Nga Mero Baze, 28 Nëntor 2011
Kryeministri i Shqipërisë dhe deputetët e shumicës braktisën në shenjë hakmarrje ndaj Presidentit Bamir Topi, ceremoninë zyrtare të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit në Vlorë. Edhe pse Festa Kombëtare është një rast për të injoruar ndarjet politike dhe për të moderuar qëndrimet, Kryeministri dhe shumica e rreshtuar pas tij vazhduan të njëjtën traditë.
Për çdo shqiptar apo qytetar të huaj, është e vështirë ta kuptojë simbolikën e braktisjes së Presidentit ditën e Festës Kombëtare. Nëse kjo gjë do të kishte ndodhur në ndonjë vend perëndimor, njerëzit do të ngrinin pikëpyetje të mëdha për Presidentin, ose Kryeministrin, dhe debati nuk do të ndalej derisa të ndriçohej pala që kish të drejtë.
Arsyeja përse një President mund të braktiset në ditën e Festës Kombëtare duhet të jetë doemos kombëtare. Duhet të jetë një arsye që ka të bëjë me dinjitetin e kombit shqiptar, me cenimin e këtij dinjiteti prej Presidentit, me akte politike që fyejnë historinë tonë kombëtare apo me gjeste politike që i ulin rëndësinë kombit në tërësi.
Për aq sa zoti Bamir Topi ka qenë President, në të vërtetë ka pasur disa kauza, të cilat kanë pasur të bëjnë me dinjitetin e kombit shqiptar, që ai ka qenë në kundërshtim me Kryeministrin.
Çështja e parë kombëtare për të cilën janë përplasur Kryeministri dhe Presidenti ka qenë çështja e kufirit ujor me Greqinë. Presidenti tërhoqi vëmendjen që Komisioni ishte ngritur pa dijeni të tij në shkelje të Kushtetutës dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen e Sali Berishës me kryeministrin grek, nënshkruar në fillim të fushatës elektorale në shkëmbim të mbështetjes greke për Sali Berishën.
Tashmë ish-kryeministrit grek Karamanlis i është harruar emri dhe grekët e kanë shpallur armik të vendit të tyre për shkak të zhytjes në spiralen poshtëruese të krizës financiare, por Shqipëria ende po rropatet të zhbëjë një turp të Sali Berishës. Në të njëjtën ditë janë nënshkruar dhe marrëveshje për një kordon në formë kufiri të varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, përtej masës së pranueshme të një varreze simbol për ushtarët grekë të rënë në tokën shqiptare.
Një betejë e dytë me rëndësi për historinë e kombit shqiptar ka qenë beteja për ligjin e lustracionit dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Bamir Topi ka mbështetur propozimin për një ligj serioz, të thellë, dhe të drejtë, ndërsa Berisha ribëri një ligj politik, i cili synonte vetëm shantazhimin e disa hallkave të gjyqësorit dhe administratës që sot i ka kthyer në ushtarë, duke humbur kështu shansin për të pasur një ligj që dënonte dhe vendoste drejtësi për krimet e komunizmit në Shqipëri.
Beteja tjetër e Berishës me Presidentin ka qenë për ligjin e pronave, po ashtu spekulativ dhe ndëshkues për pronarët shqiptarë. Edhe pse ky ligj ka një rëndësi esenciale për identitetin e shoqërisë shqiptare dhe të ardhmen e zhvillimit të saj, Berisha me arnimet e tij mbi ligjet ekzistuese synoi dhe vazhdon të synojë të legjitimojë grabitësit e tokave përmes mekanizmit të gjobëvënies në natyrë nga studiot ligjore të familjes së tij, që të kthejnë tokën për tua rikthyer aty, ndryshe përfundon si i ndjeri Konomi në Vlorë.
Një betejë me të vërtetë personale mes Berishës dhe Presidentit Topi ishte beteja për ditët e vështira pas 21 janarit, kur Shqipëria u fut në listën e vendeve që pushkatojnë qytetarë të tyre për arsye politike. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha urdhëruan me qetësi vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës duke lënë dhjetë fëmijë jetimë dhe një Shqipëri me të ardhme të pasigurt përpara. Me duart ende të gjakosura dhe fytyrën ende të tmerruar nga krimi që kish bërë, Sali Berisha doli në ekrane me një pamje prej gjysmë të çmenduri dhe drejtoi gishtin e gjakosur mbi Presidentin, kryeprokuroren, kryetarin e SHISH dhe katër gazetarë puçistë.
