Botuar në disa gazeta shqiptare*
E kanë menduar si një takim ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF), më datë 23 nëntor 2011, organizoi një takim-ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit, gjatë së cilës do u shfaqen filmat: “Dëshmi nga Barleti”- dokumentar historik, realizim i vitit 1990, “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën që është bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini paraqiti gjithashtu edhe dhjetë etyde filmike të realizuara prej tij vitet e fundit si sintezë poetike e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Kolec Traboini, autor i 16 librave me poezi, prozë dhe esè, u lind në Shkodër dhe është i biri i patriotit të njohur Palok Traboini – mësues, publiçist dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit më 6 prill 1911, pjesmarrës në dy luftëra kombëtare, ajo e Pavarësisë dhe Lufta e Koplikut 1920.
I mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime “Petalet e bajames së hidhur” 1973, i cili u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve.
Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16-të vjet, ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: “Asdreni” 1976, “Kështjella e këngëve” 1990.
Filmi “Dëshmi nga Barleti” me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për vitin 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar, si “Kol Idromeno”, “Hasan Prishtina”, etj, si dhe skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët “Portreti” me regji të Artan Makut, film i cili stigmatizonte me guxim megallomaninë e udhëheqësve të kohës së diktaturës. Eshtë skenarist i filmit dokumentar “Përse kështu”(Estetika e veshjeve) që kritikonte të metat e dobësitë e sistemit të prodhimit konfeksional në kushtet e mekanizmit të vjetëruar të ekonomisë së ngecur shqiptare(1989-1990), film që u ndalua të qarkullonte sepse organet e nomenklaturës komuniste e konsideruan nxirje të realitetit socialist (Gazeta Mapo, 17 mars 2011).
Situatën e krijuar në 1990, Traboini e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën “RD” shkrimin me titull “Vlera e simboleve kombëtare”, ku kërkonte publikisht heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar. Eshtë nisiator dhe organizator i të parit tubim të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike, e cila u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.
Traboini largohet nga Shqipëria në 28 shkurt të vitit 1991 dhe vendoset si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që më 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”. Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin e madh, Aristidh Kola (1944-2000). Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra midis të cilëve “Balada e largësive” – i pari libër në gjuhën shqipe i botuar në Greqi, një album me poezitë e emigrantëve shqiptarë.
Në gusht 1995, Traboini me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Në Amerikë shkroi e botoi rreth dhjetë libra me poezi, prozë e publicistikë ndër të cilët: “Katërkëndëshi i mundimeve”-prozë, “Mos vdis dashuri”- poezi, “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”-esè, “Requiem për një gjethe”-poezi, “Lufta e Maleve-Palok Traboini”-letërsi dokumentare, “Koha e prostitutave”-lirika&etyde. Në vitet e fundit ka botuar “Itaka grua”-lirika, “Kujto poetin”, një album poetik për 40 poetë që nuk jetojnë më, në mes tyre pesë të ekzekutuar nga diktatura si dhe përmbledhjen e fundit me lirika “Lule Pellazgjike”. Së shpejti sheh dritën e botimit libri i tij me shqipërime nga poezia botërore “Nga Safo tek Bukowski”.
Në dekadën e fundit ka realizuar mbi pesëdhjetë krijime filmike të metrazhit të shkurtër, duke përfshirë filma dokumentarë si “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën e bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini është autor i dhjetra etydeve filmike – poezia në ekran, të realizuara prej tij si sintezë e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus” 2008 nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita” Athinë. Në vitin 1994, Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB-së. Eshtë ndër krijuesit shqiptaro-amerikanë më aktiv në shtypin e Komunitetit Shqiptar në Amerikë dhe Diasporë.
* Gazeta “Metropol” 23 nëntor 2011 Nr. 2521 f.22
gjithashtu në “Telegraf”22 nëntor 2011 Nr. 282(1832) f.18, “Shqip” 23 nëntor 2011, Nr.320 f.29, “Shekulli “23 nëntor 2011, Nr. 3516 f. 19, dhe gazeta Standard.