Bilanc dramatik në Shkodër, 9150 hektarë tokë nën ujë

0
64

Permbytje ne Shkoder

SHKODER – Ministria e Brendshme publikon shifrat e fundit të bilancit të përmbytjeve në Shkodër. Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Brendshme informon se sipërfaqja e tokës së përmbytur ka vazhduar të rritet duke kapur shifrën e 9150 hektarëve , ndërsa 2080 banesa ndodhen nën ujë.
Deri në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme janë evakuar gjithsej 3407 persona, 2000 prej të cilëve banorë të komunës Dajc, ndër më të prekurat nga vërshimi i ujrave.
Ndërkohë Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër njofton të gjitha institucionet e ndryshme, shoqatat dhe individët që dëshirojnë të kontribuojnë për të ndihmuar në zonat e përmbytura në Shkodër, se në degën e BKT-së Shkodër është çelur llogaria bankare me numër: 410328492.

Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuar Shtëpi të përmbytura
Bashkia Shkodër 230 ha 83 320
Komuna Dajç 2000 ha 2000 1187
Komuna Ana Malit 1170 ha 200 170
Komuna Velipojë 2000 ha 25 50
Komuna Bërdicë 1700 ha 350 65
Komuna Guri Zi 250 ha 689 200
Komuna Bushat 1300 ha 50 80
Komuna Qendër, M.Madhe 500 ha 10 8

Ora: 18:30- Situata problematike
Situata në zonat e përmbytura në Shkodër vazhdon të mbetet problematike pasi rritja e nivelit të ujit vërehet nga momenti në moment. Rruga nacionale Tiranë- Shkodër vazhdon të jetë e mbushur me ujë , ndërsa automjetet e kanë të pamundur qarkullimin.
Në harkun e Bërdicës janë evakuar 300 banorë ndërsa në tërësi numri i personave të evakuar ka arritur në 2700 persona.
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, theksoi mbrëmjen e sotme se procesi i evakuimit të banorëve në zonat e përmbytura është i kënaqshëm, por progresi i tij duhet të vazhdojë.
“Dëshiroj t’i bëj thirrje banorëve të tjerë që të vazhdojnë procesin e evakuimit, ndërkohë që i siguroj që forcat policore dhe të ushtrisë që janë gjendur gjatë të gjithë ditës në këto territore do të vazhdojnë të gjenden aty edhe gjatë të gjithë natës për të ndihmuar për çdo rast nevoje çdo qytetar dhe çdo familje që rrezikohet nga përmbytja.” u shpreh ministri Basha.

Shkodër, dyfishohen sipërfaqet e përmbytura
Ora: 17:00- Dyfishohet sipërfaqja e përmbytur në Shkodër. Ndërsa deri mbrëmjen e djeshme bilanci i tokës së përmbytur ishte rreth 4800 hektarë sot uji ka vërshuar në 8680 hektarë tokë dhe ne mbi 2000 banesa.
Shtabi i Emergjencave bën të ditur se deri në orën 16:00 të pasdites së sotme janë evakuuar 2691 banorë , kryesisht nga zonat e rrezikuara, si komuna Dajc.

Ndërkaq mësohet se në dispozicion të qytetarëve që duan të kontribuojnë vullnetarisht për të prekurit nga përmbytjet është hapur llogari bankare në bankat e nivelit të dytë ku mund të kontribuohet në lekë, dollarë ose euro.

Ora: 16:10- Zonat e përmbytura shërbim shëndetësor 24 orë
Në zonat e përmbytura të Qarkut Shkodër është garantuar shërbim shëndetësor 24 orë, njoftoi sot në mesditë Qendra e Bashkuar Operacionale e Komitetit Ndërministror.
Në Komunën Obot, gjatë ditës së sotme, është bërë i mundur transportimi i një pacienti me probleme kardiake, ndërsa me rekomandim të Shtabit të Emergjencës, është vendosur që stafi mjekësor të qëndrojë në Qendrën Shëndetësore Oblikë, në gadishmëri për problemet shëndetësore. Gjatë ditës së sotme, stafi mjekësor ka lëvizur me mjete lundruese të emergjencave civile për në shtëpitë e pacientëve.

