Bujar Leskaj: Njeriu me “letrat në rregull”!

0
93

Nga Mero Baze, 19 Nëntor 2011

Një biografi e paautorizuar e njeriut që pritet të bëhet kryetar i Kontrollit të Shtetit. Historia e tij reale, lidhjet e tij me njerëzit e rrugës, kulturës dhe politikes si dhe shkëlqimi verbues i CV-së së trashë

Bujar Leskaj është duke u votuar si Kryetar i Kontrollit të Shtetit. Letrat i ka në rregull. Presidenti e ka firmosur dekretin dhe Sali Berisha po bën sikur po mendohet, por do ta miratojë. Opozita ka shprehur votën kundër për shkak të flagrancës se kandidati “me letra” është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, deputet i saj dhe në listën pritëse të deputetëve të Vlorës. Prej vitit 1997, Kryetari i Kontrollit të shtetit “me letra” ka qenë gjithnjë i opozitës, ndërsa Leskaj do të jetë një rikthim i modelit të vitit 1992, kur deputeti i PD-së, Blerim Çela, u bë dhe Kryetar i Kontrollit të Shtetit.

Befasia e parë për publikun nuk ishte emri i tij, por CV e gjatë që kishte përgatitur, ku binin në sy tri diploma.

E para, ajo e inxhinierit të shpimit të naftës, është një diplomë reale. Leskaj ka përfunduar universitetin në verën e vitit 1990, por nuk preferoi të punonte si inxhinier. Ai u angazhua në polikë dhe u emërua instruktor në Komitetin e Rinisë së Vlorës. Muajt që pasuan në Shqipëri ndodhën ndryshime dramatike, që kishin të bënin me përmbysjen e komunizmit dhe në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, ai kandidoi si deputet i listës së organizatave luajale me Partinë e Punës së Shqipërisë, si kandidat i BRPSH për rrethin e Vlorës.

Emri i Bujar Leskaj si kandidate per deputet i BRPSH ne vitin 1991. Siper tij bie ne sy emri i Sait Dollapit dhe Fatmir Xhafes.

Pas humbjes së zgjedhjeve dhe hapjes së kufijve, iku përkohësisht në emigracion në Greqi dhe u rikthye në Vlorë pasi PD kishte fituar pushtetin. Fati ishte me studentët e brezit të viteve ‘90-të. Një student i brezit tonë, Artan Hoxha, u bë në atë kohë Ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Ekonomisë, dhe kaq mjaftoi që shumë bashkëstudentë të kursit të tij të punësoheshin si doganierë. Leskaj ishte ndër ta si doganier në doganën e Vlorës. Në fillim doganier i thjeshtë, ai arriti që në vitin e fundit të PD-së në pushtet të bëhej kreu i doganës së Vlorës.

Paralelisht me doganën ai kishte nisur dhe biznesin dhe shkollën. I frikësuar se biografia e tij ish- socialiste do t’i prishte punë në doganë, ai nisi me korrespondencë Fakultetin Ekonomik qysh në vitin 1993, i cili e afroi shume me dekanin e atij fakulteti Omer Stringa, një nga figurat më popullore të Fakultetit. Nën autoritetin e tij dhe natyrisht të ardhurave të doganës, rezultatet e larta nuk ishin të vështira për tu firmosur.

Por nuk e la pas as biznesin. Së bashku me një biznesmen të respektuar, atëherë në opozitë, që njihej si miku më i afërt i Fatos Nanos, Gaz Demi, ai investoi në ndërtimin e lokalit të njohur në ish- Parkun Rinia ‘Ledi Dajana’. Në këto kohë daton dhe miqësia e tij e fortë me Arben Malajn, i cili kishte ardhur si pedagog i jashtëm në Tiranë, pas një karriere si drejtues banke në Vlorë. Puna e tij ishte konsulent i firmës financiare piramidale Cenaj, por mbante dhe bilancet e ndërtimit të ‘Ledi Dajanës’.

