SKANDALI/ Prishet forumi i Detit të Zi, akuza: Tirana tentoi ta përdorte politikisht

0
43

TemA, 22 Nëntor 2011

Topalli, Ruli, Naco e Pollo gjate forumit

Skandal në Tiranë. Qindra politikanë e biznesmenë të nismës Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi ishin mbledhur për punimet e Asamblesë së Përgjithshme. Këtë vit presidencën e mban Shqipëria. Por vende të rëndësishme si Bullgaria, Rumania dhe Turqia kanë larguar delegacionet e tyre nga Tirana me akuzën se Shqipëria po e përdor politikisht këtë aktivitet të përbashkët. Në një njoftim të shkurtër të Kuvendit të Shqipërisë thuhet se nuk është miratuar axhenda, ndaj janë shtyrë punimet për një kohë të pacaktuar. D.m.th të gjithë janë larguar nga Tirana. Shkaku: Kanë dëgjuar Topallin duke përdhosur forumin.

Çfarë ka ndodhur?

Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, e njohur me shkurtimin PABSEC (Parliamentary Assembly of the Black Sea Economic Cooperation), është krijuar në fillimet e viteve ’90 nga vendet e rajonit rreth Detit të Zi. Në të bëjnë pjesë Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Moldavia, Rumania, Rusia, Turqia, Ukraina dhe Serbia. Asambleja e Përgjithshme është trupa më e lartë e kësaj nisme. Ajo mblidhet dy herë në vit në vendet që kanë presidencën. Aktualisht presidencën e ka Shqipëria dhe presidente është spikerja e parlamentit vendas, dmth Jozefina Topalli.

Për këtë arsye ata kanë mbërritur në Tiranë më 21 nëntor. Më shumë se 400 biznesmenë nga këto vende kanë qenë të pranishëm në takimin, që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për të gjitha vendet, pasi diskutohet për problemet rajonale, propozohen ide, nisma, rezoluta, etj. Në takim ishte dhe presidenti i TUKSON, organizatës ombrellë të biznesit turk. Po atë ditë një njoftim mbërriti nëpër mediat shqiptare. Jozefina Topalli kishte mbledhur nja 400 biznesmenë dhe u kishte folur për suksesin ekonomik të Shqipërisë dhe i kishte njoftuar të investojnë në Shqipëri.

Fjalimi i publikuar në faqen e parlamentit tregon qartë se ajo nuk ka thënë asnjë fjalë për forumin, por ka folur vetëm për sukseset ekonomike të Shqipërisë dhe nevojën për të investuar në vend. Pas saj ka folur edhe Genc Ruli, Nasip Naço e Genc Pollo. Pasi i kanë dendur të pranishmit me propagandë, është vendosur të mblidhet menjëherë byroja e Asamblesë së Përgjitshme, gjatë të cilës ka pasur përplasje. Siç bën me dije vetë Kuvendi, nuk është miratuar axhenda dhe për këtë arsye, qindra biznesmenë e politikanë janë shpërndarë brenda ditës. Të ngopur me fjalimin e Topallit, Rulit, Naços e Pollos.

FJALIMI I TOPALLIT NE FORUM

Ky forum, pa dyshim është një katalizator, është një motor i fuqishëm që çon më tej marrëdhëniet dhe shkëmbimet midis vendeve anëtare të Detit të Zi dhe Shqipërisë.

Ne jemi të vetëdijshëm se kompanitë e mëdha tërheqin më shumë vëmendjen në tërësi. Suksesi i kompanive të mëdha, pa dyshim është suksesi edhe i bizneseve të vogla dhe të mesme. Por motori i vërtetë i zhvillimit ekonomik, është fuqizimi dhe zhvillimi i biznesit të vogël dhe të mesëm, të cilët bëjnë të mundur krijimin e dy nga tre vende pune të reja.

Ne sot në Shqipëri jemi përpjekur që të bëjmë maksimumin. Është e vërtetë që po të shikoni në hartë, Shqipëria është një vend i vogël por është një vend me një ambicie të madhe. Shqipëria është një vend që ka humbur shumë kohë për shkak të historisë së saj të pamerituar. Por, shqiptarët janë një popull me një energji të madhe dhe të jashtëzakonshme dhe me një shpirt unik përsa i përket biznesit.

Sot ne jemi në Tiranë, ndërkohë që ne në Shqipëri kemi punuar në dy drejtime themelore: Ne kemi kuptuar se është shumë e rëndësishme, në mënyrë të veçantë që në këtë kohë krize globale të borxheve, në një kohë kur vendi ynë i vogël është rrethuar nga kriza, ne duhet të përqendrohemi edhe më shumë, të eksplorojmë edhe më shumë, që vendin tonë të vogël ta bëjmë tërheqës për investitorët e huaj.

