Nga Çlirim Hoxha, 3 Nëntor 2011
Të jesh në krizë dhe të mos e pranosh, kjo do të thotë se gënjen veten dhe shqiptarët që të besojnë. Kemi kohë, madje disa vjet që po dëgjojmë nga goja e Kryeministrit Sali Berisha për një bum ekonomik të paparë, për një rritje të pandalshme, për njerëz të lumtur?! Ky refren ka që nga viti 2005 që po dëgjohet dhe ende nuk po përfundon. Dikush që nuk jeton në Shqipëri, me të drejtë do të çuditet dhe do lëshoi fjalë të mira për këtë Qeveri dhe këtë Kryeministër. Bravo i qoftë, do të thotë, që shqiptarët jetuakan mirë ekonomikisht dhe të lumtur gjithashtu. Një njeri që nuk jeton në Shqipëri, por që ndjek për së largu edicionet e lajmeve tek TVSH, Klan apo medie të tjera pro qeveritare, do kënaqen kur shikojnë Kryeministrin e Shqipërisë që bredh nga jugu në veri me gërshërë në dorë, fshat më fshat dhe komunë më komunë. Aferim i qoftë, do thotë, që ky birë njeriu më në fund e nxori popullin e tij nga skamja dhe varfëria dhe tani po u shtron dhe asfalton rrugët edhe fshatrave më të humbur. Vërtetë pa bukë, por me rrugë?! Bla, bla, bla si ne nuk ka /varfëria po na tkurr sa një vrimë miu /se në krye na udhëheq Saliu.
Le të bëjë gjithkush një bilanc të nivelit ekonomik në familjen e tij që nga viti 2005, vit kur në krye të këtij vendi u ringjit Sali Berisha, këtë radhë si Kryeministër. Sa ishte çmimi i vajit për gjellë në vitin 2005? Ishte 130 lekë për litër. Sa është sot 6 vjet pas qeverisjes së PD-së dhe Sali Berishës? 230 lekë për litër?! Sa ishte një kilogram sheqer në vitin 2005 kur në krye të vendit erdhi Sali Berisha? Ishte 65 lekë për kilogram. Sa është sot pas 6 vjetësh që këtë vend e drejton PD dhe Sali Berisha? Është 140 lekë kilogrami?! Sa ishte një kilogram oriz në vitin 2005? Ishte 70 lekë për kilogram. Sa është sot 6 vjet nënë drejtimin e Sali Berishës? Është 150 lekë për kilogram?! Sa ishte një litër qumësht në vitin 2005 kur në krye të këtij vendi erdhi Sali Berisha? Ishte 65 lekë për litër. Sa është sot nënë udhëheqjen e Sali Berishës? Është 86 lekë për litër?! Sa ishte një bukë 800 gr në vitin 2005 kur në fuqi erdhi Sali Berisha? Ishte 60 lekë. Sa është sot një bukë 800 gr 6 vjet pas udhëheqjes largpamëse të Sali Berishës? Është 100 lekë?! Sa ishte një litër naftë në vitin 2005 kur në fuqi erdhi Sali Berisha? Ishte 70-90 lekë për litër. Sa është sot një litër naftë, 6 vjet pas udhëheqjes së Sali Berishës? Është 178 lekë për litër?! Lista mund të vazhdoi pa fund për çmimin e energjisë elektrike, të ujit, të barnave, të librave të shkollës etj, etj. Ku po e çon kështu popullin shqiptar zoti Kryeministër? Në dyqanet e qyteteve dhe të fshatrave të Shqipërisë mijërat e familjeve që gdhihen dhe ngrysen me borxhe nëpër listat si çarçaf?! Ku është lumturia ekonomike që u premtove shqiptarëve në vitin 2005 dhe që e përsërite prapë në vitin 2009?! Ku është politika e qeverisë tënde për punësimin e shqiptarëve. Dil njëherë zoti Kryeministër dhe futu në këmbë mes rrugicave të lagjeve të qyteteve të Shqipërisë. Do të shohësh vetëm të rinj që ngrysin jetën e