Nga Myslim PASHA
Atje ku ndodhet Ministri Pollo, shqiptarëve iu fanitet një INNOVACION dhe ata të shkretë, shqyejnë sytë, për t’i thirrur mendjes që të lëvizë prej vendit, e të vihet në kërkim se ç’a qenka kjo “qarratalleshë aliene” që na është poftisur këtu në Shqipëri.
Dhe ti u thua, “po, prit more shqiptar, mbahu mirë dhe kujto se në cilën botë moderne ndodheni, në këtë gjithëpërfshirje europiane, e kësilloj të duhet që të pranosh disa kushte, njëra prej së cilave të jetë ai sharku gjuhësor terminologjik me rrënjë në gjuhë të huaja”, siç është “Ministria e Inovacionit”… Bëj një herë përkthimin e pastaj ta kuptosh!”
Ministri Pollo nuk ka faj për këtë se është një vendim i epërm dhe ai s’ka dorë në këtë veshje të huaj, për shqipen tonë, kur aq bukur mund të ish edhe: Ministria e Përtëritjes Teknologjike edhe pse ndajshtimi “teknologji” është prapë i huaj.
Është një Ministri, së cilës nuk ia gjetën dot një emër në shqipen tonë të bukur ashtu sikundër ia kanë dyndur me emërtime në gjuhë të huaja këtë term e rënduan edhe më shumë duke ia shtuar edhe më tej: “të teknologjisë së informacionit…” që fare mirë mund të ishte përfshirë në vetëm dy fjalë, që e përmendëm atypari.
Nisma emërmëdha si “Shqipëria në moshën e internetit” tanimë e dështuar, “Censusi” modern i Shqipërisë, kaq i diskutuar dhe po kaq famëkeq, që s’e arriti dot një rezultat (!!!) kanë pasur firmën e të njëjtit Ministër.
“Censusi” u quajt nga shumëkush si “shtesë = appendix” e ngjitur nga vetë Ai.
Dhe këtu, ndofta, filluan edhe dyshime se a mund të ketë dorë në ndryshimet terminologjike, vet Ministri, apo jo? Sepse ai “censusi” edhe si term po edhe si proces i bartjes statistikore ishte një trazim i madh për shqiptarët, duke mos nxjerrë dot as një të dhënë, për të qenë. Kësisoj kanë vijuar edhe nisma e takime e tavolina diskutimore të Ministrit për t’iu shpalosur shqiptarëve vizionin gjithëpërfshirës të qeverisë(!) në kërkimin shkencor dhe përtëritjen teknologjike.
“Bëmat” e kësaj Ministrie nuk kanë të sosur. Së fundmi në prag të Krishtlindjeve na vjen edhe një tavolinë shqyrtuese, për GIS që u realizua në “Tirana International”, e cila mori një emër të madh: “Konferencë Kombëtare”. Kjo shkurtesë “GIS” duhet t’iu qartësohet shqiptarëve si: “Sisteme Gjeografike të Informacionit”, e cila në Konferencë u kumtua si “sistemi për informimin gjeografik”, e cila nuk bën të ditur dhe nuk shkon në hulli të termit, i cili ka kohë që është i njohur në vendin tonë, të paktën, dhjetë vjet më parë, me organizime projektesh, botime tekstesh, krijim të Agjencive private, tanimë shumë të njohura në Shqipëri, produkte të vlerësuara, dhe futje në lëndë universitare mësimore në shumë degë e Departamente.
Pra: ky nuk është një zbulim i ri. Ç’është edhe më keq me “inovacionin…” na del, sipas Ministrit Pollo, se “ndërtimi i sistemit për informimin gjeografik (GIS) është një bazë e mirë për një gjeodezi dhe hartografi moderne të kohës”
“Me të lujt ment’ e kresë. Or ti shoq!” Si mund të pranohet nga ata që ishin në atë tavolinë të rrumbullakët e diskutimore, një përkufizim i tillë, aq i pabazë dhe jo shkencor!? Si mund të pranohet se “Ai=GIS” është bazë e mirë për Gjeodezinë(!?) dhe “hartografinë” ( !?) Përcaktime të tilla e hedhin që në fillim poshtë atë tavolinë dhe prej këtu del më shkoqur, se pse punët janë bërë kaq “çorap” në Shqipëri, në dhjetëvjetëshin e shkuar në fushë të hartografisë dhe gjeodezisë. Aq më tepër kur “INNOVACIONI” na e shet këtë shqyrtim si një hap i epërm i zhvillimit teknologjik.