Ndërsa, në Komunen Dajç, gjatë ditës së sotme, situata ka ardhur vazhdimisht duke u vështirësuar. “Është ofruar shërbim mjekësor 24 orësh, një mjek dhe dy infermierë. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës ka patur në gadishmeri një autoambulancë, kështu që është bërë i mundur transporti për në spitalin rajonal të Shkodrës i dy pacientëve me probleme kardiake”, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas njoftimit, “në orët e mbasdrekës është bërë evakuimi i shumicës së popullatës, si dhe është vendosur që, stafi mjekësor dhe një autoambulancë, të qëndrojë në rrugën kryesore të hyrjes për në Komunën e Dajçit, pasi kjo zonë tashmë është e përmbytur”.

Në Komunën Guri i Zi gjendja nuk ka qenë problematike dhe shërbimi shëndetësor vazhdon përgjatë 24 orëve. Në fshatin Renc të kësaj komune, në një repart ushtarak, janë strehuar rreth 55 romë, që kohët e fundit kanë jetuar në një lagje periferike të Shkodrës, buzë liqenit, banesat e të cilëve janë mbushur me ujë.

Ora: 16:00- Policia përforcon masat në aksin Tiranë-Shkodër
Forcat e policisë kanë ndërprerë qarkullimin e makinave të vogla në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, 5 kilometra larg Shkodrës, për shkak të rrezikut që mund t’u kanoset këtyre mjeteve nga prurjet e lumit Drin, ndërsa vazhdon normalisht qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë. Një punonjës policie i tha së “kjo masë sigurie është marrë prej orës 12:00 të ditës së sotme, atëherë kur prurjet e Drinit u rritën me të paktën 50 centimetra”.

Pas kësaj mase sigurie të përkohshme, të gjitha automjetet që vijnë nga Tirana me destinacion Shkodrën duhet të ndjekin intinerarin Kryebushat- Mjedë-Rënzë-Shkodër dhe anasjelltas. Rreth orës 15:00 të ditës së sotme, në këtë zonë nuk ka pasur reshje shiu, por pavarësisht kësaj forcat e policisë rrugore kanë përforcuar masat e sigurisë në aksin kombëtar Tiranë-Shkodër dhe anasjelltas. “Kjo është një masë për të mbrojtur automjetet e ulëta dhe njerëzit. Uji vjen me dallgë dhe në këto kushte mund të përbëjë ndonjë rrezik. Është një masë parandaluese”, tha punonjësi i policisë.

Ora: 15:40-Përmbytjet, NATO ndihmë për Shqipërinë
Qendra Operacionale e Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive e NATO-s u ka komunikuar të gjithë vendeve anëtare situatën dhe nevojën për ndihmë të Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Brendshme. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Brendshme informoi në mesditë opinionin publik mbi situatën më të fundit në zonat e përmbytura në Lezhë e Shkodër si pasojë e rreshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimit të ujrave nga hidrocentralet.

Ministri Basha morri pjesë edhe në mbledhjen e Komisionit të Emergjencës Civile në Shkodër, ku është diskutuar mbi masat e deritanishme për menaxhimin e situatës dhe ato në vazhdim. Gjatë mbledhjes u konstatua se po realizohet me efikasitet të plotë plani i masave të përcaktuara për evakuimin e banorëve.
Sipas ministrisë së Brendshme, evakuime masive po kryhen në fshatra të Komunës Gur i Zi dhe në Komunën Dajç, ku janë vënë në dispozicion 15 mjete të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë që deri më tani janë evakuuar nga zonat e prekura nga përmbytja rreth 2500 persona.

