Nga Mero Baze, 8 Nëntor 2011
Bashkimi Evropian ka dërguar dje një sinjal të fortë për drejtësinë shqiptare, për të reaguar në kohë ndaj procesit gjyqësor në ngarkim të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Zëdhënësi i Komisionarit për Zgjerim, Peter Stano, duke iu referuar nevojës për një ekspertizë të përparuar të vendeve të Bashkimit Evropian, theksoi në mënyrë direkte se “askush nuk i pengon autoritetet shqiptare që të kërkojnë ekspertizë apo ndihmë, apo për çfarëdolloj këshille në territorin e BE-së”. Deklarata e dhënë për Top Channel, disa ditë para seancës në Gjykatën e Lartë, është atipike për institucionet e Bashkimit Evropian, dhe kjo tregon ndjeshmërinë që ka krijuar në Bruksel montimi i këtij procesi gjyqësor.
Nga ana tjetër kërkesa e tyre që autoritetet e Tiranës t’i drejtohen për ekspertizë Bashkimit Evropian, është në një gjatësi vale me deklaratën e Dritan Priftit, ditën që u bë publike ekspertiza e tre ekspertëve të emëruar. Zoti Prifti, në të njëjtën gjatësi vale me zëdhënësin e Komisionarit për Zgjerim, kërkoi që Gjykata e Lartë të marrë një ekspert të Bashkimit Evropian për këtë çështje, edhe pse më parë një ekspert amerikan i shumëvlerësuar nga ambasada e SHBA në Tiranë, dhe një britanik, kishin provuar vërtetësinë e videos.
Pra, deklarata e Bashkimit Evropian prodhon një situatë të re mbi procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës. Së pari paralajmëron mosnjohje të një vendimi gjyqësor, bazuar në ekspertizën e tre ekspertëve të emëruar nga Gjykata me kërkesë të Ilir Metës, dhe së dyti duket se është e sinkronizuar me dëshmitarin kryesor të këtij skandali, ish- Ministrin Dritan Prifti, i cili një javë më parë ka kërkuar pikërisht këtë gjë. Për ta bërë më të qartë paralajmërimin e tij, zëdhënësi i Komisionarit Evropian flet për rëndësinë që ka në progres-raport pjesa për drejtësinë dhe vëmendjen me të cilën ata po ndjekin këtë proces gjyqësor.
Ky këndvështrim i drejtpërdrejtë dhe i ashpër i Brukselit për këtë proces gjyqësor, në të vërtetë fut në krizë reale qeverinë shqiptare me Brukselin. Nga 12 kushtet që Shqipëria ka për të plotësuar që të marrë ftesën për kandidate për anëtare të Bashkimit Evropian, kjo po kthehet në krye-kusht. Edhe sikur Edi Rama të shkojë nesër në Kuvend dhe të miratojë dy- tri ligje që duan tre të pestat, edhe sikur Sali Berisha të kapërcejë ylberin dhe të pastrohet duke plotësuar 11 kushtet që i mbeten për të plotësuar, nëse të premten në Gjykatën e Lartë pranohet ekspertiza që mund të helmatisë përgjithnjë drejtësinë shqiptare, ne jemi të rrëzuar në sprovën tonë për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Pra, nuk do të na duhet shumë të presim as të miratohen ligjet me 3 të 5-tat dhe as të plotësojë qeveria e Berishës kushtet që s’ka ndërmend të plotësojë.
Nëse Gjykata e Lartë ecën në rrugën e gabuar kur është nisur, për të mbyllur dosjen e radhës për një politikan shqiptar, atëherë ne duhet të harrojmë ftesën për të qenë vend kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Dita kur ne duhet të presim është afruar papritur dhe ka tejkaluar në kohë dhe hapësirë Berishën, Ramën, Bregun, Nishanin, dhe gjithë ata që duhet të hedhin nga një hap në afrimin e kësaj dite. E premtja e kësaj jave ka shans ta hedhë në erë përfundimisht këtë proces, duke injoruar ndjeshmërinë që Bashkimi Evropian ka ndaj mosndëshkueshmërisë së liderëve politikë në Shqipëri nga drejtësia.
Në një farë mënyre Brukseli po kërkon kokën e Ilir Metës si provë se ne jemi duke ndërtuar një shtet ligjor dhe jo një shtet mafioz, ku dënohen denoncuesit dhe mbrohen kriminelët. Bashkimi Evropian ka adoptuar si kërkesë të tij kërkesën e Dritan Priftit, dëshmitarit kryesor të këtij skandali, i cili e ka denoncuar atë publikisht, si një mënyrë për të thënë që kjo dëshmi duhet të provohet deri në fund dhe me provat mbështetëse.
Këtu loja me dy porta merr fund. Këtu nuk pinë më ujë as avokatët, as ekspertët dhe as milionat e Ilir Metës për ta mbyllur këtë proces. Mbyllja e atij procesi shihet qartë se është mbyllja përfundimtare e derës së Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Brukseli ka vënë veton dhe në mënyrë të pazakontë po i rekomandon drejtësisë shqiptare të harrojë manovrat alla- shqiptarçe për ta mbyllur gjyqin dhe të trokasë në dyert e BE për ekspertizën. Në një farë mënyre është duke na thënë se për të hyrë në Evropë duhet të dorëzoni Ilir Metën. Dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pavarësisht çmimit të lartë që Ilir Meta mund t’i ketë vënë këtij gjyqi, është duke zgjedhur mes të ardhmes tonë evropiane dhe të ardhmes sonë “siciliane”. Sado e shtrenjtë të jetë oferta e krimit në këtë rast, detyrimi për të qenë në anën e Shqipërisë, është jo vetëm ligjor dhe kushtetues, por dhe politik dhe kombëtar.