Nga Mero Baze, 7 Nëntor 2011
Nuk besoj se Lulëzim Basha e ka dashur këtë fat, por ka fatkeqësinë të jetë i pafuqishëm të kundërshtojë. Në historinë e politikës shqiptare, Lulëzim Basha është rasti emblematik, që ka hyrë në politikë dhe vazhdon të ecë mbi tri gjëra të ndaluara parimisht për politikanët, mbi vjedhjen, vrasjen e gënjeshtrën. Nga mënyra se si funksionon shkolla politike e Berishës, dimensione të tilla e bëjnë atë një figurë të ‘dënuar’ për të qenë përjetësisht aty, një figurë që duhet të ‘kalitet’ për të përballuar armikun, pikërisht përmes këtyre sprovave, pa mundur të vendosë vetë për fatin e tij.
Beteja e tij e parë e madhe politike, ishte mënyra se si, ai dhe partia e tij, e mbrojtën nga një proces gjyqësor, në të cilin akuzohej për shpërdorimin e 220 milionë eurove. Me kulaç, dhe kërbaç, me presion dhe me deformim të procesit, ai ia doli të mos shkonte në gjyq për shkak të procedurës së vonimit një fundjavë të dosjes së tij. Dosja, e cila i mbeti në dorë Lulëzim Bashës, dhe e cila mund të rihapet në çdo moment, pasi të ndërrohet pushteti, është një dëshmi e qartë e inkriminimit që Berisha i ka bërë atij për ta ‘kalitur’ si politikan që duhet të mbajë mbi supe peshën e një skandali të madh financiar, i cili si çdo horrllëk shqiptar, është mbuluar me flamurin e patriotizmit.
Sprova e dytë e rëndë e Lulëzim Bashës ishte 21 Janari. Ata që janë afër tij, dhe ministra të tjerë të kabinetit, e përshkruajnë Lulëzim Bashën të trembur, të frikësuar dhe gati në gjendje shoku nga ajo që po ndodhte. Por ka mjaftuar një telefonatë e Sali Berishës për ta thirrur në zyrë të vet, për ta nxjerr pas xhamit të blinduar të dritares dhe për t’i treguar se ‘si kalitet’ një politikan vrasës. Urdhëroi me qetësi në sy të tij dhe komandantit të Gardës hapjen e zjarrit mbi qytetarët që po shpërndaheshin qetësisht dhe sot dhjetë fëmijë shqiptarë janë jetimë për shkak të Luëlzim Bashës. Ata rrijnë para ekranit të televizioneve dhe dëgjojnë se si babai Lulëzim Basha, ikën çdo fundjavë me avionin e kompanisë thuajse të vet private në Hollandë, harxhon qindra- mijëra euro për fëmijën e tij, që ka pasur një problem shëndetësor, dhe kthehet i kënaqur të hënën në Tiranë të vazhdojë të zëvendësojë lekët që harxhon në fundjavë për familjen e tij hollandeze.
E bën këtë në sytë e Anës, vajzës 12 vjeçarë të Ziver Veizit, që disa shokë të klasës ‘demokratë’, i kanë thënë që ‘Luli përveç babit do të vrasë dhe mamin se je socialiste’. E bën këtë në sytë e fëmijëve të dibranit Hekuran Deda, të cilët kanë përcjellë babanë e tyre të papunë në botën tjetër dhe ëndërrojnë që dikush të bëjë diçka për jetën e tyre si jetimë në periferi të Tiranës. E bën këtë në sytë e djalit të mbetur të Faik Myrtajt, të cilit Lulëzim Basha i ka vrarë babain dhe më pas vëllain nga dëshpërimi që ngjalli arroganca e vrasësve ndaj viktimave. E bën këtë ndërkohë që dy vajzat e vogla të Aleks Nikës, presin babin tu vijë çdo ditë në shtëpi se nuk e kuptojnë ç’i ka ndodhur dhe askush nuk i gënjen dot tu thotë që ka ikur me avion në Hollandë dhe do vijë një ditë.
Ky njeri i mori përsipër këto vrasje dhe fatin e këtyre jetimëve,sepse ja kërkuan t’i merrte përsipër. Dhe si për ta noterizuar krimin në emër të popullit, e futën në garën për Tiranën. Edhe pse me një infrastrukturë të manipulimit industrial të votave, me miliona të hedhura rrugëve, me bomba në dyert e kandidatëve dhe zarfe në duar të renegatëve, ai nuk ia doli dot të fitonte. Zoti e la dhjetë vota mbrapa, aq sa jetimë ka lënë më 21 Janar. Por si nuk mundi të bënte më mbrapa, i rrëmbeu ato dhjetë vota me një Kolegj Zgjedhor të ndëshkuar ndërkombëtarisht për atë që bëri. E rrëmbeu, bëri kurban një qengj para Bashkisë, dhe hyri brenda. Sprova e tij si njeri që vjedh dhe vret tani u përforcua dhe si njeri që duhet të përballej me mashtrimet e veta.
Dje paskëshin kaluar 100 ditë nga dita kur ky njeri zaptoi atë ndërtesë. Dhe foli se ka realizuar premtimet. Unë e kam ndjekur ç’ka bërë këto 100 ditë. Ka marrë vajzën e tezes së gruas e ka bërë Drejtoreshë të Kuadrit të Bashkisë, ka marrë Kunatin e ka bërë sekser, ka marrë motrën e shoferit të gruas, e ka bërë Drejtoreshë për Taksat, ka marrë arkitektin e pallatit të Kunatit, që po ndërton jashtë rregullave në Vlorë, e ka bërë shef urbanistike, ka varrosur 4 milionë euro investime në Sheshin Skënderbej, pa i dhënë llogari askujt, ka marrë një polic dhe e ka bërë edhe shef Policie Bashkiake, edhe shef të Inspektoratit të Ndërtimit, dhe puna e vetme që ka bërë deri më sot është që ka vjedhur lulet nga çdo trotuar lokalesh që ka gjetur në Tiranë, dhe ka anuluar planin rregullues të Tiranës, për ta ndryshuar atë në favor të miqve të vet. Ah po, harrova, ka dalë dhe dje dhe thotë kam realizuar premtimet. E thotë këtë se do ta poshtërojë shumëfish këtë qytet, duke e detyruar të pranojë se i ka premtuar që Tiranën do ta drejtoj Kunati, vajza e tezes, motra e shoferit, urbanisti i pallatit të vjehrrit e kështu me radhë. Thjesht po bën sprovën për ‘tu kalitur’ si mashtrues i rëndomtë.
Dhe po e bën këtë me një kosto të rëndë jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë Shqipërinë. Po zhytet aq keq në spiralen që i është hapur përpara nga vjedhja, vrasja dhe mashtrimi, sa nuk bën dot më asnjë hap pas deri sa të kemi punë me të si një trashëgimtar të denjë dhe të ‘kalitur’ të Sali Berishës. Ai duket qartë që nuk ka fuqi t’i mbajë mbi shpinë gjithë këto të zeza, por Berisha po e kalit me idenë se ‘armiku’ përballë kështu e do kundërshtarin, dhe ai po e pranon këtë si një model i shëmtuar politikani në shekullin e 21. Si një politikan që ka merita se ka vjedhur dhe nuk është gjykuar, ka vrarë dhe nuk është dënuar dhe po gënjen pa shqetësim se nuk është besuar.







