TemA Online, 15 Janar 2012
Shtëpinë e Faik Myrtajt e kanë mbuluar ferrat. Një tufë telash me gjëmba pengojnë rrugën për në banesën që ka nisur të rrënohet. Shumica e banorëve të fshatit Kreshpan nuk dinë ku kanë shkuar. Të vetmit që kanë mbetur në fshat janë Faiku i vrarë në 21 janar dhe djali i tij Bardhoshi i vetëvrarë disa muaj më pas. Dheu mbi shpinë u rëndon derisa drejtësia të thotë se kush dhe pse i vrau. Janë krah për krah, në varrezat në hyrje të fshatit. I biri i Faikut, Renatoja me të shoqen dhe nëna e tij, gruaja e të ndjerit Faik, Mamudeja, jetojnë tashmë diku në lagjet e zhurmshme të Fierit. Ikën nga Kreshpani pas vdekjes së Bardhoshit 22 vjeçar.
Në Fier, në hyrje të lagjes Kastriot, sapo pyesim, na adresojnë fill tek banesa ku takojmë Renaton dhe bashkëshorten e tij. Një shtëpi e vogël dhomë e guzhinë, ku ata jetojnë me qera prej 9 muajsh. Nënë Mamudeja shpreson që dashuria e Renatos do të triumfojë mbi dhimbjen dhe shtëpia e vogël do mbushet me të qara e të qeshura fëmijësh që do të ngashërejnë zemrën e saj. Por 26 vjeçari Renato sheh ashpër: “Më thoshte shpesh që për gjakun e babit do të merrte hak, por kurrë nuk mendoja se i pari që do të vdiste, pas babit, do të ishte Bardhi” – thotë Renato, – “do pres që gjykata të thotë fjalën e saj, pastaj di unë si do të veprojë”. E ëma, Mamudeja, shpërthen ndërkohë në të qara. Shtëpia është e mbushur me fotot e Faikut dhe të Bardhoshit. Mamude Myrtaj thotë se nuk vdes pa u bërë drejtësi për vrasjet që i shkretuan shtëpinë.
Nënë Mamude, ju jeni vendosur tashmë në Fier. Vendosët kështu për një jetë më të mirë apo jeta në Kreshpan ishte bërë e pamundur për ju?
E ku mund të ketë një jetë më të mirë për mua (qan). U rrënua e tërë shtëpia. Më vranë Faikun. Më vranë dhe Bardhin. Ku ka më jetë për mua? (qan). Ishte e pamundur të jetonim në Kreshpan pas ngjarjes së Bardhit. Kurrë nuk e mendoj unë se im bir vrau veten, kurrë… Erdhëm këtu që së paku do të jemi më të qetë nga njerëzit. Po kurrë nuk mund të ketë qetësi dhe siguri për ne. Pata dy djem e tashmë më ka mbetur një. Pata një burrë dhe ma vranë në mes të ditës… Dhe na kërcënojnë, e nuk na lenë të qetë.
Kush ju ka kërcënuar? Ju kanë kërcënuar që të mos flisni për hakmarrje, për drejtësi?
Nuk e dimë se kush dhe përse e bëjnë. Ka ndodhur disa herë, aq sa unë sot nuk mbaj më telefon. Ato telefonatat na kanë nisur në muajin qershor dhe kanë zgjatur rreth dy muaj. Na merrnin dhe na thoshin të mos flisnim nëpër media e nëpër njerëz. Na kërcënonin se do ta pësonim, të mos flisnim shumë, se po flitni shumë na thoshin. Ishin telefonata të panjohura kur herë dilte zë burri dhe herë gruaje. I dëgjoja dhe veç qaja. Ne askujt deri më tani nuk i kemi rënë në qafë. Kemi parë hallin tonë. Nuk shkoi Faiku në protestë për dhunë. Nuk kishte Faiku asgjë në duar për dhunë (qan).
Keni bërë denoncim në polici për këto telefonata?
Te kush polici? Te kush? Këta më vranë burrin, djalin. Si mund të besoj unë tek këta? Kush e vrau Faikun?Kush me vrau djalin? Si mund ta besoj unë se djali vrau veten? Nuk e besoj unë këtë. Sa të jem gjallë, nuk mund ta besoj… Nuk kishte arsye djali që të vriste veten. E kanë vrarë djalin, jam e sigurt unë. Tretet në dhé djali. Nuk duan as të flasim… Nuk mbaj më telefon unë. I them dhe Renatos, bir të lutem të jesh shumë i kujdesshëm në çdo hap që hedh. Se atë kam dritë të syve, ka mbetur e vetmja shpresë jete për mua djali. Ja kjo është jeta që bëjmë, që më pyete…
Po mbushet një vit nga ngjarja e 21 janarit. Si i shikoni ju hapat që ka bërë shteti për të vënë drejtësi një vit pas vrasjeve?
Për ne autori është i ditur. Askush nuk mund të qëllojë mbi njerëz pa një urdhër. Ka një kryeministër atje që drejton e urdhëron edhe për një punë të rëndomtë, që vendos për gjithçka, e jo më për të qëlluar mbi njerëz… Sa të jetë Saliu në qeveri sigurisht që unë nuk pres që të më thonë të vërtetën se kush ma vrau Faikun dhe kush urdhëroi vrasjen e tij. Por sa të jemi gjallë, nuk e harrojmë ne gjakun e djalit dhe Faikut. Deri në grahmat e fundit të jetës. Kam në shtëpi dy varre të hapura.
Më 21 janar do ketë një protest homazh përballë kryeministrisë, a do të merrni pjesë?
Sigurisht që po. Ç’mund të më bëjnë më shumë se sa më kanë bërë…
Shekulli