Media si target i drejtësisë

0
75

Nga Mimoza Dervishi, 14 Nëntor 2011

Politikanë që vjedhin përditë! Tani dhe pastaj vrasin për të ruajtur apo shtuar pasurinë. Të gjitha të dokumentuara me zë dhe figurë! Pas çdo fundzullumi edhe ndonjë post aty këtu si shpërblim!

Gjykata që presin përditë gjoba të majme kundër gazetarëve kritikë me pushtetin!
Mirësevini në vendin e turpshëm që quhet Shqipëri.

Imagjinoni për një çast sikur kjo praktikë të ndiqej në SHBA! Të jeni të sigurt se nuk do kishim as CNN as Fox News, as New York Times etj etj. Nuk do të kishim media. Sepse për këdo që ndjek medien në Shqipëri e ka të qartë dallimin, e di tashmë se kush është media dhe kush është propaganda.

Në një krah janë një tufë që vjen e rritet e organeve dhe ekraneve shtojcë të pushtetit dhe në krahun tjetër një grup që sa vjen e zvogëlohet, i atyre që ende thonë atë që mendojnë. Dhe të thuash atë që mendon sot në Shqipëri, nuk është as më shumë, as më pak, por të jesh automatikisht kundra një pushteti hajdut, që për të ruajtur dhe shumuar pasurinë ka vrarë në mes të ditës shqiptarë të pafajshëm. Moda e gjyqeve ndaj këtij grupi të vogël zërash kritikë, është e fundit por jo e vetmja raprezalie ndaj fjalës së lirë. Nuk ka askënd në këtë grup që të mos jetë kërcënuar personalisht, që të mos i jenë pushuar nga puna pjesëtarë të familjes, që të mos jetë i/e detyruar të ndërrojë gazeta apo ekrane deri në stacionin e fundit, aty ku të gjejë një dritare për të thënë atë që do. Gjyqi dhe gjobat taciste apo kaciste janë të fundit për ti mbyllur gojën.

Dhe kjo ndodh për të vetmen arsye, sepse drejtësia, është dhe ajo një shtojcë e kalbur e një pushteti që po kalbet. Kur gjyqtarëve nuk u nxihet faqja aspak, tek deklarojnë absurditete në lidhje me autencitetin e videos së Metës, kur vjedhin mandatin e socialistëve në Tiranë pa ju dridhur qerpiku, kur anashkalojnë gjëmën e Gërdecit pa ju dridhur zemra, kur mbyllin çështjen e rrugës së Kombit me raporte mjekësore nga Lulëzim Basha, kur nxjerrin nga burgjet kriminelët dhe lënë të lirë të tjerë, që vrasin përditë, pse duhet të maten dy herë, të dënojnë një gazetar që ushtron të drejtat e tij të opinion dhe analizëbërjes, në një vend ku vetëm në kushtetutë: “Liria e fjalës mbrohet me ligj”.

Ky është kërcënimi i fundit për të gjithë ne që duam të shkruajmë e të themi që pushteti vret dhe vjedh, që biznesmenë afër pushtetit janë agresorë të medies dhe duhen dënuar, e jo e anasjellta, që agresorët, pasi kanë goditur fizikisht, të padisin gazetarët edhe ligjërisht. Na duhet një fjalë tjetër për të përkufizuar ligjin në Shqipëri.

Në një farë mënyre për të gjithë ne që paditemi pse shkruajmë dhe ushtrojmë fjalën e lirë si të vetmen armë , përveç kënaqësisë profesionale, ky është një shpërblim i madh, ku një fjalë na kushton 100 mijë euro. Ky evolim nga pushteti dhe sahanlëpirësit e tij rrotull, është gjithashtu një sukses që tregon sesa e rëndësishme është fjala, sesa shumë frikë e kanë të vërtetën ata që kërkojnë të vënë në vend me para, moralin që nuk e kanë. E pra ky është nga ato raste ku me plot gojën mund të thuhet, se jo gjithçka blihet me para.