Ora 14.20 PS: Te demshperblehen banoret
Partia Socialiste i ka kërkuar sot qeverisë që të dëmshpërblejë të gjitha familjet e dëmtuara nga përmbytjet në zonën e Lezhës dhe të Shkodrës.
Deputeti i Partisë Socialiste Gjovalin Kadeli, tha sot gjatë një konference për shtyp se “ nëse përgjegjësi e qeverisë nuk janë përmbytjet e shumta në zonat veriore, përgjegjësi maksimale e saj është të dëmshpërblejë banorët nga dëmet e mëdha që u janë shkaktuar”. Ne mesdite Kryeministri Sali Berisha, pasi i bëri thirrje të gjithë banorëve të zonave të përmbytura që të evakuohen urgjentisht, garantoi se do të dëmshpërblehen deri në qindarkën e fundit të gjitha familjet e dëmtuara nga përmbytjet në zonën e Lezhës dhe të Shkodrës.

Ora 13. 50 Ekspertet:Hapja e portave te Fierzes e domosdoshme
Ne shifrat e dhena per nivelin e shkarkimeve ne basenin e Fierzes specialistet deklarojne se nuk ka zgjidhje tjeter vec shkarkimit qe mund te sjelle permbytje te reja ne zonat e zhytura nen uje. Specialisti i energjetikes Mehmet Hasalami deklaron se sitiuata eshte pasoje e shkeljes se rregullores per ruajtjen e digave, por nese uji ne Fierze nuk shkarkohet shqiptaret do te pesonin nje katastrof te ngjashme me efektet te nje cunami per shkak te permbytjes se digave.

Ora 13.26 METE po konsultohemi me eksperte te huaj
Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikë, (METE) ka nisur konsultimet me ekspertët ndërkombëtar të energjisë për të përballuar vështirësitë mbi situatën hidrike në vend të krijuar nga përmbytjet në disa zona veriore të vendit. Vete Ministri tha sot në një komunikim me median se gjatë 24 orëve të fundit, prodhimi maksimal i energjisë ka arritur në 26.6 mln kilovat /orë nga e cila është konsumuar 21.7 mln kilovat /orë, ndërsa pjesa tjetër prej 7.6 mln/kilovat/orë është eksportuar.
Prifti tha se “ Për momentin niveli i ujit në Fierzë është 292, 4 m, ndërkohë që po shkarkohet 1660 m3/për sekond”.

Sipas tij, situata po monitorohet nga afër me grupe të tëra të KESH, OST, OSSH dhe të ministrisë, të cilët janë në vëzhgim të vashdueshëm pa pushim për të bashkëmenaxhuar situatën me grupet e gatshme atje”. Prifti i bëri thirrje opozitës që të kontribuoje në këto momente të vështira dhe jo të bëje opozitën, aq më pak me ekspertë që nuk marrin vesh nga energjetika.

Ora 13:23 Nga fshati Obot ushtria evakuoi sot 60 persona
Në fshatin Obot të rrethit të Shkodrës, një ndër të problematikët përsa i takon përmbytjeve nga dalja e lumit Bunë vazhdon evakumi i banorëve.
Në mesditë Oboti është vizituar dhe nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, forca të policisë dhe të ushtrisë, etj.
Në këtë fshat, sipas përllogaritjeve në të paktën 10 banesa ka hyrë uji në katet e para, ndërsa në të tjerat uji ka “populluar” rrugët dhe oborret. Nga informacionet zyrtare mësohet se në Obot janë të rrezikuara të paktën 130 banesa. Pesë varka shpëtimi, me një kapacitet rreth 20 vende, janë vënë në dipozicion të banorëve, të cilët po evakuohen në ambientet e ofruara në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, si në hotel Turizimi, në repartin ushtarak të Renxit, por edhe tek të afërmit e tyre.