Dy janë shtyllat kryesore që bëjnë të mundur që vendi ynë të jetë më miqësor ndaj investitorëve, ulja e dy mureve. E para, është ulja e murit të barrës burokratike, e dyta është ulja e murit të barrës fiskale.

Ne kemi filluar me të parën dhe kemi bërë të mundur një reformë të rëndësishme, në eliminimin e pengesave për marrjen e licencave, për hapjen e bizneseve, për marrjen e lejeve të ndryshme. Vetëm gjatë viteve të fundit kemi hequr 2/3 e licencave dhe të lejeve, dhe 1/3 e atyre që kanë mbetur janë vendosur në One Stop Shop dhe kjo është njëra shtyllë, njëri mur në të cilin reforma vazhdon. Muri tjetër është muri i realizimit të lirisë fiskale. Nga 25 taksa që ishin të pronës i kemi reduktuar në 10 taksa. Kemi bërë të mundur që taksën mbi të ardhurat ta reduktojmë nga 25 në 10. Kemi bërë të mundur që taksën e sigurimeve shoqërore ta ulim nga 32 në 15. Kemi ulur në tërësi shumë taksa të tjera dhe pastaj kemi vendosur taksën e sheshtë duke bërë të mundur që të ecim drejt një rritje më të madhe lirie fiskale në vendin tonë.

Ne kemi punuar në disa drejtime. Duke qenë se kemi qenë i vetmi vend në botë vetëm dy dekada përpara që me Kushtetutë e kishim të ndaluar investimet e huaja direkte të fokusohemi pikërisht këtu,të ndaluarën e madhe në dekada përpara vitit 1990.

Në vitin 2005 në Shqipëri kishte 35 milion dollarë investime, pothuajse asgjë. Vitin e kaluar kjo shifër ka arritur në mbi 1 miliard dollarë investime të huaja direkte. Unë besoj se një ndër shkaqet dhe inkurajimet kryesore kanë qenë eliminimi i barrës burokratike dhe ulja e barrës fiskale, liria fiskale.

Në Parlamentin e Shqipërisë kemi punuar fort për reformën fiskale. Ashtu siç kemi bërë të mundur të kalojmë ligje të rëndësishme, siç kanë qenë ligjet për koncesionet, ligjet për shoqëritë tregtare etj. Padyshim që kemi aplikuar një model ekonomik përpara se të fillonte kriza globale. Ky model ka rezultuar i suksesshëm , ulje taksash, liri fiskale, administratë të vogël, investim në infrastrukturën soft dhe hard.

Për një kohë të shkurtër do të bëjmë Shqipërinë me një infrastrukturë të re dhe më moderne, nga një infrastrukturë tërësisht e vështirë dhe e pa merituar. Ne po bëjmë të mundur që të ecim në një nivel depërtimi të internetit nga vetëm 4.5% që ishim në 2007, në 50 %. Ne jemi të bindur se investimi në infrastrukturën soft është po aq themelor sa investimi në infrastrukturën hard.

Ka patur vite që ne kemi investuar në rrugë, ura, tunele, shkolla, spitale deri në shifra 13%-14% të GDP. Për faktin e këtij modeli ekonomik edhe vitin që kaloi, pavarësisht që jemi të rrethuar nga kriza, vendi ynë ka patur një rritje ekonomike 3-4%.Të vetëdijshëm që kjo është një ndër rritjet ekonomike më të veçanta në rajon dhe ndoshta edhe në Evropë, ne jemi po aq të ndërgjegjshëm se më shumë duhet punuar.

Unë jam e sigurt se ky do të jetë jo vetëm një forum ekonomik i suksesshëm, por do të jetë edhe një katalizator i vërtetë që do të bëjë të mundur që ju të shihni nga afër se cila është Shqipëria. Për ta njohur Shqipërinë, për ta prekur Shqipërinë, për të punuar në Shqipëri dhe për të fituar në Shqipëri ju si investitorë të huaj dhe bizneset shqiptare.

Unë ju uroj shumë suksese dhe ju falenderoj. Edhe një herë mirënjohje shumë të veçantë për Presidentin e TUSKON, për realizimin e kësaj konference me një dimension të ri partnershipi të veçantë midis legjislativit, parlamenteve të vendeve anëtare të Detit të Zi dhe biznesit të këtyre vendeve.

Shumë suksese të gjithëve!”