Një sit i ri për të apasionuarit e letërsisë

0
45

Arjan Th. Kallço

Në këtë kohë tendecash drejt risive teknologjike, por që nuk po bëjnë hapa gjigandë sa pritej, e thënë kjo edhe nga vetë drejtuesit e tyre, çdo ditë lindin site të rinj apo network-e që marrin përsipër të tërheqin vëmendjen e publikut dhe të apasionuarve të letërsisë. Natyrisht lindja e tyre do të ishte një dritare më shumë në botën e pafund të letërsisë, por shumë syresh mbeten më pas site që nuk kanë vazhdueshmëri. Më i fundit që mund ta gjeni on line është Zazie.it, platforma e re web për letërsinë. Emri i tij lidhet me personazhen e paharrueshme të autorit Raymond Queneau, shkrimtar, poet, matematicien, dramaturg francez dhe që jetën ia dedikoi botimeve dhe shtëpisë botuese Gallimard.

Ja historia e shkurtër e kësaj heroine botuar në librin me titull Zazie në metro’ në vitin 1959 dhe që është libri i tij më i njohur. Zazie është një vajzë rebele që mbërrin në Paris nga fshati që të qëndronte për disa ditë me xha’ Gabrielin, një burrë që ushtronte profesionin e një balerini të veshur si i tillë. Zazia ka dëshirë që ta shohë metronë, por një grevë nuk pa lejon realizimin e endrrës së saj. Por nuk dorëzohet dhe tundimi që të shihte qytetarët e kryeqytetit e bën që t’ia mbathë nga shtëpia ku ndodhej dhe të takonte një sërë personazhesh surrealë : të mëshirshëm, diabolikë, satiristë, këpucarë ëndrrimtarë dhe vejusha që gjenin ngushëllim, personazhe që popullojnë Parisin e Queneau-së.

Që të hënë iu shtua morisë së siteve letrare edhe ky sit që kërkon në morinë e emrave të mëdhenj të siteve, si p.sh aNobii, social network për librat me përhapje ndërkombëtare, afirmimin e vet dhe lexuesit këmbëngulës on line. Urojmë që të ketë jetë të gjatë, pasi në fondin e vet ka mbi 900 mijë tituj të disponueshëm, nuk është shaka që ta fillosh me një pasuri dhe larmi të tillë hapin e parë drejt një letërsie globale on line.

Por më bën përshtypje fakti se konsiderohet shpikës, pasi synon që të ndajë me lexues-miq të shumtë në mënyrë të strukturuar emocionet. Dhe kjo nuk do të ishte një ide e keqe, pasi do të kishim mundësi që të gjenim libra të kataloguar sipas gjendjes sonë shpirtërore gjatë të gjitha ditëve. Dihet që edhe humori ynë nuk është i njëjtë, atëherë për të gjithë “fanatikët” e kërkimit të qetësisë apo ekuilibrit shpirtëror, do të ishte siti më i duhur.

Shpikja e dytë është se shumë të tjerë mund të preferojnë edhe situata të tjera si p.sh udhëtimet dhe dashuritë që lindën në tren, avion, autobus, bile edhe gjatë stinëve të ndryshme të vitit. Do të ishte me kuriozitet një seri librash me temë udhëtimi p.sh në pranverë dhe të gjente në sit shumë libra që flasin për dashurinë. Kjo do të shtrihej dhe udhëtimi do të merrte përmasa planetare, pasi do të lexoje një libër të një autori amerikan dhe do të gjendeshe në Hong-Kong, apo shkrimtarë europianë dhe do të gjendeshe në Amrikën latine etj. Pra një lloj pyetje SiKurKu që do të merrte përgjigje nga më të pabesueshmet.

Por midis lexuesve globalë dhe të joshur nga këto ide mund të ketë edhe tek ne, pasi njohësit e gjuhës italiane janë të shumtë. Ndoshta në këtë lundrim tepër të veçantë mund të lindin histori të reja dashurish, në stinë të ndryshme, edhe nga komunikimi midis vetë lexuesve dhe që do ta meritonin një kompesim të botimit nga vetë administratorët e network-ut. E kush do ta kishte menduar këtë lloj siti më parë?