Trazirat e vitit 1997 e gjetën Leskajn në krye të doganës së Vlorës, dhe e lidhën atë fort me një pjesë të grupeve të armatosura që vepronin në qytet, kryesisht kundërshtarë të Zani Çaushit. Qeveria e re e Pajtimit Kombëtar e bëri Arben Malajn Ministër të Financave dhe emërimi i tij i parë ishte ngritja e Leskajt në postin e Nëndrejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Tashmë ai kishte marrë një hije të plotë si zyrtar socialist. Si një bashkëpronar i Ledi Dajanës’, e cila në atë kohë ishte selia paralele e Partisë Socialiste, dhe si një ofiqar i lartë doganash nën kontrollin e socialistëve, ai dukej se ishte në rrugë të mbarë për karrierë në atë parti.

Por Vlora ka gjithmonë të papritura. Grupet rivale në Vlorë, sidomos beteja mes atyre që quheshin kundërshtarë të Zanit, ku futeshin personazhe me nofka të çuditshme si “Kakami” apo “Gaxhai” dhe Zanit, po shkonte në ekstrem. Kishte të vrarë mes tyre, pengje, ekzekutime makabër. Arben Malaj po futej përditë e më shumë nën ndikimin e grupit të pushtetit, tender që në Vlorë dukej se e kishte fituar Zani Çaushi. I pafuqishëm për të marrë të gjitha vendimet vetë, ai detyrohet të pushojë në fund të verës Bujar Leskajn nga detyra me arsyetimin nën zë se ishte pjesë e miqësisë me kundërshtarë të Zani Çaushit. Por kjo “jo me letra”. Me letra kishte arsye për realizime e mosrealizime të ardhurash në një kohë që shteti ishte han me 7 porta.

Këtu filloi dhe prishja e tij e madhe me Arben Malajn, i cili ishte tashmë yll në ngjitje i socialistëve. Shtypi i atëhershëm e lakoi emrin e tij si të lidhur me Zani Çaushin në dërgimin e anijes “Katër Radat” në Itali, që u mbyt në Otranto, por dukej se ai nuk kishte gisht në atë organizim përveç faktit që emrin e tij mund ta kenë përdorur lirshëm banditët që nisën anijen. Po ashtu një histori me makinën e tij në një vrasje në Rrogozhinë, u sqarua si ngatërresë në një garazh riparimesh. Ishte kohë e vështirë të ndaje veten nga bandat e armatosura nëse do të ishe politikan nga Vlora dhe dy njerëz që kishin nisur karrierën në ato ditë, Bujar Leskaj dhe Arben Malaj, po merrnin rrugë të ndryshme, jo aq me dëshirën e tyre se sa me pafuqinë e tyre.

Vitet që pasuan ishin të vështira. Leskaj u zhvendos në Tiranë, bleu shtëpi në qendër të kryeqytetit, pas Presidencës dhe tërhoqi familjen nga Vlora. Kështu po dilte mrekullisht nga spiralja e njerëzve, të cilët tani thuajse nuk jetojnë më. Dy miqtë e tij më të ngushtë, të fundit në atë listë njerëzish të armatosur në vitin 1997, u vranë në vitin 2006 dhe 2007, kur ai ishte Ministër. Ai i respektoi duke u shkuar në funeral.Mbaj mend qe jo pa shpoti kolegët e tij deputetë ju referoheshin viktimave si “njerëz të besës” një nofkë që Leskaj e përdorte për të justifikuar shoqërinë me ta.

Jeta e tij në Tiranë natyrisht kishte nevojë për një impuls të ri. Diploma e Ekonomikut nuk i duhej më. Ai e mori atë fiks kur e hoqën nga puna si doganier dhe ajo i mbeti po aq e papërdorshme sa ajo e Fakultetit të Inxhinierisë. Një diplomë e re i duhej doemos. Miku i tij i afërt, Dhori Sollaku, i rekomandoi Juridikun. Me Dhorin njihej nga viti 1997 në Fier. Dhori në atë kohë kishte qenë kandidat për deputet i Partisë Demokratike, dhe për shkak të situatës së vështirë që ishte në Fier, kishte nevojë të shoqërohej me njerëz të fortë.