“Kështu ore të uruar, ju vijoni të lëshoni kumte të paqena, ashtu sikundër patët thënë: Fotografimi dixhital, do të tregojë me saktësi se ku është koteci i pulave (!?) kur ai produkt fotogrammetrik u porosit dhe u krye me paratë e taksapaguesve shqiptarë, e që më shumë prej “ngjyrimeve të tij rrëzëlluese” u keqpërdor nga “ALUIZNI”. E themi këtë, sepse ky fotografim e kish funksionin e tij thelbor në fushën e përtëritjes së hartografisë së rrënuar shqiptare (dhe të përtëritëse Kadastrale) dhe jo vetëm për dokumentet e ALUIZNI- t.
A e dini ju, se është një Institut Kombëtar që me ligj Kuvendor si Agjenci Hartografike Kombëtare (Instituti Gjeografik Ushtarak i Shqipërisë) që fatkeqësisht vijon të vegjetojë, pa krijuar, përtërirë dhe botuar asnjë hartë topografike të shkallëve 1: 25 000 dhe 1: 50 000 në shtatë vjet rresht, duke pasur në dorë edhe pajisjet hartografike dhe fotogrammetrike të kohës, si dhe “GIS” që ju po na quani pothuajse kaq të re (!!)
Kjo është një situatë dramatike, dhe do të duhej që, këshilltarët e Ministrit Pollo të kishin gjetur dhe sjellë informacion se ç’bëhet me IGJU që e menaxhon Ministria e Mbrojtjes, dhe që mbyll sytë e hesht ndaj kësaj gjendjeje. Një situatë e tillë nuk është as në Kosovën tonë të re. Ndërkaq, tek fqinjët tanë ballkanikë nuk bëhet asnjë hap për përtëritje të teknologjive gjeo-hapësinore, pa kryer në radhë të parë hartografimin e freskët dhe të saktë të secilit vend. Kurse, sipas tryezës suaj, ky GIS “do të jetë fillim për Gjeodezinë dhe Hartografinë…”
E shikoni pra, se Konferenca juaj nuk ka asnjë vlerë “inovacioni”, por është një shpërfaqje që bëhet enkas për “rrëzëllitje inovative” pa i rënë lapsit dhe argumentit shkencor dhe ekonomik se ç’bëhet vallë me këto institucione paralele që nuk prodhojnë asgjë, dhe këto agjenci të reja që do të krijoni, të cilat edhe pse janë të domosdoshme, në përvojën Europiane, ato kërkojnë studime e që mund të themelohen brenda institucioneve ekzistuese, ku ka profesionistë, të cilat nuk po drejtohen dot në kahun e duhur tekniko-shkencor. Dëmi është shumë i madh, si një humbje e kësaj përvoje në Shqipëri që duhej të shqyrtohej më së pari, nga Ju e mandej të shkohej në atë palo Konferencë të Inovacionit për GIS.
Dhe ky GIS është: një sistem gjeografik informacioni, një shkencë gjeografike e informacionit, që grumbullon ruan dhe analizon, paraqet të dhëna, të cilat përkojnë me gjendjen e tyre gjeo-hapësinore si një gatim hartografik e gjeodezik, me analizë statistikore dhe teknologji të bazës së të dhënave.
Do të duhet më parë që të mendohet se si të përtërihet hartografia Shqiptare se ajo është baza, mbi të cilin do të zhvillohet ai GIS-i.
Në këtë arenë shfaqjeje nuk mund të kenë vend për t’ua shpjeguar shqiptarëve me një gjuhë të tillë: “ky sistem është jashtëzakonisht i nevojshëm për të pasur një bazë ligjore standarde zyrtare, si dhe sisteme matëse, në mënyrë që gjithçka që është në terren, të ketë pasqyrimin e duhur në hartë, apo në paraqitjet e tjera tredimensionale”, sepse nismat ligjore hartohen më parë se ta kesh një GIS, ndërsa termat që gjenden këtu, janë “unike”, “të padëgjuara kurrë” e nuk mund t’i gjesh në asnjë agjenci shqiptare që merret me përpunim të të dhënave gjeo-hapësinore.
[…] janë të prirur drejt inovacionit dhe të etur për të përmirësuar standartin e tyre të jetesës. Gjithashtu karakterizohemi nga […]
Comments are closed.