Idea, 3 Nëntor 2011
Tiranë- Aleanca Kundër Importit të Plehrave organizoi paraditen e sotme një protestë para Parlamentit duke i’u bërë thirrje deputetëve për të mos miratuar ligjin për importin e mbetjeve. Të pranishëm kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, analistë e gazetarë të njohur që kanë bërë thirrje se tubimet dhe peticionet do të vazhdojnë derisa ky ligj të mosmiratohet. Në protestë mbajtën fjalën intelektualë shqiptarë të cilët argumentuar se përse janë kundër miratimit të këtij ligji, që sipas tyre mund të sjellë një “Gërdec” të dytë.
Një nga ata persona që e kërkon me ngulm mosmiratimin e ligjit për importin e plehrave është znj. Dhurata Çelaj, banore e qytetit të Durrësit. Ajo është shprehur se atë që qeveria do të sjellë, ajo po e përjeton tani. Sepse në lagjen e saj ndodhet një kantier ku shkrihen mbetje radioaktive dhe një pjesë e fëmijëve të zonës janë diagnostifikuar me mbetje në gjak.
“Si mundet të jetojë njeriu në një vend me ajër të ndotur, këtë e them se ne unë e shumë të tjerë po e jetojmë tani këtë situatë. Në zonën tonë treten bateri makinash dhe materiale të tjera të dëmshme, që bëhen vetëm për tu pasuruar persona të caktuar. Ai ambient është aq i ndotur sa një pjesë e madhe e fëmijëve janë të sëmurë , madje mjeku i ka nxjerë me sëmundje në gjak. Ndërsa ne nuk na është shfaqur ende ajo sëmundje, por shumë shpejt në këto kushte do të vijë edhe tek ne. Nuk e di ku do të jetojnë këta pushtetarë që miratojnë ligje të tilla, dhe këtë e bëjnë vetëm për tu pasuruar” – tha zonja Çelaj.
Ndërsa gazetari Adrian Klosi është shprehur me ironi në drejtim të kryeministrit duke e quajtur si “zoti ngërdheshja” dhe i ka bërë thirrje të mos e miratojë këtë ligj, duke e cilësuar dhe mënyrën e vetme për të qetësuar zemërimin e turmës.
“I them ‘zoti ngërdheshja’ dhe ‘zonja Bonaparti’ sepse Shqipëria është mjaft e ndotur dhe ne kemi plehrat tona, prandaj është ende herët për këtë gjë. E vetmja gjë që duhet të bëjë ky parlament për të qetësuar këtë popull është ti thotë jo miratimit. Ligji i plehrave është më i rrezikshëm se viti 1920 dhe viti 1943 kohë kur luftohej. Kjo sepse atëhere shikohej uniforma, ndërsa tani nuk mund ta shikosh, dhe nuk mund ta nuhatësh radioaktivitetin, mund të shikosh vetëm kancerin ndoshta jo tëndin, por të fëmijëve të tu” – u shpreh Klosi.
Ndërsa një tjetër gazetar, Blendi Sala, e ka cilësuar këtë protestë si jo politike dhe e ka quajtur nismën e qeverisë si të njëjtë me atë që ndodhi para pak kohësh në Gërdec. Dhe po sipas tij kjo bëhet vetëm për arsye financiare, ndoshta pa qënë të ndërgjegjshëm se bashkë me “plehrat” po importohen edhe sëmundjet. Protesta u shoqërua me parulla të ndryshme kundër ligjit të importit të mbreturinave, gjithashtu të pranishëm ishin edhe forca të shumta policie.
Në parlament po vazhdon të diskutohet ashpër ky ligj me replika të forta me mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë kryeministri Berisha është shprehur më herët se ky ligj nuk ka rrezik, pasi sipas tij nuk do të importohen mbetjet e rrezikshme. Ndërkohë opozita kërkon një referendum popullor në mënyrë që të shprehen vetë shqiptarët për miratimin ose jo të ligjit të mbetjeve.
Kliti TOPALLI/ IDEA