Leskaj i sugjeroi një mikun e tij, Arben Isufin, i cili i qëndroi Dhorit besnik si shofer dhe shoqërues gjatë trazirave. Isufi e forcoi edhe më shumë lidhjen Leskaj – Sollaku, për shkak dhe të ndikimit që Sollaku kishte në drejtësi si këshilltar i Presidentit të Republikës dhe si njeri që komandonte gjyqtarë e prokurorë nga KLD e Berishës dikur, e më pas e Mejdanit. Fieri, një qytet me aq shumë probleme me krimin, kishte tashmë një derë të hapur në zyrat e drejtësisë në Tiranë, që i zbuste problemet. Ishte dikush që i çonte fjalë Dhori Sollakut dhe mbyllej një sy. Sidomos kur u bë Kryeprokuror!

Kështu Leskaj filloi Juridikun, të cili e përfundoi me të njëjtin ritëm dhe mënyrë si Ekonomikun. Kur e përfundoi, nuk i duhej më. Kishin rrjedhur plot ujëra dhe ai po afrohej me PD. Lokalin ‘Ledy Dajana’ e kishte shitur të gjithin tek ortaku i vet Gaz Demi, i cili ishte sjellë si një xhentëlmen i vërtet, duke e paguar ndoshta më shumë se sa vlente, po të kesh parasysh se një vit e gjysëm më pas ishte i detyruar ta prishte lokalin nga sherri politik Nano- Meta. Leskaj ishte i vetmi që doli i fituar dhe ato pare i investoi në blerjen e një hoteli të ri që sot është Hotel Nirvana tek rruga e Kavajës.

Si biznesmen, me Benz të ri dhe hotel, ishte afruar fillimisht me Fahri Balliun dhe më pas me strukturat e financimit të fushatës në PD. Fillimisht ka pasur hezitime të forta nga Topalli. Por ajo e mori një mësim shumë shpejt. Një udhëtim i saj në Vlorë në zonën e Bujar Leskajt, desh përfundoi në tragjedi. Vëllezërit Boraka, miq të afërt të Leskajt, i dolën para me kallashnikov dhe ngritën një re pluhuri me plumba të shkrehur kuturu. Topalli reagoi fort, Berisha po ashtu, por shërbimet e sigurisë të pushtetit bënë lidhjen mes Leskajt dhe njerëzve të armatosur dhe gjithçka u fashit. Më pas kjo u kthye për mbarë dhe Topalli e harroi. Leskaj filloi të çmohej për këtë gjë. Ajo që e bëri të binte në sy të Berishës ishte shkuarja e tij në Vlorë në maj të vitit 2000.

Gjithkush që mban mend udhëtimin dramatik të Berishës, mes frikës së atentatit ndaj tij dhe fiksimit për të shkelur në një qytet që e kish mohuar, Bujar Leskaj mori përsipër shmangien e rrezikut. Të gjithë ia pranuan zotësinë e tij për lidhjet me elementët e rrezikshëm të qytetit. Zani ishte në burg, Kakami ishte vrarë, Gaxhai ishte arrestuar, por ushtarë të tyre ishin në terren. Leskaj arriti të negocionte që të mos kish incidente. Nuk jam i sigurt nëse Berisha e çmoi këtë, por badigardët e tij ja kujtonin çdo ditë. Ata ishin Agron Kuliçi dhe Ibrahim Ndreu, njëri sot bodigard i Topallit dhe tjetrin e njohin të gjithë, sidomos nga kabllogramet e SHBA.

Në fushatën e vitit 2001, ai mori dhe letrën e parë legale nga PD-ja. U bë anëtar i Bordit të Financimit të fushatës, një funksion që përkthehej në mënyrë banale si “njeri që gjen lek”.

