Berisha të gjejë ‘Çunin e Balës’

0
61

Mero Baze

Mero Baze, 06.01.2010

Pas emisionit të djeshëm, “Faktori Plus”, po lexoja me qetësi mesazhet e dërguara nga qytetarët rreth asaj që po ndodh në zonat e përmbytura të nën-Shkodrës. Qindra qytetarë shkodranë për herë të parë ndjeheshin të penguar të mbronin atë që ndodhte, por kërkonin që në të vërtetë përgjegjësia të mos shikohej te kryeministri Berisha, por te ministri Prifti. E kuptoj ndjeshmërinë që ka për liderin e tyre një situatë e tillë, që turpëron çdo qeveri dhe jo më qeverinë tonë, që edhe pa këtë katastrofë i kishte punët shumë keq. Por ajo që lexoja mes rreshtave dhe dëshpërimit të atyre që mund të quhen realisht mbështetës të sinqertë të PD, është një lloj pengu se në këtë histori i ka marrë më qafë një ministër që ka ardhur me lugë në brez dhe që e ktheu sistemin e menaxhimit të KESH, së paku dy vjet mbrapa, në kohën e Andi Belit.

E vërteta e hidhur e gjithë kësaj historie në të vërtetë gjendet në trekëndëshin mes zyrës së Berishës, zyrës së Dritan Priftit dhe zyrave të KESH. E gjithë çfarë ka ndodhur është një çështje e zhdukjes së zërit të profesionistëve që menaxhojnë kaskadat mbi Drin dhe zëvendësimin e urdhrave profesionalë me vullnete politike, që diktohen nga interesa të tjera. Së paku prej vitit 2007, Shqipëria dhe qeverisja e PD prodhoi një standard të menaxherit publik, që u pranua gjerësisht si i pavarur dhe profesionist dhe ai ishte Gjergj Bojaxhiu, drejtori i KESH. Me gjestet e tij simbolike me gërshërë në dorë dhe me manovrimet e tij mes tregut të energjisë dhe kapaciteteve të digave tona, ai arriti ta mbante për dy vjet sistemin funksional, duke na siguruar energji elektrike dhe duke mos na përmbytur. Sekreti qëndronte te fakti që ai ishte i përkushtuar si menaxher dhe që frenonte urdhrat politikë dhe shpesh voluntarizmin që buron nga megalomania e qeveritarëve për të drejtuar KESH.

Në shtator të këtij viti, fare papritur dhe pa i thënë asnjë falënderim, ky menaxher u zhduk nga qarkullimi dhe u zëvendësua me një njeri të bindur ndaj urdhrave politikë dhe pa asnjë autoritet menaxherial. Pas kësaj në trekëndëshin Berisha, Prifti, KESH, ky i fundit nuk ekzistoi më. Dritan Prifti duket se u mor seriozisht me tregun e shitjeve të energjisë elektrike dhe pazaret për t’i krijuar treg kompanive që ka pasur dikur klient si blerës i energjisë në KESH, ndërsa Berisha si zakonisht me megalomaninë e digave të mbushura si shenjë “stabiliteti” për qeverinë e tij. Por ligjësitë janë kokëforta dhe ato të ndëshkojnë, kur nuk i respekton. Më 1 dhjetor, sipas burimeve zyrtare të KESH, diga e Fierzës ka qenë 285,3 metra dhe sipas Rregullores ligjore të Digave të Larta, kur niveli kalon 285 metra në digën e Fierzës, kontrollin mbi të e merr Komiteti i Digave të Larta. Nuk e ka marrë.

Ata duhet të jenë të penalizuarit e parë. Pastaj diga ka shkuar 290 metra dhe zyrtarët e KESH me zë të mekur i kanë kërkuar Berishës të hapin portat e shkarkimit. Përgjigjja ka qenë dhe më e vrazhdë. “Portat do të hapen, nëse shkoni dhe ju bashkë me ujin”. Kjo natyrisht i ka stepur, por dhe i ka turpëruar përfundimisht si profesionistë. Tanimë mund të thuhet se i ka kthyer në të pandehur. Shirat e shtuara bënë që diga të kalojë kufirin kritik dhe sot gjendet në kufirin 293.5 metra dhe prurjet janë të barabarta me shkarkimin, pra ende nuk jemi në kufijtë e efektit pozitiv nga shkarkimi. Nëse i hedh një sy gjithë kësaj situate, dhe nëse duket qartazi një shkak, ai ka të bëjë me faktin që, në momentin që një institucion arriti një standard vetëmenaxhimi dhe krijoi autoritet, Berisha dhe Prifti iu turrën për ta copëtuar dhe ia arritën duke bërë këtë që bënë.