Por ama gjyqtarët dhe avokatët blihen me para në Shqipëri. Shkoni në një sallë gjyqi çfarëdo dhe do shihni skena rrënqethëse, ku gjyqtarët sillen si batakçinj, ashtu sikur dhe janë. Do shihni se dhe rregullat me elementare të drejtësisë, pikërisht aty ku duhet të zbatohen më shumë, shkelen në mënyrën më mizore. Një skenë të tillë, që kaloi përmasat e çdo imagjinate na e dha falas, për ditë me radhë, Arben Ristani, ku shpesh na dukej sikur po shihnim një film absurd me kauboj të dehur, të veshur me kravatat e shekullit 21, në një vend që dukej i ngecur në diktaturë, ku drejtësinë e bën partia. Partia në pushtet e shekullit të 21, që ka kuptuar se paraja është gjithçka. Gjykatësit nuk kanë parti, ata thjesht duan një jetë luksoze dhe kanë gjetur profesionin e duhur.

Sa e sa afera korruptive të pasqyruara me fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme janë mbyllur me proceduara të parregullta. Sa e sa pushtetarë të kapur me presh ne duar, por asnjë gjemb s’u ka hyre në këmbë, dhe sot e gjithë ditën vazhdojnë e zgërdhihen nëpër ekrane. Po sa e sa raste kur linçimi deri aty ku s’mban më, ka qenë tejet personal dhe sërish mbyllja e modës me procedure. Sepse, sepse… gjykatëse qëllon të jetë gruaja e Fullanit. Për çdo gjyq madhor në Shqipëri, nga ato që sot duhet të kishin lënë pas hekurave të qelisë gjithë kupolën që drejton shtetin, është gjendur një ” Fullan” që punon diku dhe një “grua” e tij që është gjykatëse.

Nga ana tjetër unë nuk di që vetë apo kolegë të mi, të jemi marrë ndonjëherë me dhomat e gjumit të atyre që kritikojmë,Sali Berisha dhe kopeja që e ndjek e ka bërë këtë. Unë nuk di që ne të kemi fyer gratë, burrat, të dashurat, ish të dashurat, fëmijët e cfare mban pragu i derës, personazheve të shkrimeve tona. Ne e kemi ngritur luftën tonë në princip, duke folur për principe, për c’ka është e ndershme dhe c’ka jo, për c’ka është e dëmshme dhe c’ka jo për shqiptarët dhe Shqipërinë. Ndonjëherë qëllon që bashkë me një kryeministër dhe aferat e tij korruptive të jetë përfshirë gjithë familja. “Gadafët” kanë vetëm një mënyrë për të ushtruar pushtetin dhe ky nuk është faji ynë, por ama është problemi ynë.

E nëse gruaja, vajza, djali, grabisin lekët dhe tokat e shqiptarëve, vjedhin dhe vrasin përmes bizneseve të tyre, dhe ne e themi këtë gjë, kjo kurrsesi nuk është një fyerje personale ndaj tyre. Kjo në fakt është një fyerje vrastare kombëtare, që na bëhet të gjithëve dhe s’ka gjobë në botë të na e paguajë. Kur në oborrin e familjes, si gjithmonë në të tilla raste, mbijnë të ashtëqujtur biznesmenë, që pasurohen brenda natës dhe nga fuqia që buron nga një foto me gruan e kryeministrit, sulen mbi gazetarët me grusht dhe me fjalë, është e drejta jonë tu themi Ndal. Nëse serish jemi ne ata që duhet të paditemi e gjobitemi, le të jemi, kjo nuk besoj se na trazon.

Ne të gjithë e dimë se avokatët përkatës që shkojnë të lexojnë paditë kundra nesh nëpër gjykata, do luftojnë fort për ti fituar lekët e gjobës. Sepse ato gjoba janë një premtim, që do ndahen mes tyre dhe gjykatësve. Gjithmonë…nëse do vijë vërtetë ajo ditë, kur ne të paguajmë, përveçse me të tjerat, edhe me para, për fjalën e lirë. Nëse vërtetë do vijë ajo ditë, kur batakçinj të pushtetit dhe gjyqësorit të jenë ende gjallë të gëzojnë pasuritë e vëna me gjoba. Ne kemi vetëm një mënyrë për t’i paguar këto gjoba: Fjalën. Atë nuk na e marrin dot.