Kështu rruga e tij u bë më e qartë. Do ishte me PD zyrtarisht. Dekanët e Fakultetit Ekonomik ishin ndërruar tashmë dhe Bujar Leskaj ishte afruar me Dhori Kulen, i cili po i premtonte një vend pune pedagog. Stringa, një burrë babaxhan dhe dashamirës, e mbante afër në Departamentin e tij Ekonomik në PD. Siç thoshte vetë me humor, tashmë Leskaj ishte një njeri që “e kishte lënë vjedhjen” dhe po merrej me politikë dhe CV-në e tij. Realisht ajo ishte fryrë më shumë se sa duhej me kurse kualifikimi në SHBA, pa ditur anglisht, me kurse në Gjermani, pa ditur gjermanisht, me “tema shkencore” dhe lëndë të nivelit të dytë dhe gjithçka që e bënte atë një pedagog. Biblioteka e tij në shtëpi po ashtu rritej, ndërsa muret e shtëpisë nuk kishin më vend për piktura.

I duheshin të gjitha në një kohë. Librat, arti, ekonomia, juridiku, politika… Duheshin të harrohej gjithçka kish ndodhur. Lajmet e njëpasnjëshme muaj pas muaji e njoftonin se ata që kishte njohur në Vlorë nuk ishin më. E mbaj mend një natë vere në vitin 2000 në Vlorë, ndërsa isha i ftuar tek një TV lokal, Amantia TV. Pas emisionit e takova Leskaj në një kafe me shumë nga këta njerëz që nuk jetojnë më. Vetëquheshin nacionalistë! Nuk e di pse, por ishte alibia më e mirë në Vlorë ku Guardia di Financa u kishte zënë detin dhe s’i linte të iknin me skaf dhe “qeveria greke e Fatos Nanos” po i hiqte biznesin. Dy- tre vetë mund të jenë gjallë nga ata që kam parë atë natë.

Në pranverën e vitit 2005, Leskaj i kishte forcuar pozitat në PD. Ishte zgjedhur ndërkohë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar. Në një nga tri zonat elektorale të qytetit, PD nuk kishte shpresa. Aty kandidonte Mezan Malaj, dikur ish Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Vlorës, në kohën që Leskaj ishte në Komitet të Rinisë. Berisha kishte pak shpesa se fitohej ajo zonë. Leskaj e mori përsipër dhe realisht ndryshoi gjeografinë elektorale të Vlorës. Me një eficencë të papërfytyrueshme elektorale, ai u bë palë me një deputet të PS në Vlorë kundër kandidatit të PD-së në atë zonë dhe mori mbështetjen e shumë socialistëve, që kishin inate të vjetra me Mezanin në zonën e vet. Miqtë e tij të vjetër u aktivizuan sërish dhe frika prej tyre në disa vende funksionoi. Fitoi bindshëm me mbi 1500 vota.

Fitorja e futi në Kuvend dhe Berisha, i cili i kishte premtuar Vlorës luftë kundër parkut industrial dhe TEC-it me qymyr, donte një ministër Turizmi nga Vlora. Duhet të zgjidhte mes tij dhe Kollozit. Të dy vinin nga e majta, por Kollozi ishte shkëputur prej tyre më vonë. Berisha zgjodhi Leskajn, duke cituar me një buzëqeshje të lehtë që ka “tre diploma” dhe që “është lab i zgjuar”. Pati disa zëra të mbytur në PD kundër tij, por u fashitën. Nuk ishte ai e keqja më e madhe. Ai bëri më pas gafat më të mëdha. Si çdo njeri që ambicia i kthehet në armik të madh kur tejkalon fuqitë e veta, dhe atij ajo detyrë ju kthye në varr për karrierën e tij. Daljet e tij publike ishin katastrofike. Fjalori i kufizuar, nëndialektor, dhe keqkuptimet për figurat e letërsisë dhe artit në vend ishin anekdotike.

