Me 20 nëntor kujtojmë përvjetorin e lindjes së dom Ndre Mjedës (1866-1937)

0
22

Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë Dom Ndre Mjedën në 145 vjetorin e ditëlindjes.


(Foto e Komistionit te Alfabetit Manastir 1908. Dom Ndre Mjada ne rreshtin e pare me numer 5)

Meshtari, Poeti e gjuhëtari i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i “Bylbylit në kafaz”, i “Rinisë” e i “Andrrës së jetës”, një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, u lind në Shkodër, më 20 nëntor 1866, për t’u përshkuar pastaj tërë jetën nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Jugosllavisë në Chieri të Italisë, nga Krakovia e Polonisë në vendlindje e në fshatin Kukel. Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe.

Në veprën “Jezuitët Martirë në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”.(“Gesuiti Martiri in Albania”, Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)

Prandaj duke e përkujtuar sot në përvjetorin e 145- të të ditëlindjes, po vemë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare.
Ndonëse shumica e veprave fetare të Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.

Ndër veprat fetare të Dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shêjtit Shë Njon Berkmansit” që e përshtati prej italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç, “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927: “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.

Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”. Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga”, Projsi i pergjithtë i moshës së re.

Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shêjte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e atë të kultivuar njëherit. Vepër e Mjedës është edhe një nga librat më të njohur e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët.

Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare e kur nuk ka mujtë me nxjerrë ende nga gjiri i vet një Mjedë a një Fishtë, për shkak të viteve të shkatërrimit të madh, mendojmë se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shë Luigj Gonazaga” ose “Historia Shêjte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari, vepra që do të zgjonin interesimin e jashtzakonshëm që ka treguar e tregon besimtarët e posaçërisht rinia katolike shqiptare për Kishën e për figurat e saj të mëdha. (Radio Vatikani)

Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare.

Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t’i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë.

Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi “Vaji i bylbylit”, një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.

Ai iu kushtua me një zjarr çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”. Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin “I tretuni”).

Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.

Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së popullit. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme “Liria” e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.

Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t’i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin “Juvenilja” krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s’kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike.

Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.

Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin “Liria”.