tyre të re të pa punë, barrë në kurriz të prindërve të tyre të varfër. Futu njëherë në bilardot e qyteteve, apo në kafe internetet e shumta dhe do të shohësh vetëm të rinj që ngrysin jetën me 20 lekë në xhep pa kurrfarë perspektive për një vend pune, një zanat apo diçka të ngjashme për të jetuar?! Ku është politika juaj e zhvillimit ekonomik të vendit, kur s’ka fronte pune, kur biznesi i ndërtimit po vdes pak nga pak, ku i vetmi biznes që po mbijeton janë kafenetë ku tretin ëndrrat e tyre mijërat e shqiptarëve të varfër?! Keni 6 vjet në pushtet zoti Kryeministër, por asnjëherë shqiptarët nuk dëgjuan për politika punësimi dhe shpresë për të jetuar. E vetmja hobi që ju keni shfaqur kohët e fundit, është ajo e prerjes së shiritave në çdo rrugë katundi. Të çudit mburrja juaj dhe e medieve pranë jush me numrin e madh të studentëve në universitetet e vendit, që për fat të keq duhet thënë se, janë bërë për të qarë hallin. Me këto ritme që po ecet, shumë shpejtë çdo fshat në Shqipëri do të ketë universitetin e tij privat?! Ndoshta kjo është një metodë e mirë për bizneset universitare dhe pa dyshim është dhe një mbyllje goje për mijërat e familjeve shqiptare, të cilat nuk kanë ku ti punësojnë fëmijët e tyre pas mature. Në universitetet shtetërore dhe private janë dyndur të gjithë të rinjtë për një copë diplomë, e cila zhvleftëson diplomimin e studentëve të shkëlqyer, vendos barazinë midis të diturve dhe të paditurve dhe e kthen rrotën e historisë 180° prapa?!
Të çudit fakti që, megjithëse vendet fqinje si Greqia dhe Italia janë mbërthyer nga kriza, Qeveria shqiptare deklaron për sfida ndaj krizës, madje mund të shtojmë se, ne në gojë të krizës hedhim valle, si dikur në gojën e ujkut në komunizëm?!
Dikush mund të thotë se, në Shqipëri nuk ndihet kriza sepse ne jemi vend i vogël etj si këto. Unë do të thosha se, ne në krizë kemi qenë gjithmonë prandaj nuk jemi në gjendje të ndajmë dot kufirin midis krizës dhe antikrizës. Ky vend i mjeruar dhe plot me gallata politikanësh, nuk çuditet fare kur dëgjon Kryeministrin e Shqipërisë se si e etiketon kryetarin e opozitës Edi Rama si marksist, vetëm e vetëm pse ky kërkon dhe u premton shqiptarëve heqjen e disa taksave mbi ushqimet bazë apo ilaçet, apo taksa për më të pasurit?! Ky Kryeministër po mbron të pasurit e Shqipërisë, të cilët nuk po i persekuton njeri, por për shumicën e shqiptarëve që janë të varfër, a mendoi ndonjëherë zoti Kryeministër?!
Vetëm taksa e sheshtë që Qeveria Berisha-Bode shpikën në kurriz të shqiptarëve, e varfëroi më shumë administratën publike duke i kthyer pagat në qesharake përball rritjes galoponte të çmimeve të ushqimeve, barnave, energjisë elektrike etj?! Qeverisë tënde rrangallë po i bien bulonat rrugës zoti Kryeministër dhe nuk ka servis që iu merr përsipër. Ajo që do të donin shqiptarët, por për fat të keq jo nga uzurpatorët, do të ishte të hapnit krahun dhe ti lini të qetë shqiptarët. Një forcë tjetër politike duhet të vij në krye të këtij vendi, pasi varfëria dhe papunësia po i vdesin përditë një e nga një shqiptarët.







