Plaku dhe Plehra

0
63

Nga Ernest Bunguri, 3 Nëntor 2011

Afërmendsh që ky do kish qenë titulli që Heminguej do t’i kish ngjitur librit të tij, nëse do të kishte jetuar në Shqipërinë e Sali Berishës. Në vend që ta nxirrte mes dallgëve me kripë e diellit përvëlues për të gjuajtur peshq e për të folur me veten, Hemingueji shqiptar i realitetit Berishist do ta kish degdisur plakun e tij flokë-ar në mes tufa plehrash që digjen ditën për diell, për të nxjerrë kafshatën nga mbetjet e bollëkut alla-Sali.

Plaku shqiptar do të çirrej e do të vinte kujën kur të endej rrugëve të Shqipërisë të shtrurara me asfalt plehrë e të zbukuruara, në vend të luleve, pemëve a gjelbërimit, me pirgje plehrash plot pluhur e tym mbytës. Kancerogjen!

Plakut të mjerë e kockëdalë do t’i ishin shqyher sytë nga djegia e gëlqeres megjithë malet e Krujës e s’do gjente pikë uji të kulluar për t’i shpëlarë përronjve a lumenjve plehra-bartës.

Ashtu fjetur në ndonjë pyll, do të zgjohej i lebetitur nga kërcitja e sopatave e ndotja akustike e motosharrave do ta zbonte larg malit, buzë detit, për t’a afruar sadopak me atë plakun e Heminguejit që njohim.

Por ky yni, nuk do të shquhej për trimëri e durim kundër stuhive a forcave të natyrës, pasi pa futur këmbën në ujë do hidhej i trembur në varkë nga vajrat, nafta a mbetjet që hidhen në sipërfaqen pisllëk-mbajtëse të bregdetit shqiptar.

Frika nga gjëmimet e dinamitit në Jon dhe shtizat e fekaleve të futura thellë në Adriatik, e jo yshtja për të kapur ndonjë peshk, do ta shtynte brigjeve të veriut ku betejën përfundimtare, plaku, do ta zhvillonte me rrymën e detit që do e kish përplasur të pafuqishëm, ashtu mbuluar me pirgje plehrash, brigjeve të Dubronikut.

Aventura e plakut të Heminguejit shqiptar do të përfundonte me t’u miratuar sot ligji i ri për plehrat dhe importin e tyre, duke u kthyer në atdhe, bashkë me plehrat e Kroacisë, Italisë, e mbarë Evropës, për të jetuar krenar ashtu mes plehrash, në Shqipërinë e Plehrës Sali.