Herë-herë dinte njeri të madh Moikim Zeqon e Zhani Cikon se i shikonte në godina të mëdha, pastaj lëshonte veneracione për Aurel Plasarin, i cili më shumë ndjehej në siklet se mirë nga fakti që e lëvdonte ai, pastaj hidhej tek sportistët dhe më në fund tek beteja e humbur me Armand Dukën, dhe shprehjen e tij të famshme ‘do t’i ngul një gozhdë që të thotë “o lele sa më dhembi”’. Berisha e humbi qetësinë. Këshilla e tij e parë dhe e rreptë ishte të shmangte publikun. I izoluar pak nga pak shkëlqimi i tij filloi të binte. Miqtë e tij të vjetër nga Vlora dhe Fieri filluan të vizitonin në zyrë, pa prishur shumë qetësinë. Në betejën e tij kundër Sollakut, Berisha ishte në siklet, pasi sa herë përmendte që Sollaku ka qenë me një element të rrezikshëm duke ngrënë drekë në Radhimë, mbante gojën pasi i treti në tavolinë ishte gjithmonë Leskaj.

Makina e tij filloi të përdorej jo rrallë si një ambulancë shpëtimi për personat në kërkim dhe zëvendësministri i sinqertë i Punëve të Brendshme, Strazimiri, në atë kohë dërgonte policë në aksion dhe ia çarmatosnin tek dera e furgonit. Emri i Bujarit shfaqej gjithandej. Me një kontrast të pazakontë mes korrektësisë zyrtare, me “letrat” e punës dhe abuzimit me elementë në kërkim jashtë punës, ai u bë u bezdisshëm për Berishën. Më në fund shpërtheu. Aleksandër Frangaj dhe Blendi Fevziu ishin në zyrën e tij për t’iu ankuar që Leskaj nuk po u hidhte një firmë për Kinostudion. Natyrisht Frangaj fliste për firmën dhe Fevziu për performancën e dobët të Ministrit. Berisha më thirri mua në telefon me sa duket si dëshmitar i asaj që do bënte.

E kuptova se dy njerëzit e Klanit kishin folur kundër Leskajt. Biseda u hap prapë dhe më pyeti se ç’po bënte Leskaj. Me pa me djallëzi, i thashë di që ka financuar këtë spektaklin e Rudina Magjistarit, në atë kohë bashkëjetuese me Edi Ramën. Berisha u ngrit nga tavolina e vogël ku ishim ulur, shkoi në fund të zyrës dhe gati po ulërinte kundër tij. Trafikant, palaço, edepsëz, trafikant dëgjohej në çdo dy- tri fjalë. Ai po justifikohej për diçka. Berisha po zbutej dhe erdhi u ul përsëri. Unë i kisha thënë gjysmën e së vërtetës. Gjysma tjetër ishte që lekët i kishte marrë Sandri, pasi Rudina punonte aty. Berisha e tha me bezdi këtë fakt, u ra gjunjëve dhe ne u çuam. Vajguri në kandilin e Ministrit po mbaronte. Në rastin më të parë, Berisha e zëvendësoi atë me Pangon.

Prej asaj dite Leskaj u zhduk nga qarkullimi dhe u shfaq sërish në Radhimë duke organizuar një drekë me Bamir Topin dhe rreth 30 deputetë, shumica e të cilëve nuk ishin në sinkron me qëllimin publik të drekës. Në fund të drekës foli vetëm Leskaj dhe sulmoi Ilir Rusmalin si djalë komunisti. E gjitha ishte për të treguar se tani ai ishte në luftë me Berishën. Një muaj më pas e trashi zërin. Në një intervistë për MAPO tha se “Me Berishën do takohemi në shtator”. Ishte fjala që ai grup do rrëzonte Berishën. Por Topi u bë president dhe në shtator Leskaj u rikthye për t’i kërkuar ndjesë Berishës. Nga ajo ditë ka qenë në hije.

Javën që shkoi u ngjall si kandidat i Bamir Topit për kryetar të KLSH. Sali Shehu është rrëzuar dy javë më parë me arsyetimin se është anëtar i PD-së dhe jurist. Leskaj është më shumë se anëtar, dhe thuajse pa profesion, pasi ka punuar vetëm doganier dhe Ministër. Por letrat i ka në rregull. Sidomos CV. Nuk kisha parë prej vitesh një gjë aq të trashë sa ajo.