“Berisha”, 1.1 milionë USD për imazh

0
69

TemA Online, 6 Nëntor 2011

Qeveria “Berisha” ka shpenzuar mbi 1.1 milionë USD për të lobuar ndaj administratës, Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E gjithë shuma është derdhur për tre vitet e qeverisjes së djathtë. Konkretisht, bëhet fjalë për vitin 2011, 2010 dhe vitin 2007. Në këto lobime të firmave amerikane nuk përfshihen lobimet që kanë bërë me firmat amerikane në vitin 2009, por kjo nuk lidhet me qeverinë shqiptare, por me partitë politike, të cilat kanë kontraktuar me firmat lobuese amerikane për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Kontrata më e bujshme lidhet me firmën ‘Ridge Global’, LLC në vitin 2007. Sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë amerikane, rezulton se në vitin 2007, kjo firmë, që përfaqësohet nga Tom Ridge, ka përfituar nga qeveria shqiptare shumën prej 479.973 dollarësh amerikanë. Kontrata lidhet me faktin e konsulencës dhe e ndihmesës së qeverisë shqiptare në lidhje me procesin e anëtarësimit në NATO. Kontrata me Ridge është ndarë në dy pjesë, në 160.000 USD dhe në 319.973 USD. Ato kanë përkatësisht datat 11.01.2007 dhe në 29.11.2007. Nga kjo shumë e ofruar rezulton se Tom Ridge ka shpenzuar në total 120.526 USD për kryerjen e lobimit të Shqipërisë. Pjesa tjetër e parave të taksapaguesve shqiptarë ka shkuar në xhepat e firmës amerikane lobuese.

Tom Ridge është shfaqur në atë periudhë në krah të kryeministrit Sali Berisha në takimet qeveritare, së bashku me ministrat e qeverisë shqiptare. Këto janë kontrata zyrtare të depozituara nga firmat lobuese. Tom Ridge u zgjodh në postin e sekretarit për Sigurinë Kombëtare në janar të vitit 2003, por më 30 nëntor 2004 ai paraqiti dorëheqjen, duke thënë se pas 22 vitesh punë kishte vendosur t’i jepte më shumë përparësi familjes dhe çështjeve personale. Ai ishte më 2005-n në Shqipëri për t’u prezantuar si këshilltar i kryeministrit Berisha.

Kishte bërë kontratë si këshilltar për të ardhur 2 herë në muaj në Tiranë dhe asistuar, lobuar për NATO-n dhe kërkuar kontrata në emër të kompanisë që përfaqësonte për efekt lobimi në Shtëpinë e Bardhë. Përfundon misionin në vitin 2008, kur edhe Shqipëria u anëtarësua. Më pas, në vitin 2010, qeveria Berisha ka realizuar procesin e lotimit, duke nxjerrë në skenë një firmë tjetër, mbi të cilën do të fokusohet në përmirësimin e marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe SHBA-së. Në këtë kuadër, qeveria lidhi kontratën me ‘Patton Boggs’ në një vlerë që shkon në 275 mijë dollarë amerikanë. Arsyeja e lidhjes së kontratës, të paktën zyrtarisht, lidhet me ndihmën që kjo firmë e fuqishme lobiste do të japë në arritjen e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA-së për përfitimin e fondeve nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit.

Por ky lobim dështoi, pasi qeveria shqiptare, për shkak të paaftësisë së saj nuk arriti të miratonte ligjet e kërkuara, siç është ajo për Gjykatën Administrative, apo të kishte tregues të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit. Kjo si duket ka detyruar qeverinë shqiptare që një vit më vonë të akordojë një fond tjetër shtesë po me ketë kompani lobuese. Kështu, në vendimin më të fundit të qeverisë të këtij viti, firmës ‘Patton Boggs’ i jepet fondi shtesë prej 200 mijë USD për përmbushjen e marrëveshjes së vitit 2010.

Sipas kësaj logjike, i bie që qeveria kërkon të realizojë finalizimin e marrëveshjes për Sfidën e Mijëvjeçarit, USAID. Ndërkohë që ‘Patton Boggs’ ka ndihmuar qeverinë shqiptare në procesin e privatizimit. Në dokumentet e fundit mësohet se qeveria do t’i japë një përqindje kësaj firme lobuese dhe për procesin e privatizimit të kompanisë ‘Albpetrol’. Procedura e privatizimit pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria shqiptare ende nuk ka bërë publike se sa do t’i jepej kësaj firme nga procesi i privatizimit, edhe pse mendohet 2% e shitjes së ‘Albpetrol’.

Në këtë vit është bërë publike marrëveshje e re e qeverisë shqiptare me firmën tjetër lobuese, ‘Podesta Group’. Kësaj firme amerikane lobuese i jepet shuma prej 180 mijë dollarë amerikanë. Kontrata e zbuluar nga gazeta “Shqip” fakton se kjo lidhet për lobimin për përmirësimin e marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane. Kjo kontratë u nënshkrua nga ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në datën 4 prill të vitit 2011, dhe në të kërkohej shërbimi i ‘Podestas’ për 3 muaj. Për çdo muaj qeveria shqiptare paguante 60 mijë USD. /Shqip