Tri makthet e Berishës gjatë këtij viti

0
57

Nga Mero Baze, 3 Nëntor 2011

Në fjalimin e tij në parlament, ndërsa përpiqej të mbronte paktin e tij me mafian e plehrave, Sali Berisha nuk i fshehu dot makthet që i janë krijuar gjatë këtij viti nga rrezikimi i pushtetit. Për shumë vetë ishte e pakuptueshme retorika e tij për Aleancën e Plehut, e cila para se të vinte tek kjo ditë për Sali Berishën, kishte bërë disa sprova të tjera. Duke dashur të ngurtësojë në opinionin publik idenë se ai gjendet para një koalicioni Rama- Topi, po përpiqet ta zhvillojë këtë tezë duke i veshur një histori.

Ajo që duket se e ka dërrmuar Sali Berishën dhe i shfaqet në çdo moment të vështirë politik përpara si hija e Bankos, është 21 Janari. Në fjalimin e djeshëm në Kuvend, Sali Berisha ju rikthye Filip Çakulit, si përpjekja e parë e aleancës Rama- Topi sipas tij për të rrëzuar atë nga pushteti. Gjysëm me ngërdheshje e gjysëm me makthe, pak me gjestikulacione prej idioti, e pak me lëvizje të pakontrolluara që i burojnë nga degradimi fizik, Berisha i hutoi paksa deputetët kur foli për një përpjekje të Edi Ramës për të kthyer Fiks Fare në parti politike. Bile foli dhe për një skenë ku Filip Çakuli e refuzonte detyrën që po i ngarkonte Edi Rama me atë “tjetrin”. Siç ndodh rëndom me halucinacionet e tij, ai jo vetëm që i tregon si ngjarje të jetuara nga të gjithë, por premton gjithmonë dhe prova. Është kaq i bindur që ato kanë ndodhur sipas përfytyrimit të tij, sa çuditet se si njerëzit nuk shikojnë të njëjtat hije që ai shikon para syve në kriza të tilla. Ajo çfarë ai tha dje në Kuvend, nuk është asgjë më pak se makthi që i ka krijuar atij publikimi nga Filip Çakuli i fotove të tij me fëmijët e Enver Hoxhës në varkë dhe në dhoma dimri me oxhak, dhe një javë më pas dhe video-skandalin e Ilir Metës. Ai e ka përjetuar atë si një përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti me të shkuarën e tij enveriste dhe me të tashmen e tij mafioze si tutor i Ilir Metës. E gjithë ajo furtunë solli 21 Janarin dhe Sali Berisha duket se vazhdon ta përjetojë atë si një ngjarje të prodhuar nga “Partia e Filip Çakulit”, e cila paska tentuar ta rrëzojë nga pushteti. Të vrarët e 21 Janarit, jetimët që ai dhe Lulëzim Basha do t’i kenë në shpinë gjithë jetën, zemërimi popullor pasi ra hipokrizia e tij antikomuniste dhe miti i tij si njeri që do luftojë korrupsionin, dhe dalja jashtë kontrollit në bulevard duke qëlluar si Gadafi në muajt e fundit të pushtetit mbi turmën e njerëzve të pafajshëm, duket se i kanë krijuar atij idenë fikse se ka shpëtuar nga një komplot që synonte rrëzimin e tij nga pushteti. Dhe për këtë shkak e vuri Filip Çakulin të parin në listën e gazetarëve puçistë pas 21 Janarit, kërkoi tabulatet e tij dhe bëri një betejë të paprinciptë për të bërë presion mbi Top Channel-in të distancohej nga Fiks Fare si një “parti e Edi Ramës” duke i çuar “fermanin” për prishjen e zyrave të tyre brenda 20 shkurtit.

Pra, makthi i parë i Berishës këtë fillim viti ka qenë ideja se Edi Rama dhe Bamir Topi po e rrëzonin me “partinë e Filip Çakulit”. Bile njerëz të afërt të Berishës rrëfejnë se pas botimit të fotografive të tij me fëmijët e Enver Hoxhës, ai ka vënë në lëvizje gjithë lidhjet e tij të vjetra për të gjetur se si fotografitë e bëra nga një ish zyrtar lokal në Pogradec, miq me shërbëtorin e tij të gazetës 55, ranë në duart e medies opozitare.

