohë. Më vonë kalon tek gazeta Dita që e drejtonte një miku i vet ish partisan dhe thotë : isha 40 vjeç dhe e njihja zanatin.
“Kishte mbërritur momenti që të imponohesha dhe në lajmet e shkurtra kërkova shumë faqe” – thotë gazetari sapo mbvërrin tek redaksia. Janë vitet kur tek Dita që përfaqësonte të renë, hetimet e tij tregojnë Italinë e bumit ekonomik. Kronika mjeshtërore që u bënë shkollë për efikasitetin, personalitetin dhe kërshërinë. Leksione më të çmuara se një libër historie. Në vitin 1964 ndiqte olimpiadën e Tokios dhe meqë ndodhej aty, i kërkuan që të shkonte në Saigon ku u kthye disa herë për të treguar luftën në Vietnam.
Në vitin 1976 iu futën një punë të madhe bashkë me Skalfarin dhe Karaçolon duke themeluar Republikën, të përdtishmen kombëtare që të sfidonte konkurentët historikë të kohës si Korrieri i natës, Mesazhieri, Koha etj. Boka tregon për vitet e errëta të terrorizmit në Itali: “Ishte e vështirë të ishe gazetar në ato ditë. Armiku që mund të të vriste ishte komshiu apo një mik i djalit tend”.
Tregon për terroristët, duke shkuar në takime me ta, më pas për heronjtë e antimafjes që patën fatin e mbrapshtë të vrasjes si Dala Kieza, të cilin e takoi në Palermo dhe ku realizoi një intervistë që mbahet mend edhe sot, tepër të hidhur, zbuluese e izolimit që do ta çonte tek vrasja pas një muaji. Më vonë kthehet të tregojë për Italinë që ndryshon, sindakalizmin, bumin e disa krahinave në industri, Betino Kraksin kur ngjitet në shkallët e pushtetit, suksesin e Berluskonit me tv e ri komercial, legën e Bosit, sakrificën e ndërgjegjshme të Falkones dhe Borselinos.
Por Boka është edhe shkrimtar me libra autobiografikë si Provinciali, me tregimet për luftën partizane, historinë e luftës fashiste, biografinë e Toliatit dhe shumë të tjera. Në faqen e fundit thotë : Është shtypi bukuria! Aventura ime e gazetarisë, duke na dorëzuar një leksion të shpejtë : Ja qartësia si pajë kryesore e gazetarisë për të thënë se në fund të udhëtimit nuk eca verbërisht, nuk kuptova gjithçka, por veset dhe virtytet tona njerëzore i njoha”.