I akuzoi për grusht shteti. Shteti shqiptar asnjë herë gjatë këtyre 99 viteve nuk kishte pasur një problem kaq të rëndë mes një Kryeministri dhe gjithë institucioneve të tjera të shtetit, Presidentit, drejtësisë, shërbimit sekret dhe shtypit. Sali Berisha, njeriu që tentoi të krijojë këtë problem nën makthet e njeriut që kish vrarë dhe kish lënë fëmijë jetimë, u fut në një betejë pa kthim kundër Presidentit duke e cilësuar atë një ‘horr bulevardi’, ndërkohë që viktimat e veta i kishte cilësuar kokëpalarë. Kjo është në të vërtetë dhe fryma më antikombëtare që ndonjë kryeministër i këtij vendi ka përçuar në detyrën e vet ndaj historisë së shtetit të tij.
Një tjetër betejë ku Berisha dhe Topi u ndeshën në këtë mandat është beteja për ligjin e importit të plehrave, një betejë e cila i jep dinjitet atij shtetari që nuk firmos për të varrosur të ardhmen e vendit duke e kthyer atë në depo të lëndëve radioaktive dhe plehrave të mafies rajonale, e cila ka bërë pakt me kryeministrin e Shqipërisë për këtë biznes miliarderësh. Sulmet e Berishës kundër Presidentit u bënë tejet agresive duke e njësuar atë si aleat të opozitës dhe pjesë të ‘aleancës së plehut’, siç etiketon ata që nuk pranojnë plehrat e tij në Shqipëri.
Por kryedebati që ka Sali Berisha me Bamir Topin ngelet orientimi perëndimor i Shqipërisë. Me Sali Berishën kryeministër Shqipëria humbi dukshëm shansin për të marrë ftesën për vend kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Përgjegjësi i vetëm i kësaj krize të Shqipërisë me Perëndimin ishte Sali Berisha. Kriza politike që ai prodhoi brenda vendit largoi Brukselin nga Tirana dhe mbajti institucionin e Presidentit si të vetmin institucion me të cilin komunikonte. Kjo e thelloi dhe më tej ndarjen dhe armiqësinë e Kryeministrit ndaj këtij Presidenti, derisa u detyrua ta sulmojë atë publikisht në gjithfarë rrethanash.
Më 28 Nëntor 2011 ai u hakmor politikisht ndaj tij duke braktisur Festën Kombëtare në Shesh të Flamurit, dhe duke theksuar faktin që interesi politik i Sali Berishës është mbi interesin tonë kombëtar. Nëse i hedhim një vështrim dhe më tej historisë së tij politike, ai ka qenë i vetmi lider opozite në Shqipëri që nuk e ka njohur Festën Kombëtare kur nuk ka qenë vetë President. Ai mungoi rregullisht në Festën Kombëtare pas vitit 1997, vetëm pse nuk ishte më President, dhe sajonte një festë të vetën me militantë të tij në ndonjë hotel apo motel të Tiranës.
Por përveç shpalljes së interesit të tij politik si interes kombëtar, Berisha po përpiqet tinzarisht të zhvendosë dhe rëndësinë e Festës Kombëtare dhe rëndësinë e Vlorës në këtë akt, drejt Tiranës. Duke qenë një qytet që nuk e pranoi kurrë Sali Berishën, ky i fundit mendon se mund ta fyejë atë qytet jo vetëm duke mos ia pranuar historinë, por dhe duke ia bërë të pavlefshme atë. Ai ka njoftuar se do të ndërtojë një tjetër monument pavarësie në Tiranë me qëllim që të shmangë sikletin dhe detyrimin që ka për të shkuar tek qyteti që e ka rrëzuar një herë nga froni i pushtetit. I pafuqishëm të hyjë në histori, ai mendon se mund ta zgjidhë këtë problem duke ndryshuar jo vetëm historinë, por dhe gjeografinë e festave dhe monumenteve duke i zhvendosur ata nga Vlora në Tiranë.
Arsyeja reale pse Sali Berisha nuk shkon dot në Vlorë dhe në Shesh të Flamurit, është se qytetarët e atij qyteti e vërshëllejnë dhe e fyejnë. Arsyeja reale është se Vlora dhe një pjesë e madhe e Shqipërisë nuk e pranon linjën e tij politike si linjë kombëtare, por si linjë antikombëtare. Për këtë arsye Berisha është në kërkim të një dekori për të pozuar si patriot, të një dekori ku para ka njerëz, por jo popull, dhe mbrapa ka statuja, por jo histori. Atij i prish punë çdo institucion shqiptar që respektohet, çdo politikan shqiptar që nuk ka bërë ato gjëma që ka bërë ai në historinë e këtij shteti. Ndaj e do festën vetëm dhe për vete, jo bashkë me të tjerët dhe për Shqipërinë.