Makthi i dytë pas kësaj, siç e shprehu vetë dje në Kuvend, është Aleanca Kuq e Zi. Edhe pse është i qartë se është një lëvizje, e cila nuk vjen nga lart- poshtë, por nga poshtë- lart, dhe se gjen truall tek një pjesë e dëshpëruar e rinisë shqiptare që nuk gjen më veten dhe krenarinë e saj tek një klasë politike e pafytyrë, ai u përpoq t’ia bashkangjiste këtë lëvizje Topit dhe Ramës. Edhe pse nuk ngjiti shumë në këtë sulm, duket se atij i ka dhembur fakti që kjo lëvizje në mos bëftë shumë gjëra, arriti të bëjë një gjë, t’i hiqte këtij hipokriti maskën e patriotit që vinte sa herë rrezikohej pushteti i tij. Kjo lëvizje e detyroi Sali Berishën të bëhet avokat i gjithë marrëveshjeve të dyshimta që ka bërë me fqinjët për pushtetin e tij dhe të mbrojë gjithë pazaret e tij personale për pushtet, duke fyer dhe disa gjëra simbolike të historisë së këtij vendi. Me shpresë se po t’ia faturonte Aleancën Kuq e Zi Ramës apo Topit, ai do të dilte i larë nga ç’mitizimi i tij si “patriot”, Berisha duket se e ka vuajtur faktin që flamujt kuq e zi të mijëra të rinjve shqiptarë valëviten në sheshe dhe bulevarde nga Tirana deri në Nju Jork si shenjë proteste kundër tij. Kjo do mbahet mend gjatë. Shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri fanatike nacionaliste dhe Aleanca Kuq e Zi nuk është ende një parti apo një lëvizje e profilizuar si nacionaliste. Ajo është ende në nivelin e protestës ndaj disa gjesteve fyese ndaj identitetit shqiptar dhe mungesës së shpresës për të ardhmen. Bile shoqëria shqiptare është një nga shoqëritë më tolerante dhe jo nacionaliste në Ballkan, pasi asnjë shoqëri tjetër, as në Serbinë e moderuar dhe nacionaliste, dhe as në Greqinë e moderuar dhe nacionaliste nuk e pranon aq lehtë që kryeministri të jetë dhëndër i një kombi fqinj, armik me vendin e vet. Ne e kemi pranuar se nuk jemi nacionalistë dhe ajo që ngjall sot protestë dhe neveri nuk është urrejtja ndaj fqinjëve, por përbuzja ndaj atyre shqiptarëve që na udhëheqin e që duan me çdo kusht të bëjnë një shenjë që nga ato s’do kenë kurrë telashe për çdo oreks të tyre të vjetër apo të ri mbi këtë vend. Dhe këtë nuk e bëjnë se duan tu shërbejnë atyre, por se duan që ata të mos u cenojnë asgjë nga pushteti i tij në Tiranë.

Makthi i tretë duket se i është krijuar nga dalja publike e Bamir Topit si një alternativë politike pas ikjes nga presidenca në verën që vjen. Kjo ka mjaftuar që ai çdo gjë tani e tutje ta shpjegojë me Bamir Topin. Protestat ndaj paktit të tij me mafien italiane për plehrat, i shpjegon me Bamir Topin. Përpjekjen për t’i përçarë PD me kandidatura si e Sali Shehut e shpjegon me Bamir Topin. Protestat e Vullnetarëve të Jozefinës në Shkodër në mbrojtje të nëndialektit të Jozefinës, i shpjegon me Bamir Topin. Në të ardhmen çdo zhvillim politik, çdo grupim i ri që mund të formohet, çdo debat që rrezikon shumicën e tij, do të lidhet me Bamir Topin. Dje në Kuvend ai e përkufizoi këtë si Parti e Plehut, nesër mund ta shpallë dhe si parti e arrorëve apo pjeshkave, mjafton që dikush t’i dalë ballë për ballë atij kundër marrëzive që thotë dhe bën çdo ditë në këtë vend.

Fjalimi i tij, që për shumë shqiptarë ishte një përrua psikik që rridhte jashtë kontrollit, ishte në të vërtetë një shfrim i koshiencës së tij për rreziqet që i janë kanosur këtë vit nga kundërshtarët e tij dhe që ai i ka klasifikuar si rreziqe që kanë nisur me komplotin e Filip Çakulit për t’i “çjerrë maskën” si antikomunist dhe si “i ndershëm” përmes fotove të tij me fëmijët e Enver Hoxhës dhe avokatisë që u detyrua t’i bënte flagrancës më të madhe që ndonjë politikan hajdut ka pasur ndonjë herë në histori, siç ishte video-skandali i Ilir Metës. Pasojat e këtyre ngjarjeve ishin duart e tij të përgjakura më 21 Janar, gjaku i të cilave i rri gjithnjë para syve, dhe paranoja që pas asaj dite, gjithkush mendon si ta rrëzojë atë herë me puç, herë me nacionalizëm, herë me moderacion, herë me ekologji, herë me dialekt, dhe herë me programe taksash e herë më “partiçka” të reja. Ai është i dënuar të vuajë idenë se po e rrëzojnë, edhe sikur të gjithë ne kritikët e tij të mos bëjmë asgjë, të mos shkruajmë dhe flasim, dhe sikur të gjithë të mbyllen në shtëpi dhe të mos bëjnë asgjë kundër tij. Atë tani nuk e qetëson dot më askush, as lufta, as paqja, pasi ai më shumë se kushdo tjetër, e di ç’ka bërë për ta mbajtur duke vrarë dhe vjedhur atë karrige.