Katastrofa do ishte tërësisht e shmangshme, sikur gjatë muajit dhjetor Komiteti i Digave të Larta të merrte nën kontroll situatën dhe të fillonte manovrimet për ruajtjen e nivelit të ujit në digë duke kombinuar prodhimin maksimal dhe zbrazjen e kontrolluar të ujëmbledhësit. Kjo gjë nuk ndodhi dhe tani mijëra banorë të Shkodrës janë nën ankthin për jetën e tyre dhe pasuritë e tyre nesër e në vazhdim. Ka prej tyre që janë të shokuar dhe nga ajo çfarë po ndodh me qeverisjen e tyre, duke qenë një zonë që ka votuar masivisht dhe historikisht PD. Dhe në të vërtetë njeriu që ktheu mbrapa standardet e arritura nga qeverisja e PD deri më 2009, quhet Dritan Prifti. Për interesa të domeneve të tij politike, dhe për shkak të një koalicioni të pamoralshëm, Berisha u detyrua t’i japë atij sektorin më delikat të ekonomisë dhe ne sot gjendemi nën komandën e një njeriu të papërgjegjshëm, që ka emëruar pronarë hotelesh drejtorë në KESH, dhe që e ka mendjen nga mëngjesi në mbrëmje te pazaret.

Partia Demokratike po paguan kështu një taksë të rëndë për imazhin e saj qeverisës ose së paku për një nga standardet e pakta që pati arritur, duke zëvendësuar një figurë profesioniste si Bojaxhiu me “hallvaxhinj” të ofruar nga një matrapaz politik. Kjo më bën të mirëkuptoj ata qindra militantë të PD nga Shkodra që, përveç hallit të madh që i ka gjetur, gjejnë kohë t’i qajnë dhe hallin partisë që kanë votuar për këtë gjëmë që e gjeti. Është me të vërtetë një taksë e rëndë për ta, dhe për pushtetin e PD që të gjykohet tani për prishjen e një standardi që e ka pas arritur, siç ishte menaxhimi i KESH. Nga fakti që Berisha doli dje me nxitim të mbronte drejtuesit e KESH, shihet qartë se ai e di që ata kanë qenë të shmangur nga vendimmarrja dhe janë përdorur prej tij dhe Priftit thjesht si kukulla.

Por tani është koha të veprojë drejtësia dhe ata duhet të shpjegojnë çfarë ndodhi që nuk u zbatua ligji me koshiencë dhe pse ne, qytetarët shqiptarë, duhet të paguajmë nga taksat tona për tekat e “dashurisë Berisha-Prifti”? Meqenëse në publik nuk flasin, shpresoj që këta zyrtarë të flasin para tavolinës së prokurorit, ku duhet të thirren. Shpresoj së paku që Berisha të aplikojë për veten e vet ato standarde që aplikoi për Edi Ramën në vitin 2002, kur një digë e vogël në Liqenin e Tiranës, së cilës i mbeti porta gjysmë e hapur, shkretoi një lagje të tërë. Atëherë së paku prokuroria veproi dhe “Man Kukaleshi” i Edi Ramës dha dorëheqjen dhe më pas u arratis, ndërsa disa zyrtarë shkuan në burg. Në fund madje u gjet dhe fajtori, një djalë që u quajt “Çuni i Bales” (të më falë për citimin e nofkës së tij). Shpresojmë që Berisha të mbërrijë deri këtu, të largojë “Man Kukaleshin” e tij, Dritan Prifti, dhe të dorëzojë para drejtësisë ata që u lejuan të shkelej ligji dhe, po mundi, të gjejë edhe ai një siç u gjet atëherë “Çuni i Bales”. Pastaj të flasë se si do t’i sistemojë njerëzit dhe si do t’i paguajë ata me paratë tona për qejfin e tij.