Banorët e fshatit Obot po evakuohen përmes Ura së Sagjicës që del më pas tek ura e Bunës, përmes një operacioni të mirëorganizuar të forcave të ushtrisë dhe policisë. Të paktën 60 persona janë evakuar gjatë ditës së sotme nga Oboti, një fshat i vogël
banorët e të cilit kryesisht jetojnë në emigracion. Të evakuarit janë kryesisht të moshuar.

Ora 13.00 MPPTT: Aksi Shkoder- Tirane, problem vetem kthesa e Berdices
Ministria e Transportit informon se aksi Shkodër- Tiranë është i kalueshëm dhe nuk ka asnjë problem, përvec kthesës së Berdicës ku ka presence të ujit , Drejtoria e Pergjithshme e Rrugeve po punon ne kete pjese me me kapacitet te plote. Gazetarët e NEWS24 informojnë se pikërisht në këtë vend, te kthesa e Bërdicës niveli i ujit është deri në 50 cm dhe lëvizja e automjeteve të vogla është teper i vështirë.

Ora 12.00 Obot e Shirqin të izoluar nga uji. Vazhdon evakuimi
Uji tashmë ka vërshtuar dhe në aksin nacional Shkodër- Tiranë. Rreth 200 metra e këtij aksi nacional është i zhytur në ujë. Rruga është mjaft e rrezikshme për kalimin e automjeteve të vogla. Sidomos për drejtues të automjeteve të cilët nuk e frekuentojnë shpesh këtë aks. Gazetarja e NEWS24 informon se në këtë aks niveli i ujit arrin në mbi 50 cm.

“Duhet te jesh njohes i mire i rrugës, pasi rrjedha mund të marrë me vete makinën”- dëshmon gazetarja e NEWS 24 e cila bashkë me grupin e xhirimit po udëhton dretj komunës Dajc.

Në komunën Dajc, është një situatë vërtet problematike. Në të dy anët mund të shikosh vetëm ujë. Dikur fshtara, me tokë të mbjella, tani është vetëm një liqen”- dëshmon korrespondentja Eliona Kodra.

Rreth 10 makina të mëdha të ushtrisë përshkojnë përmes ujit që ka mbuluar akset për të vazhduar evakuimin e banorëve. “Situata mbetet e rënduar. Niveli i ujit në këtë zonë arrin në 3 metra thellësi. Ushtarët me varka shkojnë drejt banesave ku ndodhen banorët dhe më pas i evakuojnë. Fshati Shirqin është totalisht nën ujë.
Obot është i izoluar dhe mund të kalohet vetëm me varka. Burime jo zyrtare tregojnë se nga ora 11. 30 në shkarkimet në Hec e Vaut të Dejës ishin në 2500 metër kub në sekond.

Uji po vërshon nga lumejtë e fryrë të Bunës, Drinit në lagjet Bahcallëk, e Ajasëm ku vazhdon dhe evakuimi i banorëve. Lumenjtë janë fryrë nga prurjet dhe uji

Ora 11.25 Uji vershon ne aksin Shkoder- Tirane, Dajci i izoluar nga uji
Rreth orës 10.00 informohet se uji ka vërshuar në aksin nacional Shkodër- Tiranë, pikërisht te vendi i quajtur Kthesa e Beltojës. Sipas prononcimit të korrespondentes së NEËS24 niveli i ujit ka arritur në 50 cm dhe është mjaft problematike lëvizja e mjeteve të vogla. Mësohet se disa automjete janë të bllokuara te kthesa e Beltojës.

Mjaft e vështirë është situata në komunën e Dajcit, i cili tashmë është izoluar komplet nga uji.

Niveli i ujit arrin deri në 3 metra në këtë komunë tregon korrespondentja e NEWS24 . Mjaft problematike është dhe fshati Obot si dhe komuna Ana e Malit. Lumi Buna është fryrë shumë si shkak i reshjeve të shirave dhe shkarkimeve të ujrave nga hidrocentralet duke arritur deri në nivelin e këmbëve të urës së bunës- Ndërkohë mësoeht se uji ka dalë nga shtrati dhe ka vërshtuar dhe në lagjen Bahcallëk të Shkodrës.

