Që “hajdutët” të mos abuzojnë me emrin e Liri Berishës

0
24

Nga Mero Baze, 10 Nëntor 2011

Fondacioni i zonjës Liri Berisha ka bërë një njoftim publik ku kërkon të distancohet nga disa persona që kërkojnë lek në emër të atij fondacioni. Lajmi u bë dhe më interesant kur një shoqatë rinore ironizoi që edhe në emër të saj po kërkonin lek disa të rinj të tjerë. Simbolika e ironisë ka të bëjë me faktin e thjeshtë dhe pyetjen që ja bën dhe vetes çdo qytetar: Përse hajdutëve u shkon mendja tek emri i Liri Berishës për të abuzuar?

Unë nuk e di kush janë ata vajza apo djem që kanë dalë të kërkojnë lek në emër të zonjës Berisha, për të mos thënë që dyshoj nëse ka ndonjë një ngjarje të tillë. Dyshoj pikë së pari, pasi zonja Berisha ka më shumë shanse t’i kapë dhe t’i arrestojë këta njerëz se sa t’i denoncojë si të tillë. Por dhe nëse është e vërtetë, ajo vetëm sa zbulon problemin që ka prodhuar kjo zonjë me veprimtarinë jotransparente të të ashtuquajturave fondacione të saj.

Pikë së pari fondacionet e saj, se nuk është një i vetëm por janë disa, kanë një praktikë të pazakontë të mungesës së transparencës. Rreth 800 biznesmenë të klasifikuar si biznese VIP marrin rregullisht një ftesë nga Drejtoria e Tatimeve VIP që të shkojnë në mbrëmjet e bamirësisë që organizon herë pas here zonja Berisha dhe natyrisht të paguajnë aty një shumë që kurrë nuk është më pak se 1 mijë euro. Shto pastaj dhe skenat teatrale të ankandeve që kjo zonjë bën p.sh duke shitur bluza futbollistësh të njohur me një trafikant nafte në krah sipas burrit të saj, dhe duke pasur klientë të saj njerëz që në dëshminë e tyre të penalitetit kanë vite burg për krime apo probleme të tjera me ligjin.

Në raste të tjera më “mondane”, piktorë apo skulptorë mediokër kanë shitur shtrenjtë veprat e tyre në ankandet e saj, blerë nga biznesmenë servilë të Familjes. Gjithë kjo veprimtari e “ethshme” financiare e zonjës Berisha nuk ka si të mos bjerë në sy të publikut dhe të ngjallë mitin e gruas që po pasurohet duke shtuar gjerdanët e floririt në qafë dhe duar, dhe natyrisht pasuritë e saj në banka. Disa shërbime që ofrojnë bizneset e saj në Tiranë për fëmijët autikë, jo vetëm që nuk janë falas, por janë aq shtrenjtë, sa shumë prindër nuk kanë asnjë fuqi t’i bëjnë “nder” zonjës Berisha për t’i dhënë ca lek më shumë.

Por ajo që është më e errët në këtë histori është se zoti Berisha, që bën sikur deklaron paret që ka fituar i biri nga shitja e tokave apo vajza nga puna si avokate, nuk ka detyruar kurrë gruan e tij të bëjë publike konkretisht sa pare ka mbledhur nga një aktivitet financiar bamirësie, sa ka harxhuar dhe si i ka harxhuar.

E keqja e dytë e madhe e “bamirësive” të zonjës Berisha është trafiku i influencës që lind nga këto mbrëmje bamirësie. Disa biznesmenë shkojnë aty të paguajnë 1 mijë euro dhe të dalin në foto me zonjën Berisha apo vajzën e saj. Një të tillë e mbaj mend vite më parë në vitin 2008, që me një foto të tillë të shumëfishuar, arriti të zaptojë një tokë në Grykë të Këlcyrës, të ndërtojë pa leje një fabrikë uji, pastaj nga frika të mos marrë ujë nga burimi, por të shpojë një pus dhe të shesë ujë pusi dhe gjithë Përmeti e Këlcyra të thonë tani që ajo fabrikë uji që mbushet nga pusi është e Argitës dhe Lirisë. Në fakt nuk është e tyre fare. Është e atij horri që ka zaptuar gjithçka me fotografinë që ka dalë me nënën dhe bijën në mbrëmje të tilla bamirësie.

Foto të tilla të shpërndara nga ai gjen në çdo lokal apo klub nga Tepelena në Këlcyrë dhe tek çdo njeri me të cilin ai ka pasur punë për të bërë “letrat”. Nuk e kam dëgjuar zonjën Berisha të ankohet apo të bëjë ndonjë deklaratë për shtyp për këtë biznesmen apo për biznesmenë të tjerë që e përdorin foton me të si kartëvizitë për ta kaluar maunet me naftë D2 si naftë bruto, apo të spostojnë postblloqe policie me naftën virgine. Pra, opinioni publik ka ndeshur në disa biznesmenë, për të mos thënë në dhjetëra, që flasin dhe bëjnë trafik në emër të zonjës Berisha apo fotove që kanë dalë me të dhe kjo zonjë nuk ka reaguar. Reagimi ndaj disa djemve apo vajzave që kërkojnë lek në emër të saj natyrisht është shumë fyes për të, por dhe shumë foshnjarak për tu besuar nga shqiptarët.

E siguroj zonjën Berisha se asnjë shqiptar nuk do tu ketë dhënë ndonjë lek se askush nuk beson se ajo ka ngelur keq për disa qindarka të kërkuara rrugëve. Lekët e vërteta në emër të saj bëhen me maune nate, fabrika të ndërtuara në emër të saj, histori të pastrimit të biografive kriminele në emër të fotove me të, e deri tek arratisje nga burgjet për shkak të lidhjeve me të. Këto janë gjëra të rënda dhe për këto zonja Berisha duhet të bëjë çmos të distancohet që ne të kuptojmë që jo pas çdo trafiku dhe fabrike të paligjshme në këtë vend qëndron hija e fotove të saj me biznesmenë që bëjnë bamirësi për fondacionet e saj.

Pra, zonja Berisha nuk e ka problemin se mos dikush del e mbledh ndonjë qindarkë në emër të saj, por se shumë të tjerë, ata me të cilët ajo pozon në foto nëpër mbrëmje e stadiume, me zinxhirë floriri në qafë dhe me një pamje të ngrirë si kukull japoneze, bëjnë miliona euro evazion fiskal në emër të saj, bëjnë biznese të paligjshme, prishin procese gjyqësore dhe krijojnë atë imazh tashmë të ngulitur të pareve të pista që ajo përpiqet t’i pastroj përmes fjalës bamirësi.

Kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk do jenë gënjyer dot nga ata djem apo vajza që kanë trokitur në dyert e tyre për të kërkuar lek për Liri Berishën, por më lehtë besojnë ata dhjetëra biznesmenë që ky pushtet i trashëgoi nga pushteti i kaluar i socialistëve, që u mjaftoi të lidheshin me zonjën Berisha për t’iu harruar që ishin “trafikantë nafte nga më të mëdhenjtë e Ballkanit”, “të lidhur me sillogjet greke”, “njerëz që kanë futur armë në Shqipëri për të përmbysur Berishën”. Me këta e ka më lehtë po të dojë të distancohet. U di emrin, mbiemrin, u ka fotografinë …dhe numrin e llogarisë. Le ta bëjë.