Nga Mero Baze, 20 Dhjetor 2011
Në një cep të gazetave të qeverisë më zuri syri një lajm të sajuar se Hashim Thaçi i ka sjellë kryeministrit Berisha dhe përshëndetjet e kancelares Merkel, e cila la Kosovën pak orë para se Thaçi të nisej për një udhëtim privat në Tiranë, në një ceremoni të gazetarit Blendi Fevziu. Nuk besoj që zoti Thaçi të ketë bërë një gjë që nuk i ka kërkuar njeri, por e gjitha kjo situatë dhe përpjekja për të prodhuar një lajm në distancë për kancelaren Merkel, pasqyron makthin që ka Sali Berisha nga injorimi i Perëndimit dhe refuzimi i liderëve evropianë për ta takuar atë. E thënë ashtu shkarazi si gjysëm e vërtetë dhe gjysëm e dëgjuar, gjysëm e thënë dhe gjysëm e nënkuptuar, perifrazimi me të tretë, pa burim dhe pa adresë, i ngjante më së shumti asaj shpotisë së zakonshme shqiptare kur dikush do të japë duart dhe të thotë “Të fala… filanit” në këtë rast “Të fala Berishës”!
E vërteta e hidhur për Berishën është se kancelaria gjermane Angela Merkel vizitoi Kosovën duke i bërë thirrje qeverisë të përballet me betejën kundër korrupsionit, dhe serbëve të largojnë institucionet paralele në veri. Në izolimin në të cilën gjendet Berisha, i bën punë qoftë dhe një përshëndetje, qoftë dhe një detaj që tu tregojë njerëzve që ndjekin pas atë se Merkel e di, e njeh dhe e çmon që ai është ende kryeministër.
Në të vërtetë mesazhi i vizitës së zonjës Merkel në Kosovë ishte edhe më i rëndë për Berishën. Ajo ishte në Prishtinë për të treguar se beson se qeveria e Kosovës ka fuqi për t’ia dalë kësaj situate duke fuqizuar së pari shtetin e saj ligjor. Fokusimi i kancelares Merkel tek lufta kundër korrupsionit si prioritet kombëtar për Kosovën, në të vërtetë forcon idenë se armiku kombëtar i shqiptarëve sot është korrupsioni. Ai është realisht ndryshku që mund të brejë kolonat e shtetit shqiptar në Kosovë, siç ka bërë në Shqipëri, ku shpresa për një betejë ndaj tij ka humbur.
Edhe pse Kosova ka plot probleme me korrupsionin dhe shtetin ligjor, ai është ende një vend në shpresë për tu rregulluar dhe ai vizitohet rregullisht nga liderët perëndimorë, qofshin këta drejtues të Bashkimit Evropian apo personalitete të rëndësisë botërore si kancelaria Merkel.
I njëjti mesazh ka vite që jepet për Tiranën zyrtare, por ka rënë në vesh të shurdhër. Korrupsioni në Shqipëri është kthyer së paku nga viti 2007, në një institucion, i cili mbrohet nga shteti. Ai është bërë mekanizëm jo vetëm për tu pasuruar, por dhe për të bërë karrierë politike apo për të mos u ndëshkuar. Gjysma e ministrave të qeverisë Berisha janë të kapur me dosje korruptive dhe janë kthyer në pula të bindura të tij, ndërsa shembujt e mondëshkueshmërisë kanë startuar me Lulëzim Bashën, i cili fillimisht u akuzua për 200 milionë euro dhe akoma s’është gjykuar, pastaj vrau katër vetë dhe nuk është hetuar, së fundmi ka vjedhur mandatin dhe ende vazhdon të respektohet si kryetar bashkie. Më tej u vazhdua me Fatmir Mediun, i cili qëndron jashtë burgut për shkak të mandatit të deputetit dhe po degradon gjithë historia me mosdënimin e Ilir Metës, të cilin miliona shqiptarë e panë me zë dhe figurë duke folur për miliona.
Një qeverisje me një begraund të tillë korrupsioni, është normalisht një qeveri e izoluar, pa shpresa për tu ringjallur dhe pa mbështetje reale perëndimore. Kancelaria Merkel, e cila është në qendër të stuhisë së debatit të madh për mbijetesën e Evropës, gjen kohë të shkojë në Kosovë pikërisht tani, dhe injoron Tiranën, kryeqytetin i cili po i bën karshillëk Perëndimit duke krijuar një mbretërim të njerëzve të pandëshkuar nga drejtësia në krye të shtetit.
Sali Berisha, i cili ka tendenca të qarta të ketë një farë paternalizmi mbi Kosovën, është ndjerë i turpëruar nga Hashim Thaçi, i cili kur u takua me Sali Berishën në Tiranë vinte nga takimi me Angela Merkelin, kurse Berisha nga takimi me Blendi Fevziun.
Duke vuajtur këtë izolim, duke tentuar ta zvogëlojë rëndësinë e tij për publikun, por mbi të gjitha dhe për t’ia ulur rëndësinë vizitës së Merkelit në Kosovë, tek “vëllai i vogël” i tij, ai tentoi përmes cepa gazetash ta paraqesë si një vizitë pa rëndësi tek “një vartës” i Berishës, me të cilin i ka çu fjalë dhe të fala të jetë mirë, se ajo ishte e zënë me ca punë të parëndësishme.
Mendja e lodhur e Sali Berishës në raste të tilla nuk ka fuqi të prodhojë diçka më shumë se sa diversioni dhe me një takim të rëndomtë me Hashim Thaçin, ose më mirë të themi një takim pas të cilit edhe Hashim Thaçit i erdhi turp të dilte bashkë me të në konferencë shtypi. Se e dinte që do ta turpëronte publikisht, për ta barazuar me veten, për t’ia hequr meritën, që drejton një qeveri tek e cila Evropa shpreson ende. I duhej doemos diçka si fjalia “të fala Berishës”, po Thaçi nuk kish se nga t’ia sillte. Dhe si kolonel i vetmuar i novelës së Markezit që nuk ka kush t’i shkruajë, ai i shkruajti vetes në një copë gazete diçka që të ngjante se Merkeli nuk ka gjë me të.