Forcat e ushtrisë po bëjnë evakuimin e banorëve me varka, nga banesa e tyre e cila është e mbushur me ujë në zonën ku makina ushtarake presin për ti transportuar më pas në qyteti.Ka nisur evakuimi i banorëve dhe në lagjen Ajasëm të Shkodrës si dhe në komunën e Velipojës.

Një banor i komunës së Dajcit në një prononcim për NEËS24 deklaroi sot rreth 10 .30 minuta të mëngjesit të sotëm se ka mjaft banorë ende të paevakuar në fshatrat si Daragjat, Dajc, Bushat. Sipas tij Darragjati është i përmbytur ndërsa fshati Shirgjin rrezikon të përmbytet tërësisht.

Pritet që ministri i Brendshëm Luzim Basha dhe prefekti i Shkodrës, Mexhit Cungu do të dalin në një konferencë për shtyp për situatën në orën 11.30.

Ora 10.30 PS: Në Dajc nuk ekziston dora e shtetit
Partia Socialiste informon për praninë e deputetëve të saj që në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonat e përmbytura të Shkodrës. “Të gjithë deputetët e këtij qarku kanë shkuar në të gjitha komunat e përmbytura. Niveli i ujit në këto zona vazhdon të rritet”- thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së. Në një prononcim për mediat deputeti i Shkodrës Ilir Beqja i gjendur në komunën Dajç është shprehur: “ Në kthesën e Dajçit në orën 9 të mëngjesit, vihet re se shteti shqiptar ka mbaruar. Nuk ka as polici, as ushtri dhe asnjë shenjë të ekzistencës së shtetit. Kanë mbetur njerëz të bllokuar për të cilët nuk ka asnjë informacion se çdo të ndodhë me jetën e tyre”- vazhdon informacioni nga selisë rozë.

Ora 09.00 Emergjencat Civile: Deri ne 08:00 te permbytura 4786 ha tokë, 870 banesa nen uje
Komisionin e Emergjencave Civile të Qarkut Shkodër është mbledhur sot paradite për të monitoruar situatën e përmbytjeve në qarqet Shkodër e Lezhë. Vetë Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha ndodhet në këtë mbledhje informon ministria e brendshme ndërsa jep të dhënat e fundit deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm, (e enjte) të raportuara nga Qendra e Bashkuar Operacionale të Komitetit Ndërministror deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm.

Sipas të mëdha der në orën 08.00 të mëngjesit të sotëm në qarkun e Shkodrës janë përmbytur rreth 4786 ha tokë. Janë në prezencën e ujit 870 shtëpi. Të evakuuar gjithsej janë 527 familje dhe evakuimi vazhdon. “Pritet të evakuohen gjithsej rreth 3000 persona nga njësitë vendore të bashkisë Shkodër, Komunat Ana e Malit, Dajç, Bërdicë, Bushat.
Komuna Dajç”

Nga grupi i punës inxhiniero-teknik i ngritur nga Prefekti në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë ka punuar dhe riparuar rreth 140 m argjinature dhe brenda ditës së sotme pritet të përfundoje pjesa tjetër e dëmtuar prej 400 m.

Gjatë ditës së djeshme është bërë një punë intensive nga strukturat e policisë dhe të ushtrisë që janë të dislokuar në këtë zone, për të bindur komunitetin e zonës për t’u evakuar, punë e cila vazhdoi edhe gjatë mbremjes së kaluar.Po punohet në Komunën Velipoje për riparimin e argjinatures në fshatin Ças.

Gjatë ditës së djeshme janë evakuar nga strukturat e ushtrisë rreth 200 kokë bagëti nga zona e përmbytur në afërsi të nënstacionit të pompave që furnizojnë komunen Velipojë, pranë fshatit Trush të komunës Bërdicë.
Gjithashtu për të ndihmuar në situaten e krijuar, kanë ardhur edhe një grup specialistësh nga Kosova i përbërë prej 15 vetësh të cilët janë të pajisur me mjete speciale, varka gome etj., që do të vihen në dispozicion të zonave që janë të përmbytura.

Ora 08:00 Banoret: Duam te evakuohemi. Ushtria: na duhen me shume mjete per evakuim
Reshjet e shiut, dhe shtrëngatat kanë përfshirë qarkun e Shkodrës gjatë gjithë natës duke vazhduar të rrisë nivelin e ujit në zonat e përmbytura të NënShkodrës.

Nga ora 20 e mbrëmjes së të mërkurë,niveli i ujit vazhdon të rritet në zonat e përmbytura.

“Në Komunën e Dajcit niveli i ujit sa vjen e rritet. Vetëm gjatë natës në këtë zonë është rritur me 30 cm më shumë niveli i ujit” deklaron korrespondentja e NEWS24. Ndërsa mbrëmë uji kishte bllokuar hyrjen dhe policia kishte ngritur nuk lejonte asnjë banor të hynte në komunë. Prefekti Cungu informon sot se në komunën Dajc janë evakuar gjate nates gati të gjithë familjet.

Në fshatin Obot, banorët duke parë me sytë e tyre si rritet niveli i ujit në banesa tashmë nuk bëjnë më rezistencë për evakuim.

Shtabi i Emergjencës kërkon më shumë mjete për të bërë të mundur largimin sa më parë të banorëve nga kjo zonë.

Në fshatin Samrish të komunës Dajc, një tjetër fshat i përmbytur, argjinatura rrezikon të dëmtohet duke krijuar përmbytje dhe më të mëdha. Prefektura thotë se në këtë zonë janë evakuar të gjithë banorët.

Në komunën e Bërdicës, një tjetër zonë e përmbytur, gjatë natës uji ka dalë mbi aksin nacional Shkodër- Tiranë. Pikërisht në vendin e quajtur harku i Bërdicës uji ka hipur mbi aksin rrugor.

Në Hidrocentralin e Vaut të Dejës informohet se gjatë ditës se sotme do të ketë shkarkime të mëdha kjo për shkak të rritjes së nivelit të ujit.

“Do ketë shkarkime të mëdha nga Vau i Dejës. Niveli i ujit është rritur. Gjatë ditës së djeshme shkarkimet kanë arritur në 1370 metër kub për sekond.”- deklaron prefekti i Shkodrës, Mexhit Cungu i cituar nga NEËS24, duke bëre apel për më shumë mjete ushtarake për evakuimin e banorëve në zonën e NënShkodrës.

Shkrirja e borës nga malet ka shtuar frikshëm prurjet në hidrocentralet e ndërtuara përgjatë lumit Drin. Ndërsa niveli i ujit në Liqenin e Fierzës, mbreme ishte vetëm 2 metër larg pikës kritike (duke arritur në 292 metra). Autoritetet kane urdhëruar hapja e portave të tri hidrocentraleve (Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës).

Shtabi i Emergjencës në Shkodër bëri publike mbrëmjen e djeshme të dhënat më të fundit pas përmbytjeve që kanë përfshirë zonën e Shkodrës. Sipas këtyre të dhënave, është 4816 ha tokë e gjithë siperfaqja e përmbytur në të gjithë rrethin e Shkodrës, zona te cilat nisin që nga periferia afër qytetit deri në ato të NënShkodrës ku përfshihen dhjetra fshatra të 7 komunave.

Ndërkaq të izoluara nga uji gjenden 870 banesa në të gjithë qarkun. Deri në mbrëmje ishin evakuar 227 familje duke shtuar këtu edhe 120 persona të komunitetit rom të Shkodrës.

Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Partia Socialiste bënë apel dje për evakuimin e banorëve.

(s.g/e.n/BalkanWeb)